OPINIONTË FUNDIT

Tri formula për pushtetin pas zgjedhjeve, politologu tregon opsionin më të mundshëm

Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare është duke vazhduar.

Nga rezultatet preliminare të publikuara nga KQZ, nga 36. 23 për qind e votave, deri më tani Lëvizja Vetëvendosje vazhdon epërsinë me 40.30% apo 101,848 vota, ajo pastaj pasohet nga PDK me 19.83% apo 50,126 vota, LDK me 15. 52 % apo 39,228 vota dhe AAK me 6.59% apo 16,648 vota.

Politologu Ramadan Gjanaj, për “Bota sot” ka përmendur skenarë të mundshëm nga rezultatet e deri tanishme, që sipas tij , janë tri të mundshëm.

“Zgjedhjet e 7 qershorit konfirmuan, siç pritej, LVV-në si forcën e parë politike në vend, por nuk prodhuan një shumicë të qartë, gjë që ishte po ashtu e parashikueshme, e aftë të qeverisë e vetme dhe të zgjidhë çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Për rrjedhojë, disa skenarë mbeten të mundshëm. Skenari i parë është formimi i një qeverie të udhëhequr nga LVV-ja me mbështetjen e partive që përfaqësojnë komunitetet pakicë. Ky është ndoshta opsioni më natyror nga pikëpamja elektorale, pasi LVV-ja ka dalë forca e parë. Megjithatë, një formulë e tillë mund të rezultojë e pamjaftueshme për të garantuar shumicat e nevojshme në votimet më të rëndësishme institucionale, veçanërisht për zgjedhjen e Presidentit të Republikës”.

“ Skenari i dytë është arritja e një marrëveshjeje më të gjerë ndërmjet LVV-së dhe njërit prej partive kryesore opozitare, në veçanti LDK-së. Një zgjidhje e tillë do të sillte më shumë stabilitet institucional dhe do ta lehtësonte zgjedhjen e presidentit, por do të kërkonte lëshime të rëndësishme politike nga të dyja palët. Skenari i tretë është krijimi i një koalicioni të partive opozitare me qëllim pengimin e LVV-së për të ruajtur pushtetin. Një aleancë e tillë mund të dispononte teorikisht një shumicë parlamentare, por do të përballej me dallime programore dhe rivalitete të rëndësishme politike. Për më tepër, një koalicion i tillë do të gjendej përballë të njëjtit problem si skenari i parë, përkatësisht vështirësisë për të zgjedhur presidentin e ri”.

“ Së fundi, nuk duhet përjashtuar as mundësia e një bllokimi të zgjatur institucional. Nëse nuk arrihet kompromis për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, Kosova mund të gjendet në një situatë pak a shumë të ngjashme me atë që çoi në organizimin e zgjedhjeve të 7 qershorit. Përtej këtyre skenarëve, duhet theksuar një realitet më strukturor: këto zgjedhje, ashtu si ato të mëparshmet, nuk sjellin në vetvete një zgjidhje për problemet institucionale të Kosovës. Qytetarët kanë përcaktuar sërish forcën e parë politike, por pa i dhënë asaj një shumicë të mjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe për të kapërcyer bllokadat institucionale. Në këtë kontekst, sistemi proporcional nuk është problem në vetvete. Ai thjesht e bën të domosdoshme një kulturë kompromisi, të cilën aktorët politikë në Kosovë ende e kanë të vështirë ta zbatojnë në mënyrë të qëndrueshme. Në këtë aspekt, sisteme të ngjashme ekzistojnë edhe në Evropë, veçanërisht në Belgjikë dhe sidomos në Rajonin e Brukselit, ku formimi i koalicioneve është një kusht normal i funksionimit institucional”, shprehet Gjanaj.

Ai flet rreth asaj sesi mund të veprojnë partitë politike pas certifikimit të rezultateve të KQZ-së, që sipas tij, është thelbësore të bëhet negociata për postin e presidentit, negociata këto që sipas Gjanajt do të duhej të bëheshin që pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.

“LVV-ja me shumë gjasë do të përpiqet të vërë në pah legjitimitetin e saj si partia e parë në vend dhe do të tentojë para së gjithash të krijojë një shumicë rreth vetes. Qëllimi i saj do të jetë të bindë partnerët e mundshëm se bashkëpunimi është më i dobishëm sesa një periudhë e re e paqëndrueshmërisë institucionale. Nga ana tjetër, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja do të duhet të zgjedhin mes dy qasjeve: ose të mbeten në një logjikë opozite ndaj qeverisë Kurti, ose të favorizojnë një zgjidhje kompromisi për të garantuar funksionimin normal të institucioneve. LDK-ja ndodhet në një pozitë veçanërisht strategjike. Vendimi i saj mund të jetë përcaktues për krijimin e një shumice të qëndrueshme dhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Kështu, ajo mund të shndërrohet në aktorin kyç të negociatave në javët që vijnë. Përtej strategjive partiake, mbetet një çështje thelbësore: ajo që duhej të ishte bërë menjëherë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025 do të duhet të bëhet tani, pas këtij procesi të ri zgjedhor. Përsëritja e zgjedhjeve tregon se problemi nuk është vetëm elektoral, por edhe institucional dhe politik. Kosova nuk vuan nga mungesa e legjitimitetit demokratik, por nga vështirësia e vazhdueshme për t’i shndërruar rezultatet e zgjedhjeve në kompromise të qëndrueshme qeverisëse”, thekson politologu.

Formula më e mundshme, sipas Gjanajt, mbetet një qeveri e udhëhequr nga LVV, ndërsa një bashkëpunim mes LVV-së dhe LDK-së edhe pse politikisht i vështirë, nga pikëpamja institucionale është një nga zgjidhjet më koherente.

“Në këtë fazë, një koalicion duket pothuajse i pashmangshëm, pasi asnjë parti nuk i ka e vetme numrat e nevojshëm për të qeverisur në mënyrë të qëndrueshme. Formula më e mundshme mbetet një qeveri e udhëhequr nga LVV-ja me mbështetjen e përfaqësuesve të komuniteteve pakicë dhe, eventualisht, të partnerëve të tjerë parlamentarë. Megjithatë, për të zgjidhur në mënyrë afatgjatë çështjen presidenciale, duket i nevojshëm një konsensus më i gjerë. Një bashkëpunim ndërmjet LVV-së dhe LDK-së mbetet politikisht i vështirë, por nga pikëpamja institucionale është një nga zgjidhjet më koherente. Ai do të siguronte një shumicë më të qëndrueshme dhe do të mundësonte trajtimin më të qetë të sfidave institucionale që e presin vendin, veçanërisht zgjedhjen e Presidentit të Republikës”, shton Gjanaj.

Matematikisht i mundëshëm është edhe një koalicion PDK, LDK, AAK, thotë Gjanaj, por vështirë i qëndrueshëm.

Në fund, sipas Gjanajt, pavarësisht se cili koalicion do të formohet, qëndrueshmëria e tij do të varet nga aftësia për të arritur marrëveshje mbi çështjet themelore, veçanërisht mbi angazhimet që burojnë nga dialogu i Brukselit dhe i Ohrit dhe zbatimi i tyre.

“ Në anën tjetër, një koalicion ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AAK-së është matematikisht i mundshëm, por qëndrueshmëria e tij do të varej nga aftësia e tyre për të kapërcyer dallimet dhe për të paraqitur një projekt të përbashkët politik. Megjithatë, çështja nuk kufizohet vetëm në formimin e një shumice parlamentare. Sfida e vërtetë do të jetë qëndrueshmëria e saj. Një koalicion që arrin të zgjedhë qeverinë, madje edhe presidentin e Republikës, do të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse partnerët bien dakord për çështjet kryesore strategjike me të cilat përballet Kosova. Ndër këto çështje përfshihen vazhdimi i dialogut me Serbinë, zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në vitin 2023, si dhe në veçanti çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këto tema vazhdojnë të strukturojnë thellësisht ndarjet politike të brendshme dhe përbëjnë një provë të rëndësishme për çdo koalicion qeverisës. Pa një minimum besnikërie politike ndërmjet partnerëve të koalicionit dhe pa një marrëveshje të qartë për këto çështje themelore, ekziston rreziku që të përsëriten të njëjtat bllokada institucionale që kanë çuar në zgjedhje të parakohshme të njëpasnjëshme. Në fund të fundit, çështja qendrore nuk është më vetëm formimi i qeverisë së ardhshme. Sfida e vërtetë është ndërtimi i një shumice politike mjaftueshëm të gjerë dhe koherente për t’i dhënë fund krizës institucionale që vazhdon prej muajsh””.

“Zgjedhjet e 7 qershorit nxorën një fitues, por jo një shumicë qeverisëse. Partitë politike ndodhen tani përballë një përgjegjësie historike: ta nxjerrin Kosovën nga nyja gordiane në të cilën është futur gradualisht për shkak të mungesës së dialogut dhe qëndrimeve të ngurta politike. Nëse duhet nxjerrë një mësim nga këto tri zgjedhje të njëpasnjëshme, ai është se asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë të qeverisë e vetme apo të imponojë e vetme zgjidhjet e saj. Stabiliteti i Kosovës do të kalojë domosdoshmërish përmes kulturës së kompromisit dhe krijimit të një koalicioni mjaftueshëm të fortë për të garantuar si qeverisjen efektive të vendit, ashtu edhe stabilitetin e institucioneve. Më lejoni të insistoj në këtë aspekt, sepse Belgjika, dhe veçanërisht Rajoni i Brukselit, funksionon gjithashtu sipas një sistemi proporcional, i cili rrallëherë lejon ushtrimin e pushtetit nga një parti e vetme. Përvoja jonë tregon se kompromisi nuk është shenjë dobësie politike, por një domosdoshmëri demokratike. Në sistemet pluraliste, stabiliteti nuk buron nga dominimi i një kampi politik mbi tjetrin, por nga aftësia për të ndërtuar marrëveshje të qëndrueshme. Së fundi, pavarësisht se cili koalicion do të formohet, qëndrueshmëria e tij do të varet nga aftësia për të arritur marrëveshje mbi çështjet themelore, veçanërisht mbi angazhimet që burojnë nga dialogu i Brukselit dhe i Ohrit dhe zbatimi i tyre. Pa një vizion të përbashkët për këto angazhime dhe pa besnikëri politike ndërmjet partnerëve, është e vështirë të imagjinohet një koalicion që mund të përfundojë një mandat të plotë katërvjeçar. Sfida e Kosovës nuk është më vetëm formimi i një qeverie, por ndërtimi i një shumice të aftë për të qeverisur në mënyrë të qëndrueshme”, përfundon politologu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *