TË FUNDIT

Gashi: Albin Kurti përballë fabrikës së insinuatave

Kjo qeveri nuk është një rastësi politike. Ajo është produkt i vullnetit të qytetarëve, i konfirmuar tre herë në zgjedhje — një legjitimitet që në vetvete përbën një mandat të qartë për ndryshim.

Por për ta gjykuar drejt këtë qeveri, duhet fillimisht ta kuptojmë terrenin mbi të cilin ajo ka hyrë në lojë.

1. TRASHËGIMIA: NJË SHTET I DËMTUAR NË THELB

Kjo qeveri nuk e mori pushtetin në një realitet neutral. Ajo e trashëgoi:

një shtet të kapur institucionalisht,

një ekonomi të dëmtuar nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi,

një sistem drejtësie të brishtë dhe të politizuar,

dhe një administratë të fragmentuar, shpesh më shumë në shërbim të interesave private sesa publike.

Në këto rrethana, çdo analizë që e injoron këtë pikënisje është jo vetëm e mangët, por e pavërtetë dhe e padrejtë .

2. KONTEKSTI GLOBAL: KRIZA SI NORMË, JO SI PËRJASHTIM

Sikur të mos mjaftonte trashëgimia e brendshme, kjo qeveri u përball edhe me një realitet ndërkombëtar të jashtëzakonshëm:

një pandemi globale që paralizoi ekonomitë dhe sistemet shëndetësore,

një luftë në Evropë që destabilizoi sigurinë dhe tregjet energjetike,

një krizë energjetike që goditi drejtpërdrejt çdo familje dhe biznes,

dhe tensione të vazhdueshme në veriun e Kosovës, veçanërisht me strukturat paralele si Lista Serbe.

Këto nuk janë rrethana normale — janë prova të jashtëzakonshme për çdo qeveri, kudo në botë.

3. QEVERISJA NË KRIZË: MES PRESIONIT DHE VENDIMMARRJES

Të qeverisësh në kushte të tilla do të thotë:

të marrësh vendime të vështira dhe shpesh jopopullore,

të ruash stabilitetin institucional përballë sabotimeve të brendshme dhe presioneve të jashtme,

dhe njëkohësisht të mos humbasësh besimin e qytetarëve.

Kjo është e krahasueshme me drejtimin e një anijeje të dëmtuar në një oqean të trazuar — ku çdo gabim mund të jetë fatal.

4. REZULTATET: MBIJETESË DHE REZISTENCË AKTIVE

Pavarësisht kushteve të pamundura:

shteti nuk u kolapsua,

krizat u menaxhuan pa pasoja katastrofike,

u ruajt një nivel i kënaqshëm stabiliteti politik dhe institucional,

dhe u përballën dhe dëbuan strukturat destabilizuese brenda dhe jashtë vendit.

Kjo nuk është thjesht “mbijetesë” — është një formë rezistence aktive në kushte tepër të pafavorshme.

5. KRAHASIMI I DOMOSDOSHËM: STANDARD I DYFISHTË APO ANALIZË E DREJTË?

Pyetja thelbësore është: Cili nga paraardhësit e Albin Kurtit ka operuar në kushte kaq të vështira dhe ka arritur të ruajë stabilitetin pa u dorëzuar?

Nëse ata nuk kanë një përgjigje të sinqertë në këtë pyetje, atëherë të paktën duhet ta kritikojnë në mënyrë më të matur dhe më të ndershme.

6. HIPOTEZA E MUNGUAR: ÇFARË PERFORMANCE DO TË KISHTE KJO QEVERI NË KUSHTE NORMALE?

Një dimension që shpesh anashkalohet është potenciali: Si do të dukej performanca e kësaj qeverie në një situatë të qetë, pa kriza globale dhe pa barrën e trashëgimisë?

Kjo pyetje nuk është justifikim — është një kërkesë për analizë më të thellë dhe më të balancuar.

7. PËRFUNDIMI: MBËSHTETJA E MERITUAR SI ZGJEDHJE RACIONALE

Mbështetja ndaj kësaj qeverie, në këtë kontekst, nuk është domosdoshmërisht çështje emocioni apo ideologjie, por një qëndrim racional:

duke marrë parasysh pikënisjen,

duke analizuar rrethanat,

dhe duke vlerësuar rezultatet reale, jo ideale.

Nga ana tjetër shpresa për një të ardhme më të mirë lidhet jo vetëm me performancën e brendshme, por edhe me zhvillimet globale, më saktë me një botë më të qëndrueshme, ku vendimmarrja nuk dominohet nga krizat dhe konfliktet.

Në fund, një analizë e drejtë nuk fillon me paragjykime, por me kujtesë.

Dhe kujtesa është ajo që ndan kritikën e ndershme nga propaganda.

Ajo që po ndodh prej kohësh në skenën tonë mediatike dhe politike nuk është më kritikë e mençur ndaj Albin Kurtit, që bazohet në fakte të pamohueshme, por një simptomë e qartë e një kulture politike dhe mediatike të deformuar, primitive dhe dashakeqe.

Opozita – së bashku me një rrjet portalesh hibride që funksionojnë si zgjatim propagandistik i saj – është zhytur në një fazë obsesive, në kërkimin e ethshëm të një “njollë” në biografinë dhe karakterin e Albin Kurtit, qoftë edhe nën lupën e mikroskopit.

Por ky kërkim i njollës së tij inekzistete nuk është as racional, as i mbështetur në standarde të mirëfillta analitike apo etike. Përkundrazi, ai i ngjan një operacioni të dëshpëruar, ku “mikroskopi” nuk përdoret më për ta zbuluar të vërtetën, por për ta fabrikuar atë që në realitet nuk ekziston.

Dhe pikërisht këtu nis problemi themelor:

Aty ku mungojnë faktet, vendin e tyre e zënë insinuatat; aty ku dështojnë argumentet, ato zëvendësohen me shpifje; aty ku realiteti nuk përshtatet me narrativat e falsifikuara, ai shtrembërohet.

Nga këndvështrimi psikologjik, kjo sjellje e krerëve të opozitës dëshmon një kombimim të frikës me inferioritetin e tyre politik.

Kur Albin Kurti perceptohet nga publiku si materialisht i pakorruptueshëm dhe moralisht i paprekshëm, mekanizmi mbrojtës i kundërshtarëve të tij politik shndërrohet në një sulm irracional.

Ata nuk përballen më me ide, por synojnë rrëzimin e imazhit të tij pa zgjedhur mjete – sepse besojnë se vetëm në këtë mënyre mund ta rrëzojnë nga pushteti.

Nga perspektiva sociologjike, kemi një përplasje mes dy realiteteve:

Mes një shoqërie që po e zhvillon gradualisht një ndjeshmëri më të hollë ndaj autenticitetit dhe një opozite të konsumuar që vazhdon të operojë me metoda të vjetra manipulimi.

Problemi për këtë të fundit është i thjeshtë: publiku nuk është më aq i manipulueshëm sa dikur.

Shqiptarët – sidomos ata që nuk janë të kapur nga interesat klienteliste – e ndiejnë instinktivisht kur diçka është e sajuar, kur një narrativë imponohet me forcë dhe kur një sulm ka prapavijë të errët.

Në planin mediatik, fenomeni i portaleve hibride është veçanërisht shqetësues. Këto platforma propagandistike nuk funksionojnë më si media në kuptimin klasik të fjalës, por si instrumente për prodhimin e mjegullës informative.

Ato nuk synojnë të informojnë, por të turbullojnë; nuk synojnë të ndriçojnë, por të relativizojnë dhe nuk synojnë ta dallojnë të mirën nga e keqja por ta barazojnë.

Në këtë kuptim, propaganda e tyre merr shpesh forma primitive, të tejdukshme dhe në fund vetëdiskredituese.

Ironia më e madhe, megjithatë, qëndron diku tjetër:

Ndërsa këto media hibride përpiqen me ngulm të zbulojnë apo shpikin “njolla mikroskopike” në biografinë dhe karakterin e Albin Kurtit, ato harrojnë – ose shtiren sikur harrojnë – se opinioni publik i sheh shumë qartë “njollat makroskopike” në biografitë e atyre që i paguajnë për të trilluar.

Dhe këto nuk janë gabime të vogla apo dobësi njerëzore, por shpesh kapituj të tërë dështimesh politike, aferash, korrupsioni dhe kompromisesh me fatin e popullit dhe shtetit për interesat e tyre të ngushta.

Nga këndvështrimi politik-strategjik, kjo qasje i ngjan një vetëvrasjeje të ngadaltë.

Liderët e partive opozitare në vend që të reflektojnë mbi arsyet e humbjeve të partive të tyre banda dhe të ndërtojnë alternativa të besueshme, ata vazhdojnë të investojnë energji në metoda që publiku tashmë i ka refuzuar.

Sepse zgjedhjet e fundit nuk ishin thjesht një rezultat elektoral – ato ishin një mesazh. Një thirrje për ndryshim në qasje, në diskurs dhe në moralin politik.

Por kur një opozitë që ka humbur bindshëm refuzon të mësojë, ajo nuk stagnon – ajo degjeneron.

Dhe kështu, ajo që po shohim sot është një proces i qartë i vetëfundosjes së saj.

Sepse sa më shumë që krerët e opozitës dhe mediat e tyre hibride mbështeten në metoda të diskredituara, aq më thellë zhyten në humbjen e besimit publik.

Meqenëse ata futen në një rreth vicioz, ku propaganda prodhon mosbesim – dhe ku mosbesimi prodhon edhe më shumë propagandë.

Në fund, pyetja nuk është më nëse këto taktika do të funksionojnë – sepse tashmë është e qartë se nuk funksionojnë.

Pyetja e vërtetë është: sa thellë janë të gatshëm krerët e opozitës dhe partitë e tyre banda të bien në humnerë, para se ta kuptojnë se problemi nuk qëndron te kundërshtari që e sulmojnë, por tek kalbja e tyre etike dhe morale me të cilën nuk dëshirojnë të përballen, por të ikin nga ajo si djajtë nga kryqi ?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *