Takime të reja në Bruksel, analisti zbardh prapaskenat – kërkon kushte të qarta nga Kosova ndaj Vuçiqit
Pas një periudhe të gjatë stagnimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sinjalet e fundit që vijnë nga Brukseli kanë rikthyer vëmendjen ndaj mundësisë së një takimi të nivelit të lartë mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit.
Megjithatë, mbetet e paqartë sa reale është mundësia e një takimi të tillë, duke marrë parasysh tensionet e vazhdueshme politike dhe mungesën e progresit konkret në implementimin e marrëveshjeve të mëparshme.
E për këtë temë, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri, i cili potencoi faktin se Serbia në vazhdimësi ka bllokuar Kosovën.
Ai me këtë rast, përmendi edhe shkeljet e marrëveshjeve të arritura nga shteti serb, e që ato i ndërlidhi me qëndrimet ekstreme të Vuçiqit, kundër Kosovës.
“Në fakt që nga marrëveshja e parë e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 19 prill të vitit 2013, në pikën 14, ishte arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, ecjen apo progresin e palës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së, por përkundër asaj marrëveshje dhe të gjitha marrëveshjeve tjera, Serbia në vijimësi ka bllokuar rrugëtimin e Kosovës për inkuadrim në organizata të ndryshme ndërkombëtare si në UNESCO, INTERPOL, Këshillin e Evropës dhe kudo që Kosova ka mëtuar të anëtarësohej e bëhej pjesë e organizmave evropiane dhe ndërkombëtare me rëndësi.
ImageGani QarriFoto galeri
Shkaku i qëndrimeve ekstreme të Aleksandër Vuçiqit, ish ministrit për informata të kasapit Sllobodan Millosheviq, i cili është përgjegjës edhe për krimet e gjenocidin e shkaktuar kundër shqiptarëve të pambrojtur nga forcat okupatore serbe në Kosovë, pothuajse të gjitha takimet edhe në të kaluarën kanë përfunduar pa ndonjë rezultat dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të garantonte krijimin e paqes e të sigurisë afatgjate në rajon e më gjerë”.
Pavarësisht kësaj, Qarri përmendi edhe letrën përmes së cilës Beogradi ka njoftuar BE që tërhiqet nga të gjitha pikat e marrëveshjes së dakorduar më parë në Bruksel.
“Përveç pengesave të vazhdueshme dhe bllokadave të pareshtura në rrugëtimin e Kosovës për faktorizimin e shtetësisë dhe avancimin e inkuadrimeve evropiane dhe ndërkombëtare, në dhjetor të vitit 2023, Serbia i ka dërguar letër zyrtare BE-së, se tërhiqet nga të gjitha pikat e marrëveshjes së dakorduar më parë në Bruksel dhe aneksin e marrëveshjes në Ohër, që kanë të bëjnë me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, përfshirë anëtarësimin në OKB, ndaj nëse në takimin e ardhshëm flitet vetëm për serbët e Serbinë dhe nuk futet si temë kryesor çështja e shqiptarëve në Kosovën Lindore, zbardhja e fatit të mijëra të rinjve të kidnapuar shqiptar nga soldateska okpuatore serbe, kthimi i trupave të tyre në Kosovë, të shoqëruar me dokumente zyrtare se si kanë vdekur dhe çfarë ka ndodhur me organet e tyre njerëzore në Serbi, Kosova nuk duhet të pranojë shkuarjen në bisedime, vetëm sa për ta reklamuar në Bruksel Vuçiqin dhe bërë shpëlarjen e mëkateve të figurës së tij kriminale, tanimë të ndotur keq edhe në Serbi”, shpjegoi ai.
E duke parë këto qëndrime, analisti potencoi se pa i bërë Serbia disa ndyshime dhe marrë disa vendime, nuk duhet të ketë takim formal mes Kurtit dhe Vuçiqit.
“Nëse ashtu siç e ka cekë kryeministri Kurti, Serbia nuk e tërheq letrën e dhjetorit të vitit 2013 dërguar BE-së, nuk e dorëzon kryeterroristin Milan Radojçiq, i cili përveç agresionit të armatosur kundër integritetit territorial të shtetit të Kosovës, banda e udhëhequr prej tij, ka vrarë edhe policin në detyrë heroin Afrim Bunjaku, nuk heq dorë nga kërcënimet ushtarake dhe ndërhyrjet e vazhdueshme brutale në çështjet e brendshme të vendit tonë, ku për fat të keq deri më tani edhe BE-në e kishte dhe e ka pjesërisht ende në krah, besojë se nuk ka nevojë imediate për asnjë lloj takimi formal, përveç arsyes së sëmurë të ndokujt nga BE, që edhe në gjendjen kaotike të krijuar në Serbi, ti ndihmohet serish rikthimit të kriminelit Vuçiq në ballë të vëmendjes së BE-së dhe asaj ndërkombëtare, qoftë edhe duke zënë shkas, gjoja në rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, pa e ditur se as për çfarë është e domosdoshme të bisedohet aktualisht, nëse BE dhe faktori ndërkombëtar nuk e ka për qëllim serish instrumentalizimin e pakicës së llastuar serbe, dhe ri-përsëritjen e presionit ndaj Kosovës për koncesione të reja, tani edhe me imponimin e përdhunshëm të sistemit paralel serb të arsimit dhe detyrimin e Kosovës për “natyralizimin” e shëndetësisë paralele të Serbisë, si dikastere më vete, në Kosovë”.
Në mënyrë që të ecet para në dialogun në Bruksel, ai kërkoi që qeveria serbe ta miratoj një pakt me të cilin zotohet se nuk do sulmojë dhe provokojë Kosovën as direkt as indirekt.
Përndryshe, sipas tij, nëse nuk bëhet një gjë e tillë nga ka pse shteti ynë t’i përgjigjet thirrjes për bisedime.
“Në shenjë dëshmie se njëmend po bisedohet për marrëveshje dhe paqe e siguri afatgjate, ndërmjet të dy vendeve, Serbia paraprakisht duhet ta miratojë “Paktin për Mos-sulmim” ndaj Kosovës dhe me nënshkrimin e saj të zotohet se në të ardhmen, direkt as indirekt, nuk do ta sulmojë më vendin tonë, përndryshe nuk ka nevojë as arsye që Kosova doemos ti përgjigjet thirrjes për bisedime pa kriter as parime, nëse njëjtë si tani e rreth 13 vite më parë, atyre nuk u dihet fundi as qëllimi final, dhe as kësaj radhe në krye të planit për dialog ndërmjet të dy vendeve, nuk vendoset njohja reciproke ashtu siç e ka theksuar edhe rezoluta e Kongresit amerikan, e nënshkruar edhe nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump, si dhe nuk caktohet afati strikt i zgjatjes së dialogimit me një shtet agresor e hegjemonist si Serbia fashiste, e cila vazhdimisht-vetdeklarohet se vetëm pret momentin e favorshëm, për të sulmuar ushtarakisht vendet fqinje dhe gllabëruar me forcë territoret e tyre shtetërore”, vlerësoi analisti.
Më tej, Qarri u tregu kritik edhe me qasjen e emisarëve të BE në këtë proces të negociatave, derisa tha se, në vazhdimësi kanë kërkuar lëshime ndaj Kosvës, derisa Serbisë as nuk i është bërë presion as nuk i është kërkuar ndonjë gjë.
“Kosova, fatkeqësisht është në hall të madh edhe me emisarët tendencioz dhe ndërmjetësuesit e njëanshëm të BE-së, ndaj nëse BE dhe faktori ndërkombëtar nuk zotohen me shkrim, se nuk do ta keqpërdorin fuqinë e tyre për imponimin e padrejtësive të radhës ndaj Kosovës dhe përkundër arritjes së marrëveshjeve, nuk do të këmbëngulin edhe në të ardhmen, për shtyrjen e zbatimit të pikave të marrëveshjes në terren, si dhe nuk do të paraqesin kërkesa të reja, për lëshime tjera të dëmshme ndaj Serbisë hegjemoniste, siç është vepruar në të kaluarën, për targat ilegale të lëshuara nga Serbia, njohjen e dokumenteve, funksionimin e strukturave paralele serbe etj, dhe siç po veprohet edhe aktualisht me kërkesat për shtyrjen e kyçjes së sistemit paralel të arsimit dhe shëndetësisë paralele të Serbisë në sistemin shtetëror të Kosovës, pa marrë parasysh nga kush kërkohen ato, Kosova nuk duhet të pranojë të bëhet mashë e bisedimeve të mëtejme konspirative nga të cilat rrezikohet seriozisht dhe pariparueshëm shtetësia dhe struktura e rregullimit të brendshëm shtetëror të vendit tonë.
Serbia hegjemoniste, duke refuzuar publikisht edhe në prani të ndërmjetësuesve të BE-së dhe faktorit ndërkombëtar ballafaqimin me të kaluarën e saj kriminale, dhe “Paktin për Paqe” me Kosovën, e njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës, si dhe duke ndërhyrë vazhdimisht në çështjet tona të brendshme e atakuar në vijimësi rregullimin tonë shtetëror, jo vetëm se po bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet e BE-së, por po ekspozohet publikisht si rrezik permanent për vendin tonë, si dhe po minon të gjitha përpjekjet për paqe, duke ua humbur kuptimin edhe takimeve dhe vet dialogut ndërmjet të dy shteteve, të ndërmjetësuara nga BE”.
Ndër të tjera, analisti shtoi se, duke u mbështetur në ato më lartë, nuk pritet të ketë bisedime serioze nëse nuk ndryshohet qasaj e Serbisë.
Për këtë, kërkoi nga Kosova të avancojë standardin e bisedimeve dhe t’i forcojë me argumente pozitat e saj në këtë process.
“Në këtë mënyrë nuk mund të zhvillohen bisedime serioze as të arrihet kurrfarë marrëveshje për paqe, kështu që Kosova para se të rifillojë me dialogun duhet të startojë me avancimin e standardit të bisedimeve dhe t’i forcojë me argumente pozitat e saj në negociata, të cilat i ka të bollshme dhe të kudo-gjetshme, e vetëdijshme se nuk guxon për asnjë çmim ta marrë serish mbi vete rrezikun publik, që të bëhet vegël e eksperimentimeve të vazhdueshme të elementeve proserb brenda BE-së, të cilët nuk ia duan të mirën vendit tonë dhe shprehin hapur tendencat për dobësimin e rregullimit tonë të brendshëm shtetëror deri në përmasa fatale të mos funksionalizimit të shtetësisë e shkërmoqje totale të pavarësisë dhe devalvim të llojit, sa që të mos ketë më arsye të na njoh kush si shtet i pavarur, as të na pranojnë në organizatat ndërkombëtare ku ende nuk jemi anëtarësuar dhe me nënshkrimin tonë të vendosur me apo pa vetëdije në marrëveshje e dokumentet valide ndërkombëtare, vetvetiu të shndërrohemi në shtet plotësisht jofunksional, sa të mos i plotësojmë më as kushtet elementare për pranim në NATO, BE dhe në OKB, ngase kjo do të ishte vetëvrasje me dorën tonë, akt të cilin mezi e pret Serbia fashiste”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.
