OPINIONTË FUNDIT

Abdixhiku para se të takohej me Kurtin, e kishte blerë drynin!

Tërë natën nuk kishte fjetur. Ishte i detyruar të shkonte në takim. Nuk i duheshin as katër, e as pesë ministri. Nuk i duhej as posti i Ministrit të Punëve të Jashtme e as i nën kryeministrit.

I vetmi kusht që mund ta pranonte ishte: Ti afrohej posti i presidentit. Gjithçka më pak, nuk vinte në shprehje. Çdo tentativë tjetër ishte baras me zero.

Ai e dinte se Kurti për postin e presidentit, kishte vënë kushte. Presidenti nuk duhej të ishte figurë e pajisur me poste të larta politike. Këtë e kishte të qartë Abdixhiku, prandaj e kishte ofruar dorëheqjen e kryetarit të LDK.

Dorëheqja i ishte refuzuar. Kjo në njërën anë e bënte krenar, po në anën tjetër i hapte hendekun. Këtë nuk e kishin të gjithë të qartë. Fati i LDK ishte tërësisht në dorën e tij. Këtë e dinte se e kishte mision.

E kishte amanet nga ish kryetari Rugova. Po sakrifikohej për LDK dhe nëse do të mbetej pa post të presidentit. Këtë do ta bëjë, vetëm nga dashuria që kishte për LDK.

Kurti si duket i dinte të gjitha këto dhe sot publikisht, para opinionit ia punoi. Para mediave, para qendrave televizive, para organeve shtetërore dhe para qytetarëve deklaroi se Abdixhukut ia ofroi 4, 5 ministri, postin e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe postin e nën kryeministrit.

Kjo nënkuptonte se i ofroi bashkëqeverisje. Shqip kjo kuptohej se Kurti i ofroi të bënin koalicion, ta ndanin pushtetin. LVV e kishte fituar pushtetin me 51 përqindje të votave, kurse LDK me 12 përqindje dhe ta ndanin pushtetin! Kurti vetëm sa nuk i tha Abdixhikut: Unë i kam fituar zgjedhjet, por pushtetin, të tërin, po ta dorëzoi ty.

Ishte e pritshme, Abdixhiku të gjitha këto do ti refuzonte dhe ashtu veproi. S’kishte zgjidhje tjetër. Në takim i duhej të shkonte se përndryshe do të bombardohej nga opinioni. Rezultati i takimit për te ishte i njohur, patjetër i duhej ta refuzonte.

Kjo gjasonte sikur pyetja hamletiane, të jesh apo të mos jesh, apo proverbi shqip, zbrit se të vrava, hip se të vrava.

Epilogu përfundimtar: Abdixhiku e bleu drynin që ta mbylli kështjellën e ngritur nga Rugova. Kushtet e Kurtit, ishin vetëvrasje politike për te.

Të shkohet në zgjedhje, që duket se janë të pashmangshme, e din se çfarë e pret, prandaj para se të ndodh katastrofa zgjedhore, e bleu drynin, më të madhin që e gjeti.

Çështja mbetet se si do ia vejë drynin kështjellës, me ceremoni, apo pa ceremoni. Për njërin variant duhet të përcaktohet. Koha nuk pret. Si duket ky mision është i rezervuar vetëm për Abdixhikun. Ai është misionar i kësaj kohe të trazuar. Zoti i ndihmoftë.

Mars – Rover (Satirë)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *