TË FUNDIT

Burjani zbulon rrugëdaljen nga kriza: Koalicion me LDK-në ose zgjedhje

Edhe pse është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu vazhdon ta ushtrojë edhe detyrën e presidentes së Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë që i takojnë në këtë periudhë.

Haxhiu po i mban të dyja funksionet derisa të gjendet një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Por, çfarë do të ndodhë nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, kur skadon afati i paraparë?

Në këtë situatë, mbetet e hapur çështja se si do të vazhdohet më tutje dhe cilat do të jenë hapat institucionalë për tejkalimin e krizës.

Ndërkohë, partitë politike kanë në dispozicion një afat të kufizuar për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur një tjetër krizë institucionale.

Juristi Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot”, tha se kërkohet energji për të gjetur zgjidhje, se ndryshe zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme.

“E njëjta ngarkohet me detyrë. Brenda 60 ditësh duhet të zgjidhet presidenti. Nëse nuk zgjidhet, shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pra, ka 60 ditë në dispozicion për t’u zgjedhur.

Kërkohet energji e shtuar politike për të gjetur zgjidhje. Pra, tash në lojë kryesore është VV-ja për të gjetur solucionin e duhur për momentin. Nëse nuk e gjen atëherë afati kushtetues ecën dhe, nëse nuk arrihet zgjidhje, shkohet në zgjedhje të reja.

Pra, nuk ka shumë rrugë. Përgjatë kësaj kohe duhet shfrytëzuar mundësia për t’u bërë një koalicion klasik me LDK-në, për t’i dhënë presidentin LDK-së dhe pesë ministri. Atëherë do të jetë situata e qartë. Në të kundërtën, drejt në zgjedhje”, ka deklaruar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *