POLITIKATË FUNDIT

Rezultatet preliminare: Profesori zbërthen skenarin paszgjedhor, këto janë dy opsionet e koalicioneve për LVV-në

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare në faqen e tij zyrtare, duke u mundësuar qytetarëve dhe subjekteve politike të ndjekin në kohë reale ecurinë e numërimit të votave.

Sipas të dhënave të publikuara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje kryeson në garën zgjedhore me numrin më të madh të votave të grumbulluara.

Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Mirëpo, të gjendur në këto rezultate, a do të kemi një bashkëpunim mes partive poliktike apo do të përballemi përsëri me një ngërç institucional?

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.

Profesori thekson se zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë ishin një dëshmi e pjekurisë demokratike dhe e organizimit efikas të procesit zgjedhor, ndërsa rezultatet tregojnë se, megjithëse Vetëvendosja ka pësuar një rënie krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, ajo mbetet forca kryesore politike në vend dhe vazhdon të ruajë epërsinë ndaj partive të tjera.

“Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë ishin një sukses i demokracisë në këtë vend. Edhe kësaj here Kosova dëshmoi se në organizimin dhe zhvillimin e fushatës si dhe të votimeve mbetet shkollë dhe shembull për vendet e tjera të rajonit tonë, sidomos për Shqipërinë dhe Serbinë. Kjo ishte dhe do të shlnohet si arritja më e madhe. Një vend, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nxjerr rezultatin paraprak për vetëm në tri orë pas mbylljes së procesit të votimit. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri, nuk ndodh as në Serbi, madje me probleme është ky proces edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Ndërkohë rezultatet zgjedhore janë shpallur për votat e drejtpërdrejta, por ende nuk janë numëruar votat me kush, ato me postë, si dhe të diasporës. Që do të thotë se rezultati mund të pësojë ndryshime të vogla. Ashtu si heret e tjera partia fituese është Vetëvendosja dhe koalicioni i saj dhe zoti Kurti. Më pas vijnë PDK, LDK, AAK dhe Lista Srpska. PDK dhe LDK rezulton të kenë më pak deputetë se sa në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dhe në të njëjtën masë ose pak më shumë (LDK) sesa në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2015. Kjo do të thotë se vërtet nuk është votuar ish-mazhoranca, VV, me mbi 60 përqind. Vërtet ajo nuk mori as 51.1 përqind sa kishte më 28 dhjetorin e kaluar. Po ka ama më shumë deputetë sesa kishte në votimet e 9 shkurtit 2025”, u shpreh ai.

Mospjesmarrja ishte pasojë e lodhjes me lojën politike të zgjedhjeve të njëpasnjëshme

Duke vazhduar bisedën profesori shpjegon që Vetëvendosja ka gjasa të sigurojë numrin e nevojshëm të deputetëve për formimin e qeverisë, por jo mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit, duke bërë që zgjedhjet të mos sjellin ndryshime të mëdha politike.

Ai thekson se pjesëmarrja më e ulët në votime ndikoi në këtë rezultat dhe mbështet idenë që shqiptarët të votojnë partitë e moderuara serbe që njohin shtetin e Kosovës, për të forcuar integrimin e serbëve në institucionet e vendit.

“Pritet që Vetëvendosja të ketë 51 ose 52 deputetë. Që do të thotë se ajo bashkë me pakicat joserbe dhe 1 deputet të pakicës serbe, të plotësojë kourumin për zgjedhjen e qeverisë dhe të kryesisë së Kuvendit. Ndërsa për zgjedhjen e presidentit Vetëvendosje nuk do të mund të kishte aq deputetë sa duhen, edhe nëse do të merrte mbi 55 përqind të votave. Kështu që zgjedhjet prodhuan thjesht stanjacion. Kjo ndodhi për shkak se pjesmarrja në votime ishte më e ulët diku me 8 përqind. Por 8 përqind mungesë e votuesve, do të thotë mbi 130 mijë më pak në votime. Mospjesmarrja ishte pasojë e lodhjes me lojën politike të zgjedhjeve të njëpasnjëshme. Ishte pasojë gjithashtu e kohës kur u zhvilluan zgjedhjet. (Në verë një numër shumë i madh i votuesve janë me pushime). Ishte pasojë e mungesës së diasporës në Kosovë, pasqë më 28 dhjetor dhjetëra mijë shqiptarë të diasporës votuan se ata u ndodhën në Prishtinë me pushime.

AAK ruajti rezultatin e 9 shkurtit dhe e rriti numrin në krahasim me 28 dhjetorin 2025. Edhe Lista Srpska mori të njëjtin numër deputetësh në të tri palët e zgjedhjeve. Lexova diku se Lista Srpska ka akuzuar partinë e Nenad Rashid se paska marrë votat e shqiptarëve për t’ua marrë një deputet atyre. Do të ishte mirë që partitë politike dhe politikanët shqiptarë të bënin herë tjetër fushatë të hapur që shqiptarët të votonin me numër të madh për atë subjekt politik të pakicës serbe, i cili e njeh dhe respekton shtetin dhe ligjin në Kosovë. Në fund të fundit shqiptarët dhe serbët kanë të drejtë të votojnë kë të duan, mjafton që subjekti politik të jetë i regjistruar në Kosovë. Kjo do t’i integronte serbët në instirucionet e Kosovës. Nuk dëmtohen partitë shqiptare pse psh 50 mijë shqiptarë votojnë partinë e moderuar të pakicës serbe, e cila pranon pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës”, shpjegoi profesori.

Kurti është i detyruar të bëjë koalicion qeverisës me PDK-në ose LDK-në

Në fund profesori përfundon për të shmangur bllokimin institucional, Vetëvendosja duhet të arrijë një marrëveshje koalicioni me PDK-në ose LDK-në dhe të tregojë që në fillim gatishmërinë për kompromis në formimin e institucioneve.

“Megjithatë unë shoh se me këtë rezultat zgjedhie do të përsëriten skenarët e paszgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kurti është i detyruar të bëjë koalicion qeverisës me PDK-në ose LDK-në. Madje të lëshojë edhe postin e presidentit për njërën nga këto dy parti. Por sigurisht duke diskutuar paraprakisht për emrin e propozuar. Për Kurtin do të jetë më lehtë të bënte marrëveshje me LDK-në, nëse nuk do të ishte nominuar Vjosa Osmani si kandidate për presidente. Ndaj dhe kam përshtypjen se do të preferojë Bedri Hamzën. Megjithatë do të shohim. Për mua ka rëndësi që Vetëvendosje dhe Kurti të jenë të qartë që në fillim. Të shprehet se çfarë preferon dhe për çfarë është i gatshëm të bëjë kompromis. Nuk duhet shkuar në fund të procesit përt’i thënë opozitës “Jepni ju propozimet tuaja”!

Fillimisht do të zgjidhet kryesia e Kuvendit.Pas kësaj duhet bërë marrëveshja e koalicionit dhe më pas nuk ka rëndësi se kush vjen në radhë për t’u zgjedhur, presidenti apo qeveria. Mazhoranca dhe opozita duhet kësaj radhe të evitojnë me çdo kusht dështimin në formimin e institucioneve”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *