IUTE CREDIT mbush “thasët” në Shqipëri dhe nis 11.4 milionë euro për Estoni, 6.3 milionë euro të zhdukura sipas stilit “Bankers”
IuteCredit Albania ka regjistruar gjatë vitit 2025 rreth 11.4 milionë euro shpenzime në marrëdhëniet me kompanitë e grupit që e kontrollon. Sipas bilancit të kompanisë, 605.5 milionë lekë, rreth 6.3 milionë euro, janë regjistruar për shërbime menaxhimi, 218.9 milionë lekë, rreth 2.26 milionë euro, për garanci, ndërsa 274.3 milionë lekë, rreth 2.84 milionë euro, figurojnë si interesa ndaj Iute Group.
Në total, këto tri kategori arrijnë në afro 1.1 miliardë lekë ose rreth 11.4 milionë euro brenda një viti.
Në të njëjtën periudhë, IuteCredit Albania deklaroi 421.8 milionë lekë fitim neto, rreth 4.36 milionë euro.
Zëri më i madh i shpenzimeve ndaj grupit është ai për shërbimet e menaxhimit. Kompania shqiptare ka regjistruar 605,551,819 lekë, rreth 6.3 milionë euro, si kosto për shërbimet e marra nga grupi.
Në vitin 2025, të gjithë punonjësit e IuteCredit Albania kushtuan rreth 362 milionë lekë, ose rreth 3.74 milionë euro. Kështu, shpenzimet e regjistruara për shërbime menaxhimi nga grupi ishin rreth 2.5 milionë euro më të larta se kostoja e të gjithë personelit të kompanisë në Shqipëri.
Edhe pagesat për garanci përbëjnë një zë të rëndësishëm. Në vitin 2025, IuteCredit Albania regjistroi 218.9 milionë lekë, rreth 2.26 milionë euro, për “shërbime garancie”.
Shërbimet e menaxhimit dhe garancitë së bashku arrijnë në 824.5 milionë lekë, ose rreth 8.5 milionë euro. Kjo shumë është pothuajse dyfishi i fitimit neto të raportuar nga kompania në Shqipëri gjatë të njëjtit vit.
Të dhënat e viteve të mëparshme tregojnë se pagesat për shërbime menaxhimi kanë qenë të konsiderueshme edhe më herët.
Në vitin 2020, këto shërbime kushtuan 214.5 milionë lekë. Në vitin 2021, shuma u rrit në 687.7 milionë lekë, ndërsa në vitin 2022 arriti në 781.8 milionë lekë. Në vitin 2023, kompania regjistroi 651.7 milionë lekë, në vitin 2024 rreth 523.3 milionë lekë, ndërsa në vitin 2025 shuma ishte 605.5 milionë lekë.
Në total, vetëm shërbimet e menaxhimit gjatë periudhës 2020–2025 arrijnë në rreth 3.46 miliardë lekë.
Kur kësaj shume i shtohen edhe garancitë dhe interesat e regjistruara në marrëdhëniet me kompanitë e grupit, totali gjatë këtyre gjashtë viteve arrin në rreth 5.7 miliardë lekë.
Transaksionet mes kompanive të së njëjtës pronësi kanë edhe rëndësi fiskale, pasi shpenzimet e njohura si kosto ndikojnë në fitimin mbi të cilin llogaritet tatimi.
Në Shqipëri, norma e tatimit mbi fitimin është 15 për qind. Për shembull, 15 për qind e 605.5 milionë lekëve të regjistruara për menaxhim në vitin 2025 përbëjnë rreth 90.8 milionë lekë, ose afro 940 mijë euro.
Nëse llogariten bashkë shërbimet e menaxhimit dhe garancitë, 15 për qind e shumës prej 824.5 milionë lekësh është rreth 123.7 milionë lekë, ose afro 1.28 milionë euro.
Për transaksionet mes palëve të lidhura, legjislacioni shqiptar parashikon rregulla për çmimet e transferimit, me qëllim që çmimet e përdorura mes kompanive të lidhura të justifikohen në raport me kushtet që do të zbatoheshin mes palëve të pavarura. Për këto transaksione zbatohet edhe detyrimi i deklarimit, me pragun prej 50 milionë lekësh.
Fatura vjetore e IuteCredit Albania për shërbimet e menaxhimit, prej 605.5 milionë lekësh, e tejkalon këtë prag me më shumë se 12 herë.
Pasqyrat financiare të kompanisë tregojnë gjithashtu se Administrata Tatimore ka kryer gjatë vitit 2023 një kontroll të tatim-fitimit për vitet 2020 dhe 2021.
Në këto dy vite, vetëm shërbimet e menaxhimit të regjistruara nga IuteCredit Albania arrinin në rreth 902 milionë lekë. Bashkë me pagesat për garanci, faturat ndaj grupit kalonin 1.2 miliardë lekë.
IuteCredit Albania është pjesë e grupit Iute, me seli në Estoni. Kompania shqiptare ushtron aktivitetin e kreditimit në Shqipëri, ndërsa në pasqyrat e saj financiare regjistron një sërë transaksionesh me shoqëritë e grupit, përfshirë shërbime menaxhimi, garanci dhe interesa.
Shifrat e bilanceve tregojnë se këto pagesa përbëjnë një pjesë të rëndësishme të shpenzimeve të kompanisë dhe janë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjashtë viteve të fundit. /Pamfleti.al
