TË FUNDIT

Tragjedi në Nju Jork: Tetë të vdekur nga shembja e një ndërtese në Bruklin

Tetë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një ndërtese trekatëshe në lagjen Bruklin të Nju Jorkut. Nga kjo tragjedi, 18 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 16:00 sipas kohës lokale (21:00 GMT) të mërkurën, ndërsa në mesin e viktimave janë gjashtë të rritur dhe dy fëmijë, sipas raportimeve të BBC-së.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, gjatë një konference për media, ku konfirmoi se dy prej viktimave ishin punëtorë ndërtimi.

Pas shembjes së ndërtesës, qindra pjesëtarë të ekipeve të emergjencës u angazhuan në operacionet e kërkim shpëtimit. Për të kërkuar persona të mundshëm nën rrënoja, ekipet përdorën dronë dhe qen të specializuar për kërkim.

Dëshmitarët në zonën përreth kanë treguar se fillimisht dëgjuan një zhurmë të fuqishme, e më pas britma nga vendi i ngjarjes. Një prej banorëve ka rrëfyer se pa gruan e tij shtatzënë duke u nxjerrë nga rrënojat.

Kryebashkiaku Mamdani vlerësoi punën e Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut dhe ekipeve të shpëtimit, ndërsa kërkoi një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës për të zbardhur shkaqet e shembjes.

Ndërkohë, Departamenti i Ndërtesave ka nisur hetimet lidhur me kantierin e ndërtimit që ndodhet pranë vendit të ngjarjes. Si pjesë e kontrolleve, autoritetet kanë bërë të ditur se do të inspektojnë edhe 100 kantiere të tjera ndërtimi në qytet.

Operacionet e shpëtimit po përballen edhe me vështirësi për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë Nju Jorkun, të cilat mund ta komplikojnë ndërhyrjen në zonën e shembjes.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë tragjedi, e cila tronditi banorët e Bruklinit. /KosovaNews/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *