“Pa rrymë deri në 24 orë, por me fatura të plota” – Bajrami: Banorët e Hasit po diskriminohen dyfish
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike në fshatrat e Hasit, duke thënë se banorët e kësaj ane po përballen me mungesë të rrymës deri në 24 orë.
Në një reagim në Facebook, Bajrami ka thënë se kjo situatë është edhe më shqetësuese në kohën kur Kosova importon energji elektrike, ndërsa qytetarët e Hasit detyrohen të përballen me ndërprerje të gjata të furnizimit.
Sipas saj, këta banorë po diskriminohen në dy mënyra: fillimisht duke u lënë pa energji elektrike dhe më pas duke paguar, përmes tarifave të energjisë, edhe koston e importit të energjisë që shpenzohet nga konsumatorët e tjerë.
“Njëherë, duke i lënë pa energji elektrike, e pastaj duke ua ngarkuar përmes tarifave edhe koston e importit të energjisë që e shpenzojmë ne që s’kemi reduktime”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka rikujtuar edhe një deklaratë të mëhershme të kryeministrit Albin Kurti, sipas së cilës në Kosovë jetohet më mirë si qytetar i Republikës sesa si banor i një komune.
Ajo ka thënë se pikërisht si qytetarë të Republikës së Kosovës, të cilën Kurti e udhëheq prej gjashtë vjetësh, banorët e Hasit po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike që zgjasin deri në një ditë të plotë.
Deputetja e LDK-së ka theksuar se përgjegjësia për furnizimin me energji elektrike nuk u takon komunave, por institucioneve të nivelit qendror dhe operatorëve që veprojnë në këtë sektor.
“Pra, ta dimë ku jemi: furnizimi me energji është përgjegjësi e nivelit qendror dhe e operatorëve në këtë sektor, jo e komunave”, ka përfunduar Bajrami.
