Fituan 9-1, Fabregas mesazh Comos: Të qëndrojmë me këmbë në tokë
Cesc Fabregas ka komentuar fitoren historike të Comos me rezultat 9-1 ndaj Lensit në Ligën e Kampionëve, duke kërkuar nga futbollistët e tij që të mos e humbin përqendrimin dhe të mbeten me këmbë në tokë, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm.
Skuadra italiane regjistroi fitoren e parë si mysafire në histori të Ligës së Kampionëve, por e bëri këtë në një mënyrë që pak kush e kishte parashikuar. Plot nëntë gola shënoi Como në Francë, duke vendosur një rekord të ri për klubet italiane në këtë garë.
Tasos Douvikas shkëlqeu me het-trik, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Nico Paz, Lucas Da Cunha, Marc-Oliver Kempf, Mattia Liberali, Martin Baturina dhe debutuesi 17-vjeçar Matteo Papaccioli.
Kjo ishte ndeshja e katërt e Comos në histori të Ligës së Kampionëve. Skuadra e Fabregasit kishte fituar më parë 4-1 ndaj RB Leipzigut dhe Manchester Unitedit, ndërsa kishte pësuar humbje 3-2 nga Feyenoordi.
“Është edhe ndeshja jonë e katërt në histori të Ligës së Kampionëve, kështu që numri katër është kyç për ne”, u shpreh me buzëqeshje Fabregas për Sky Sport Italia.
Trajneri spanjoll pranoi se gjithçka kishte shkuar në favor të skuadrës së tij, por theksoi se tashmë vëmendja duhet të jetë te sfida e radhës në Serie A, ku Como do të përballet me kampionin në fuqi, Interin.
“Jam i lumtur. Ky është futbolli dhe gjithçka shkoi në favorin tonë. Djemtë bënë një punë të shkëlqyer, por tani duhet të përgatitemi për një ndeshje shumë të rëndësishme të dielën”, deklaroi ai.
Como po kalon një formë fantastike, pasi kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi në të gjitha garat. Për më tepër, suksesi 9-1 ndaj Lensit ishte historik, pasi asnjë skuadër italiane nuk kishte shënuar më shumë se gjashtë gola në një ndeshje si mysafire në Ligën e Kampionëve apo në Kupën e Evropës.
“Është një natë e mrekullueshme për Comon, për të gjithë tifozët tanë dhe për shumë futbollistë që janë në fillim të karrierës. Por duhet t’i mbajnë këmbët në tokë, të jenë modestë, të vazhdojnë të mësojnë dhe të mos mendojnë se gjithçka do të shkojë mirë edhe në të ardhmen. Duhet të vazhdojnë të punojnë për t’i përsëritur këto paraqitje”, shtoi Fabregas.
Pas kësaj fitoreje, Como renditet në vendin e katërt në tabelën e përgjithshme të Ligës së Kampionëve, në gjysmë të fazës së ligës. Italianët do të përballen me AEK Athinën në shtëpi, Real Betisin në udhëtim, ndërsa më pas i presin dy sfida të vështira ndaj Paris Saint-Germainit dhe Barcelonës.
Fabregas pranoi se këto dy përballje të fundit e kishin shtyrë të kërkonte sa më shumë pikë në ndeshjet e para.
“Kur pashë se dy ndeshjet e fundit ishin ndaj PSG-së dhe Barcelonës, mendova se duhej të merrnim sa më shumë pikë në fillim. Asgjë nuk është e pamundur, por këto janë dy skuadra të një niveli më të lartë se të tjerat”, përfundoi trajneri spanjoll./ Telegrafi/
