OPINIONTË FUNDIT

Projektligji për Byronë për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, juristi flet për rëndësinë dhe ndikimin

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke i hapur rrugë procedimit të mëtejmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Para anëtarëve të këtij komisioni, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi rëndësinë e projektligjit, duke e cilësuar atë si një ndër mekanizmat kyç në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Ajo deklaroi se përmes këtij projektligji synohet vendosja e një standardi të qartë kundër pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, duke shtuar se transparenca dhe qeverisja e përgjegjshme janë detyrime shtetërore.

Gërvalla nënvizoi se Byroja shtetërore do të shërbejë si garanci për drejtësi, integritet dhe besim të qytetarëve, ndërsa shtoi se projektligji tejkalon kufijtë e një mandati qeveritar apo partie politike, duke kërkuar mbështetje të gjerë në Kuvend.

Duke sqaruar funksionimin e Byrosë, ajo theksoi se institucioni nuk merr vendime për konfiskim, por mbledh, verifikon dhe analizon informacione, ndërsa vendimet përfundimtare i takojnë gjykatës. Sipas saj, procedurat nisin mbi bazën e informatave të besueshme dhe fokusohen në mospërputhjet e mëdha financiare.

Ministrja shtoi se projektligji garanton të drejtat e palëve në çdo fazë të procedurës, përfshirë qasjen në dokumentacion, të drejtën për t’u dëgjuar, përfaqësimin dhe përdorimin e mjeteve juridike.

Në fund, ajo u bëri thirrje deputetëve që ta mbështesin projektligjin në fazat e mëtejme, duke theksuar se çdo pasuri e pajustifikueshme do të rikthehet tek shteti dhe qytetarët përmes mekanizmave ligjorë.

Juristi Blerim Burjani ka komentuar këtë projektligj për “Bota sot”, që sipas tij, mund të ketë ndikim të madh vetëm nëse zbatohet pa ndërhyrje politike dhe me kapacitete të forta hetimore.

Në Kosovë, ndikimi do të rritet vetëm me kohë dhe konsistencë, sipas Burjanit.

“Projektligji për Byronë për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme mund të ketë ndikim të madh vetëm nëse zbatohet pa ndërhyrje politike dhe me kapacitete të forta hetimore. Ndikimi potencial pozitiv:
Godit pasurinë e pajustifikueshme (jo vetëm personin); E bën korrupsionin më pak “fitimprurës”; Rrit frikën nga pasojat financiare; Ndihmon në: politikanë, zyrtarë publikë, rrjete kriminale ekonomike”.

“Pra, në teori: është një nga mjetet më të forta anti-korrupsion. Por realisht në Kosovë:
ndikimi fillestar pritet të jetë i kufizuar (afërsisht 20–40%), sepse: sistemet hetimore janë të ngadalta, gjyqësori është i mbingarkuar mund të ketë presion politik. Ndikimi rritet vetëm me kohë dhe konsistencë”, deklaron Burjani.

ImageBlerim BurjaniFoto galeri
I pyetur rreth rreziqeve për keqpërdorim të ligjit, Burjani përmend kryesoret dhe masat që përdoren në vendet evropiane.

“A ka rreziqe për keqpërdorim të ligjit? Po — dhe këto janë rreziqe serioze në çdo vend ku politika ka ndikim të fortë. Rreziqet kryesore: 1. Përdorim selektiv politik; Hetime vetëm ndaj kundërshtarëve politikë; Mbrojtje e njerëzve të pushtetit 2. Hetime të bazuara në dyshime të dobëta; konfiskim pa prova të forta, rrezik për shkelje të të drejtave të njeriut; 3. Presion mbi hetuesit dhe prokurorët: ndikim indirekt përmes: emërimeve, buxhetit, karrierës; 4. Abuzim me pasurinë e sekuestruar, menaxhim jo transparent i pasurive të konfiskuara”.

“Si parashihen të shmangen këto rreziqe? Në modele të mira evropiane, përdoren këto masa 1. Gjykim i pavarur (jo vendime administrative), çdo konfiskim duhet të kalojë në gjykatë; 2. Standard i lartë prove: “pasuri e pajustifikueshme” duhet të ketë: analiza financiare, krahasim të të ardhurave; 3. Mbikëqyrje e dyfishtë, prokuroria + gjykata + audit i jashtëm; 4. Transparencë publike
raportime vjetore të Byrosë; 5. Kontroll kushtetues, mundësi ankese në Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, thotë juristi.

Ai pret që të kundërshtohet në Kuvend, duke përmendur edhe arsyet.

“Po — pothuajse me siguri pritet kundërshtim politik në Kuvend. Arsyet kryesore të kundërshtimit: 1. Prek interesat e politikanëve dhe bizneseve të lidhura, ligji godet pasurinë e pajustifikueshme, humë aktorë politikë e shohin si rrezik personal 2. Frika nga keqpërdorimi politik, opozita mund të thotë: “do përdoret kundër nesh”. 3. Debat kushtetue dilema: a cenon të drejtën e pronës? a ka standard të mjaftueshëm prove? 4. Luftë për kontroll institucional, kush e kontrollon Byronë? Kuvendi apo një trup i pavarur? Por edhe mbështetje do të ketë: presion nga publiku, BE dhe partnerët ndërkombëtarë, shoqëria civile”, shprehet Burjani.

PDK, AAK do të jenë kundër këtij ligji thotë Burjani, duke përfunduar se mund të jetë një model i SPAK-ut në Shqipëri.

“Nuk besoj se me këtë ligj do të arrihet të luftohet korrupsioni. Vetëm një trup i përzier ndërkombëtar mund të krijojë efekt real në këtë drejtim. Gjithashtu, themelimi i një gjykate dhe prokurorie të specializuar kundër korrupsionit, me përfshirje të gjyqtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë, mund të japë rezultate konkrete.

Në Kosovë mungon guximi për të arrestuar liderë politikë, kryetarë komunash milionerë apo ministra të përfshirë në afera të shumta. Po ashtu, nuk kemi prokurorë të fuqishëm dhe të pavarur që mund të ngrenë aktakuza ndaj liderëve politikë dhe zinxhirëve të korruptuar, të cilët shpesh e kanë shpërndarë pasurinë tek familjarët, bashkëpunëtorët partiakë apo persona të tjerë. Prandaj, nuk jam optimist. Kjo nuk është vetëm çështje ligji apo debati në Kuvend, por mungesë e konsensusit shoqëror për ta luftuar korrupsionin.PDK dhe AAK janë kundër këtij ligji, dhe arsyet dihen. Ato asnjëherë nuk janë distancuar qartë nga korrupsioni partiak, nepotizmi dhe punësimet partiake. Në anën tjetër, praktika të ngjashme vazhdojnë të kritikohen edhe te VV. Si mund të jem optimist që ky ligj do të japë rezultate? Një model si SPAK në Shqipëri ka treguar efekt, por ne jemi ende qindra kilometra larg atij niveli në luftën kundër korrupsionit”, përfundon Burjani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *