Fuqizimi i AfD-së në Gjermani – çfarë mund të sjellë për Kosovën?
Fuqizimi i partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) duhet të shihet me shqetësim nga Kosova, sepse kjo parti mban qëndrime dukshëm më pak të favorshme ndaj shtetësisë së Kosovës, integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor dhe pranisë ndërkombëtare të institucioneve të sigurisë në vend.
Sondazhet e shtatorit 2026 e nxjerrin AfD-në forcën më të madhe politike në Gjermani, me rreth 27–29 për qind, përpara CDU/CSU-së. Megjithatë, ajo vazhdon të mbetet jashtë Qeverisë federale, për shkak të refuzimit të partive të tjera për të bashkëqeverisur me të.
Për Kosovën, fuqizimi i saj mund të ketë këto pasoja:
– Dobësim të mbështetjes politike gjermane për Kosovën. AfD ka përdorur edhe termin mohues “shtet i rremë” për Kosovën dhe ka promovuar qëndrime që përputhen në masë të konsiderueshme me narrativën shtetërore serbe.
– Mbështetje më të madhe për kërkesat e Serbisë. AfD ka kërkuar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, si dhe status të veçantë jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës për kishat dhe manastiret ortodokse serbe. Një qasje e tillë mund ta cenojë karakterin unitar dhe rendin kushtetues të Kosovës.
– Pengim të integrimit evropian. AfD kundërshton anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe propozon vetëm një lloj “partneriteti të privilegjuar”. Në qershor 2026, një drejtues i saj e kundërshtoi përsëri përfshirjen e Kosovës në zgjerimin e BE-së.
– Rrezik për praninë gjermane në KFOR. Në votimin e Bundestagut të 11 qershorit 2026, të gjithë deputetët e pranishëm të AfD-së votuan kundër vazhdimit të misionit të Bundeswehr-it në Kosovë. Kjo është veçanërisht shqetësuese, sepse prania gjermane në KFOR ka rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
– Afërsi më e madhe politike me Rusinë. Qëndrimet e AfD-së kundër sanksioneve ndaj Rusisë dhe kundër mbështetjes ushtarake për Ukrainën mund të forcojnë, në mënyrë të tërthortë, edhe pozitën e Serbisë dhe ndikimin rus në Ballkan. Kjo do ta dobësonte politikën perëndimore të frenimit të destabilizimit në rajon.
– Politikë më e ashpër ndaj emigrantëve. Qytetarët e Kosovës dhe diaspora shqiptare në Gjermani mund të përballen me kufizime më të mëdha në migrim, bashkim familjar, punësim dhe integrim, si dhe me shtim të gjuhës diskriminuese ndaj të huajve.
Megjithatë, duhet bërë një dallim i rëndësishëm: forcimi elektoral i AfD-së nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e politikës shtetërore gjermane ndaj Kosovës. Për sa kohë AfD mbetet jashtë Qeverisë federale, ajo mund të ndikojë në debatin publik dhe t’i shtyjë partitë e tjera drejt qëndrimeve më nacionaliste, por nuk mund ta ndryshojë vetë njohjen e Kosovës, mandatin e KFOR-it apo politikën e jashtme gjermane.
Rreziku real do të rritej nëse AfD do të hynte në Qeverinë federale ose do të bëhej aq e fuqishme sa të kushtëzonte shumicat parlamentare.
Nëse AfD-ja do të bëhej pjesë e Qeverisë gjermane, Gjermania mund ta zvogëlonte mbështetjen politike dhe ushtarake për Kosovën, t’u jepte më shumë hapësirë kërkesave të Serbisë dhe ta pengonte rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky rrezik bëhet edhe më serioz me fuqizimin e partive të djathta nacionaliste në vende të tjera evropiane. Nëse këto parti hyjnë në qeveritë kombëtare, Kosova mund ta humbasë gradualisht përkrahjen e disa shteteve evropiane për njohje të reja, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, integrim në BE dhe mbrojtjen e sigurisë së saj. Një zhvillim i tillë do ta forconte pozitën e Serbisë dhe të aleatëve të saj, ndërsa do ta dobësonte mbështetjen e përbashkët evropiane për shtetësinë e Kosovës.
Si mund ta ruajë Kosova mbështetjen perëndimore?
Megjithatë, ruajtja e mbështetjes perëndimore për shtetësinë e Kosovës varet eskluzivisht nga serioziteti, funksionaliteti dhe besueshmëria e institucioneve shtetërore të vendit.
Kosova mund ta ruajë dhe ta forcojë mbështetjen e Perëndimit nëse i konstituon dhe i bën plotësisht funksionale institucionet shtetërore, respekton rendin kushtetues, mbron pa dallim të drejtat themelore të njeriut dhe garanton të drejtat e komuniteteve joshumicë. Po aq e rëndësishme është që institucionet e Kosovës ta luftojnë me vendosmëri krimin e organizuar, korrupsionin, nepotizmin dhe dukuritë e tjera negative, duke e zbatuar ligjin në mënyrë të barabartë ndaj të gjithëve, pa ndikime dhe pa përzgjedhje klanore apo politike.
Një shtet me institucione të qëndrueshme, drejtësi të pavarur, administratë profesionale dhe udhëheqje të përgjegjshme është partner më i besueshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian. Prandaj, mbrojtja më e fuqishme e Kosovës përballë ndryshimeve politike në Evropë është ndërtimi i një aparati shtetëror demokratik, funksional dhe kredibil, i cili gëzon besimin e qytetarëve te vet dhe të aleatëve përëndimorë.
