BE-ja nis zbatimin e standardit “Euro 7”, ja cka do te thote kjo per ju!
Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin e standardit të ri të emetimeve “Euro 7”, i cili sjell kërkesa të reja për automjetet e reja, duke përfshirë jo vetëm gazrat shkarkues, por edhe ndotjen nga konsumimi i frenave dhe gomave.
Rregullat e reja kanë nisur të zbatohen nga 29 nëntori 2026 për modelet e reja të makinave dhe furgonëve, ndërsa nga 29 nëntori 2027 do të jenë të detyrueshme për të gjitha automjetet e reja të kategorive përkatëse që regjistrohen në BE. Makineritë që janë aktualisht në qarkullim nuk preken nga këto ndryshime, ndërsa kufijtë ekzistues të CO₂ nga marmita për makinat e lehta nuk ndryshojnë në mënyrë thelbësore.
Standardi “Euro 7” zgjeron kontrollin mbi ndotjen në të gjithë ciklin e përdorimit përmes disa rregullave kyçe:
Frenat dhe gomat: Vendosen kufij për grimcat e imëta nga konsumimi i frenave — deri në 7 miligramë për kilometër për sistemet konvencionale dhe 3 miligramë për kilometër fillimisht për automjetet plotësisht elektrike. Për gomat, të cilat konsiderohen burim i rëndësishëm mikroplastike, parashikohen teste dhe kërkesa për rritjen e qëndrueshmërisë.
Jetëgjatësia e baterive: Bateritë e makinave elektrike dhe hibride plug-in duhet të ruajnë të paktën 80% të kapacitetit fillestar pas pesë vitesh ose 100 mijë kilometrash, dhe të paktën 72% pas tetë vitesh ose 160 mijë kilometrash.
“Pasaporta Mjedisore e Automjetit”: Për blerësit krijohet një dokument i posaçëm me të dhëna për emetimet e CO₂, konsumin e karburantit dhe energjisë elektrike, jetëgjatësinë e baterisë dhe autonominë.
Prodhuesit pritet të përballen me kosto shtesë për përshtatjen me teknologjitë e monitorimit dhe komponentët që ulin ndotjen, ndërsa rregullat e reja synojnë të ofrojnë më shumë siguri për konsumatorët dhe ajër më të pastër.
