IPKO shënon Muajin Rozë, profesionistet bëjnë thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe diagnostikim të hershëm
Në kuadër të Muajit Rozë, muajit kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, IPKO ka organizuar një ligjëratë informuese për punonjësit, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për kujdesin ndaj shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.
Në këtë aktivitet morën pjesë profesionistë të fushës së shëndetësisë, të cilët ndanë informacione dhe këshilla lidhur me kontrollet e rregullta, ushqyerjen e shëndetshme, si dhe kujdesin për mirëqenien fizike dhe emocionale.
Bardha Dida nga IPKO tha se mirëqenia e punonjësve zë një vend të rëndësishëm në kulturën organizative të kompanisë dhe në përkushtimin e saj ndaj njerëzve që e përbëjnë atë.
Sipas saj, përmes programit të mirëqenies së punonjësve, IPKO synon të promovojë kujdesin për shëndetin fizik, emocional dhe psikologjik, duke krijuar hapësira për informim, ndërgjegjësim dhe zhvillimin e shprehive të shëndetshme.
“Në IPKO mirëqenia e punonjësve është e rëndësishme e kulturës sonë organizative dhe e përkushtimit tonë ndaj njerëzve që përbëjnë kompaninë. Përmes programit të mirëqenies së punonjësve synojmë të promovojmë kujdesin për shëndetin fizik e emocional dhe psikologjik duke krijuar mundësi për informim, ndërgjegjësim dhe zhvillim të shprehive të shëndetshme”, ka thënë Dida.
Rëndësinë e aktiviteteve të tilla e theksoi edhe specialistja e Onkologjisë, Egzona Bytyqi, e cila tha se organizime të këtij lloji janë veçanërisht të rëndësishme për rritjen e kulturës shëndetësore dhe për shpërndarjen e informacionit të saktë te gratë dhe vajzat.
Ajo bëri thirrje që asnjë simptomë të mos neglizhohet dhe që gratë të tregojnë kujdes të vazhdueshëm për shëndetin e tyre.
“Qëllimi i vetëm dhe krucial është që përmes organizimeve të tilla të rritet niveli i kulturës shëndetësore”, tha Bytyqi, duke theksuar se çdo grua dhe vajzë duhet të informohet dhe të mos neglizhojë simptomat që mund të shfaqen.
Sipas saj, diagnostikimi në fazat e hershme rrit ndjeshëm mundësitë për trajtim të suksesshëm.
“Duke pasur një kujdes të tillë, edhe po qe se kjo problematikë diagnostikohet në stadet sa më të hershme, sigurisht që bëhet fjalë për trajtim, sigurisht që bëhet fjalë edhe për shërim të plotë”, u shpreh ajo.
Bytyqi theksoi se aktivitete të tilla nuk duhet të kufizohen vetëm në muajin tetor, por ndërgjegjësimi për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit.
Ajo rikujtoi gjithashtu se Muaji Rozë është edhe muaj solidariteti me gratë dhe vajzat që aktualisht po përballen me kancerin e gjirit.
Ndërkaq, dietologia Vala Pupovci e vlerësoi të rëndësishëm faktin që informimi për tema që lidhen me shëndetin bëhet drejtpërdrejt nga profesionistët.
Sipas saj, aktivitete të tilla mundësojnë që informacioni të arrijë te një numër më i madh njerëzish dhe më pas të shpërndahet edhe më tej në komunitet.
Pupovci tërhoqi vëmendjen veçanërisht te sasia e madhe e dezinformatave që qarkullojnë lidhur me ushqyerjen, nutricionin dhe kancerin.
“Është shumë me rëndësi që informatat që merren të jenë të sakta dhe ato të shpërndahen sa më shumë”, theksoi ajo.
Përmes kësaj iniciative, IPKO synon që Muaji Rozë të shërbejë jo vetëm si një periudhë simbolike e ndërgjegjësimit, por edhe si një mundësi konkrete për të nxitur kujdesin ndaj shëndetit, kontrollet e rregullta dhe informimin nga burime profesionale. /Telegrafi/
