Nju Jorku njeh zyrtarisht 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, festimet mbahen në bashkinë e qytetit
Dita e Pavarësisë së Shqipërisë është festuar në ambientet e Bashkisë së Nju Jorkut, vetëm pak ditë pasi Këshilli Bashkiak miratoi Rezolutën 186, përmes së cilës 28 Nëntori njihet zyrtarisht si Dita e Pavarësisë së Shqipërisë në New York City.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale anëtarja e Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Amanda Farías, e cila bëri të ditur se kishte bashkëorganizuar aktivitetin festiv në Sallën e Këshillit Bashkiak.
Ajo vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në jetën kulturore të qytetit, duke theksuar se shqiptarët, nga Bronksi deri në lagjet e tjera të Nju Jorkut, kanë dhënë një kontribut të çmuar në pasurimin e identitetit dhe diversitetit kulturor të metropolit amerikan, transmeton Telegrafi.
Festimi u shoqërua me muzikë, valle, tradita shqiptare dhe atmosferë festive, ndërsa salla e Bashkisë u mbush me pjesëmarrës që shënuan së bashku festën më të rëndësishme kombëtare të shqiptarëve.
Miratimi i Rezolutës 186 përbën një vlerësim institucional për komunitetin shqiptar dhe historinë e tij, duke i dhënë 28 Nëntorit një njohje zyrtare në qytetin e Nju Jorkut. /Telegrafi/
