NATO është e do të jetë aty dhe Kosova anëtare e saj!
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar tërheqjen e 5000 trupave ushtarake nga Gjermania, trupa të cilat gjenden aty thuajse që nga themelimi i NATO-s. Merz thotë se ky vendim ishte i pritshëm. Sa e njoh oponionin gjerman lidhur me këto trupa ushtarake, besoj se shumica e gjermanëve nuk i kanë dashur pas vitit 1990 trupat amerikane në vendin e tyre. Megjithatë në opinion kjo tërheqje amerikane nga Gjermania po interpretohet si “fundi i NATO-s” dhe gjithnjë e më shpesh flitet për një NATO europiane.
Ndërkaq vizita e Mbretit të Anglisë, Charles III, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmoi se NATO nuk shkatërrohet. Nëse tërhiqen amerikanët nga Gjermania dhe këto forca ushtarake të saj stacionohen diku në Europën Lindore ose Qendrore, kjo nuk do të thotë se NATO nuk do të ekzistojë. Përkundrazi, kjo mund ta forcojë Aleancën Atlantike. Se NATO do të jetë edhe në të ardjmen një realitet gjeopolitik euro-amerikan e transatlantik, këtë e provon gjithashtu fjala e Mbretit Charls në Kongresin Amerikan në 28 prillin e shkuar. Kur ai foli për domosdoshmërinë e forcimit të Aleancës Atlantike dhe solidaritetin e saj me Ukrainën për të përballuar agresionin rus në këtë vend, të gjithë anëtarët e Kongresit, liberalë ose konservatorë, u ngritën në këmbë dhe duartrokitën fjalën e Mbretit anglez.
Në atë fjalim monarku i fuqishëm përmendi faktin se NATO ka qenë e bashkuar shumë herë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të kërcënuara. Ndërhyrja në Afganistan pas tragjedisë së 11 shtatorit 2001 ishte argumenti më i qëlluar. Atëherë vendet anëtare të NATO-s u bashkuan pa hezitim dhe së bashku ndërmorën aksionin ushtarak në Afganistan, me qëllim që autorët e sulmit kundër dy kullave binjake të ndëshkoheshin. Por ka pasur edhe momente të tjera kur vendet e Aleancës kanë vepruar së bashku. Kosova është aksion shumë i rëndësishëm i veprimit të përbashkët të vendeve anëtare të saj. Nuk kundërshtuan të merrnin pjesë në bombardimet e NATO-s kundër Serbisë as vende të cilat patën miqësi tradicionale me Serbinë, si Greqia e Franca. Pa përmenduar raste të panumërta për të përballuar fatëkeqësi natyrore dhe për të ndalur aktet e terrorit në Afrikë apo gjetkë.
Kur monarku britanik përmendi faktin se NATO ishte aty kur Amerika kishte nevojë donte të demantonte narrativën e Donald Trump, sipas së cilës “Nuk na duhet një NATO, e cila nuk gjendet aty kur ne kemi nevojë për të”! Në këtë rast Charles kujtoi se jo çdo ndërhyrje ushtarake e SHBA-ve është e nevojshme dhe e domozdoshme, ndaj dhe vendimmarrja, tha ai merret sipas nenit 5 të Kartës së NATO-s, që do të thotë NATO është e do të jetë aty, nëse dikush ndërmerr një agresion kundër Amerikës ose ndonjë vendi tjetër anëtar të saj. Të gjitha këto u duartrokitën nga përfaqësuesit legjitim të sovranit amerikan. Çfarë do të thotë kjo? Se NATO ekziston dhe do të ekzistojë. Dhe se gjithçka që lëshon Donald Trump kundër saj është një lojë taktike e politikës amerikane, jo një strategji e saj. Në fund të fundit për ekzistencën se jo të Aleancës Atlantike vendimin e merr Kongresi dhe Senati, madje me 2/3 votave të tyre.
Edhe rezoluta e paraqitur në Kongresin Amerikan për anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO e dëshmon përkushtimin e legjislativit amerikan për ta forcuar Aleancën Atlantike dhe jo vetëm për ta mbrojtur Kosovën. Kjo do të thotë se në vëmendjen tonë duhet të jenë më shumë veprimet, sesa retorika politike. Tërheqja e ushtarake amerikane nga Gjermania do të ndodhte një ditë, sepse asgjë nuk ka të dhënë njëherë e përgjithmonë. Dhe kjo po ndodh pikërisht në këto kohë, kur Gjermania nuk rrezikohet. Madje pas bashkimit të të dy Gjermanive në vitin 1990 qëndrimi i forcave amerikane në këtë vend ka qenë krejt i panevosjshëm e dukej si një relike e Luftës së Ftohtë. Europa dhe NATO kanë nevojë që këto forca të përqëndrohen sa më afër vijës kufitare të Rusisë dhe jo në Perendimin Europian. Ndaj dhe largimi i forcave amerikane nga territori gjerman e ndoshta edhe ai Italian dhe spanjoll, nuk do të thotë automatikisht largim i SHBA-ve nga kontinenti europian e aq më pak asgjësim i NATO-s si aleanca më e madhe ushtarake dhe politike e globit, apo tjetërsimi i saj në një aleancë thjesht europiane.
Duke i lexuar kësisoj këto zhvillime, autoritetet vendimmarrëse në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të vijojnë me vendosmëri angazhimin e këtyre dy vendeve për plotësimin e obligimeve të NATO-s, sidomos sa i përket rritjes së buxhetit për mbrojtjen në parametrat që kërkon ajo. Tri përqind duhet të jetë minimumi për dy shtetet tona. Kosova, në përpjekjet e sa për anëtarësim duhet ta dëshmojë veten se i përmbahet plotësisht obligimeve të veta, duke e rritur buxhetin e mbrojtjes dhe sigurisë së saj në 4 ose 5 përqind të Produktit të Përgjithshëm Shoqëror. Polonia është modeli që duhet ndjekur. Ndërkohë që ajo duhet të dëshmojë përkushtim në të gjitha misionet ndërkombëtare ku merr pjesë.
