TË FUNDIT

“Të përballemi me të kaluarën e errët të liderëve të papërgjegjshëm e të frikësuar ” – Nela me mesazh të fortë për Kosovën

Publicisti dhe analisti Milaim Nela ka reaguar lidhur me zhvillimet politike dhe shoqërore në Kosovë, duke bërë thirrje për një ballafaqim më të drejtpërdrejtë me të kaluarën para, gjatë dhe pas luftës së Kosovës.

Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Nela shprehet me keqardhje se, sipas tij, një pjesë e madhe e shqiptarëve, veçanërisht në Kosovë, vazhdojnë të refuzojnë përballjen me atë që ka ndodhur në periudhën para, gjatë dhe menjëherë pas luftës.

Ai argumenton se njohja e pjesëve të hidhura të së kaluarës është e domosdoshme për të kuptuar zhvillimet që kanë ndikuar në fatin e Kosovës pas luftës.

“Me keqardhje vërej që megjithëse vetëm 25 vjet në shekullin e ri shumica dërmuese e shqiptarëve e në veçanti ata të Kosovës me vetëdije refuzojnë ta pranojnë të ballafaqohen me të vërtetën e asaj që ka ndodhur para, gjatë e menjëherë pas luftës së Kosovës!”, shkruan Nela.

Sipas tij, përballja me të vërtetën, pavarësisht se sa e hidhur mund të jetë, nuk duhet të shihet si kërcënim për Kosovën.

“Nuk asht asnjëherë vonë me u ballafaqu me të vërtetën sado e hidhur të jetë ajo”, shprehet ai.

Nela thekson se fshehja e së vërtetës, sipas tij, mund të përdoret nga Serbia kundër Kosovës.

“E vërteta e fshehur dhe e maskuar është avantazh në duar të Serbisë dhe hasmit tonë të përjetshëm”, shkruan ai.

Ai vlerëson se ballafaqimi me të kaluarën do ta forconte Kosovën dhe do t’i kthente, siç shprehet ai, “dinjitetin e nëpërkëmbur”.

Në pjesën tjetër të reagimit, Nela ngre akuza ndaj liderëve politikë të Kosovës, duke pretenduar se disa vendime janë marrë nën shantazh dhe për shkak të frikës nga zbulimi i së kaluarës së tyre.

“Janë vendime të marra nën shantazh nga liderat e papërgjegjshëm e të frikësuar për atë çka mund të zbulohet rreth të kaluarës së tyre të errët e abuzimit gjatë viteve të pushtetit që e kanë çuar Kosovën vite mbrapa nga dita e pavarësisë legale e deri sot!”, shkruan Nela.

Në fund, ai bën thirrje që, sipas tij, të ndërpritet ndikimi i Serbisë në Kosovë.

“Serbisë i duhet prerë njëherë e mirë dora e zgjatur në Kosovë!”, shprehet Nela, duke e përmbyllur reagimin me mesazhin se pranimi i së vërtetës dhe çrrënjosja e asaj që ai e konsideron si të keqe do të ishte në të mirë të Kosovës.

“E vërteta e pranuar dhe shkulja me rrënjë e së keqes është SHËRIM e BEKIM për Kosovën!”, përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *