Zhvillimet e fundit, ish-deputetja e LVV-së: Bllokada e opozitës çoi në zgjedhje të pashmangshme
Ish-deputetja e Vetëvendosjes Drita Pajaziti, në një intervistë për ‘Bota sot’, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.
Ajo vlerëson se kriza në legjislaturën e fundit është shkaktuar kryesisht nga opozita, të cilën e akuzon për bllokim dhe mungesë vullneti për kompromis.
Sipas saj, kryeministri Albin Kurti ka bërë disa përpjekje konkrete për marrëveshje, përfshirë oferta për ndarje pushteti dhe propozime për president, por që janë refuzuar.
Mes tjerash, Pajaziti thekson se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk do të ishin të nevojshme nëse do të kishte bashkëpunim politik.
Në aspektin ekonomik, ajo përmend subvencionet për biznese, lehtësimin e kredive dhe mbështetjen për energji si masa që kanë ndikuar në zhvillim.
Në fund, ajo shprehet e bindur për mbështetjen qytetare dhe gatishmërinë për të kandiduar sërish në zgjedhjet e ardhshme.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Ju keni qenë deputete e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës. Si ka qenë rrugëtimi juaj drejt politikës dhe çfarë ju ka motivuar të angazhoheni publikisht?
Drita Pajaziti: Rrugëtimi im në politikë nuk ka qenë i rastësishëm, por i ndërtuar hap pas hapi nga angazhimi im i hershëm në komunitet dhe në nivel lokal. Fillimisht kam shërbyer si asambleiste, ku kam qenë shumë pranë qytetarëve dhe sfidave të tyre të përditshme. Ky përjetim i drejtpërdrejtë më ka formësuar bindjen se ndryshimi i vërtetë kërkon angazhim më të madh dhe vendimmarrje në nivele më të larta.
Më pas, kam pasur besimin e qytetarëve për të qenë deputete në Kuvendin e Kosovës, jo vetëm në legjislaturën e fundit, por edhe në legjislaturën e IX . Ky ka qenë një përgjegjësi e madhe, por edhe një mundësi për të adresuar çështje me rëndësi për vendin dhe për të përfaqësuar zërin e qytetarëve në institucionet më të larta.
Ajo që më ka motivuar vazhdimisht është ndjenja e përgjegjësisë ndaj qytetarëve dhe dëshira për të kontribuar në zhvillimin e vendit tonë. Besoj fuqishëm që politika duhet të jetë në shërbim të njerëzve, dhe kjo ka qenë shtysa kryesore që më ka mbajtur aktive dhe të përkushtuar në angazhimin tim publik.
“Bota sot”: Funksionimi i kësaj legjislature nuk shkoj ashtu siҫ duhej. Sipas juve, kush është fajtori për këtë situatë?
Drita Pajaziti: Nëse duhet të flasim hapur për përgjegjësinë, atëherë roli i opozitës në këtë situatë ka qenë bllokues. Gjatë gjithë kësaj periudhe, është parë qartë se opozita më shumë ka qenë e orientuar drejt zgjedhjeve sesa drejt gjetjes së një zgjidhjeje për te I dhene fund krizes.
Nga ana tjetër, Kryeministri Albin Kurti ka dëshmuar vazhdimisht gatishmëri për bashkëpunim. Ai ka qenë iniciator i takimeve ndërmjet partive politike, ka ftuar dhe ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të gjendet një kompromis.
Ai u ka kërkuar opozitës edhe propozime konkrete për Presidentin, duke tentuar ta bëjë procesin sa më gjithëpërfshirës. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë paraqitur asnje emer, por kanë insistuar në një marrëveshje politike paraprake si kusht për ecje përpara.
Megjithatë, në përpjekje për të gjetur zgjidhje, janë shqyrtuar edhe opsione konkrete kompromisi përfshirë mundësinë që Lidhja Demokratike e Kosovës të përfshihej në qeverisje me pozitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe katër ministri, ose alternativisht me postin e Kryetarit të Kuvendit, si dhe që Partia Demokratike e Kosovës të merrte drejtimin e Kuvendit. Pra, ka pasur hapësirë reale për marrëveshje, edhe kete e refuzuan.
Edhe pasi nuk u arrit dakordim, Kryeministri ka bërë një hap tjetër konkret duke u kërkuar : qe Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që të propozojnë tre emra për President, duke garantuar se shumica do t’i votonte, një ofertë e qartë për kompromis dhe dalje nga ngërçi edhe kjo u refuzua, për më tepër, kemi bërë edhe një përpjekje tjetër për të gjetur një figurë konsensuale për President, duke propozuar znj. Feride Rushtin, përfaqësuese nga sektori i shoqërisë civile dhe OJQ-ve, me profil unifikues dhe të dëshmuar jashtë kalkulimeve partiake. Megjithatë, edhe ky propozim nuk mori mbështetjen e nevojshme me votë, duke dëshmuar mungesën e gatishmërisë për konsensus
Përkundër gjithë këtyre përpjekjeve, mungesa e vullnetit nga opozita për të bashkëpunuar e ka mbajtur vendin në bllokadë. Prandaj, është e qartë se përgjegjësia kryesore bie mbi opozitën, e cila zgjodhi kalkulimet politike dhe zgjedhjet, në vend të zgjidhjes.
“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për zhvillimet e fundit politike në vend? A duhej vendi të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme?
Drita Pajaziti: Zhvillimet e fundit politike janë pasojë e një bllokade të qëllimshme nga opozita, e cila në vend të një qasjeje konstruktive ka zgjedhur të pengojë proceset institucionale dhe të mos japë hapësirë për marrëveshje politike të qëndrueshme.
Në rrethana normale politike, vendi nuk do të duhej të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, sidomos kur ekzistonte mundësia për marrëveshje dhe vazhdimësi institucionale. Por mungesa e vullnetit për kompromis dhe insistimi në kalkulime afatshkurtra politike e kanë çuar situatën në këtë drejtim.
Në fund, qytetarët janë ata që bartin pasojat e kësaj gjendjeje të paqëndrueshme politike, ndërsa përgjegjësia për këtë situatë bie mbi ata që kanë zgjedhur bllokadën në vend të bashkëpunimit.
“Bota sot”: Çfarë duhet bërë urgjentisht për të përmirësuar gjendjen ekonomike të qytetarëve?
Drita Pajaziti: Qeveria ka ndërmarrë një sërë politikash konkrete për të forcuar ekonominë dhe për të mbështetur qytetarët dhe bizneset. Ndër masat kryesore janë subvencionet për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet prodhuese, ku është dhënë mbështetje direkte për blerje të makinerive dhe zgjerim të kapaciteteve prodhuese, si dhe ndihma financiare për modernizim të tyre.
Po ashtu, është lehtësuar qasja në kredi për bizneset përmes subvencionimit të interesit dhe mbështetjes së Fondit të Garancisë Kreditore, duke ulur koston e huamarrjes dhe duke nxitur investimet në ekonomi.
Qeveria ka zbatuar edhe paketa të ndryshme mbështetëse për qytetarët dhe bizneset, si dhe programe për subvencione të energjisë dhe efikasitetit energjetik, duke ndihmuar mijëra familje për të ulur shpenzimet e tyre.
Këto masa kanë ndikuar në rritjen e aktivitetit ekonomik, mbështetjen e prodhimit vendor dhe krijimin e një klime më të favorshme për investime, duke e forcuar gradualisht ekonominë e vendit.
“Bota sot”: Pse opozita nuk kontribuoi në zgjedhjen e presidentit të ri, për të shmangur zgjedhjet?
Drita Pajaziti: Zgjedhja e presidentit nuk u arrit për shkak të mungesës së gatishmërisë së opzites.Në vend të bashkëpunimit institucional për të shmangur zgjedhjet, ata kanë ndjekur një qasje që synon ta vështirësojë funksionimin e qeverisë dhe ta rrëzojnë Albin Kurtin, pavarësisht faktit që ai ka marrë besimin e qytetarëve me 51.1% të votave.
“Bota sot”: Si e parashikoni rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorti dhe a do jeni sërish në listën për deputete në radhët e Vetëvendosjes?
Drita Pajaziti: Unë besoj fuqishëm në mbështetjen e qytetarëve dhe në punën që kemi bërë. Rezultati do të reflektojë këtë besim. Sa i përket kandidimit, unë jam e gatshme të vazhdoj angazhimin tim dhe të jem pjesë e garës në radhët e Vetëvendosjes , gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe me përgjegjësi të plotë ndaj mandatit që ata më japin.
