Erion Veliaj nga burgu jep një propozim për krerët e UÇK-së
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është deklaruar nga çelia për rastin e krerëve të UÇK-së.
Ai thotë se vendimi i Hagës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së e ka tronditur thellë, ndërsa thekson se procesi juridik duhet të ndjekë rrugën e tij.
Sipas Veliajt, nderimi nga Tirana nuk synon të zëvendësojë drejtësinë me politikën apo t’i tregojë gjykatës se çfarë duhet të vendosë, por të shprehë, siç thotë ai, mirënjohjen për kontributin historik të katër ish-drejtuesve të UÇK-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.
Veliaj u bën thirrje edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare që të ndërmarrin nisma të ngjashme. Në deklaratë, ai ndalet edhe te situata e tij personale, duke thënë se prej 19 muajsh ndodhet në izolim dhe pa mundësi reale për të ushtruar mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Por, sipas Veliajt, çështja e Kosovës dhe kujtesa për luftën e saj për liri janë më të mëdha se drama e tij personale.
“Vendimi i dhënë në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më ka tronditur thellë. Sigurisht procesi juridik ka rrugën e vet dhe drejtësia duhet të ndjekë deri në fund procedurat dhe standardet e saj. Por ne shqiptarët kemi edhe përgjegjësinë për të kujtuar”, ka shkruar ai.
Ndaj sot dua që Tirana të flasë. Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, por kryeqendra e shqiptarisë. Për këtë arsye, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen Qytetarë Nderi të Tiranës”.
