TË FUNDIT

“Nuk mund të presin më kthimin e Thaçit”, Bytyçi pas vendimit të Hagës me thirrje të fortë për PDK-në e AAK-në

Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kosova po përballet me një realitet të ri politik.

Vendimi i 16 shtatorit 2026 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka rikthyer në qendër të debatit jo vetëm fatin e ish-krerëve të UÇK-së, por edhe pasojat që ky vendim mund të ketë në skenën politike të Kosovës.

Aktgjykimi pritet të ndikojë në mënyrën se si partitë politike do të pozicionohen në raport me figurat e dënuara, por edhe në raport me funksionimin e institucioneve dhe zhvillimet e ardhshme politike në vend.

Për këtë çështje, për “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi, i cili vlerëson se vendimi i Hagës ka krijuar një situatë të re politike për Kosovën dhe se partitë duhet ta përshtatin qasjen e tyre me këtë realitet.

ImageEnver BytyçiFoto galeri
Bytyçi thekson se PDK-ja dhe AAK-ja, si parti të dala nga lufta, nuk mund të vazhdojnë të presin kthimin e Hashim Thaçit si faktor vendimtar për rikthimin e tyre në pushtet.

“Çështja është se çfarë ndikimi do të ketë ky vendim. Së pari partitë e opozitës të dala nga lufta do të kuptojnë qartë se nuk mund të presin kthimin e Hashim Thaçit që ato të vijnë në pushtet në Kosovë. Kjo pritshmëri për lirimin e ish-presidentit krijoi një lloj amullie dhe e trimëroi PDK-në dhe AAK-në për të vazhduar në politikën e bllokimit të institucioneve. Tani është krejt e qartë se PDK dhe AAK janë e duhet të bëhen bashkë me Vetëvendosjen dhe LDK-në për të krijuar mundësisht brenda disa orëve institucionet e vendit. Duhet kuptuar se një vend e një shtet pa institucione është i rrezikuar më shumë se një vend nën diktaturë. Anarkia është armiku më i madh i njerëzimit. Ndaj dhe pres që të ketë kompromis, të ketë mirëkuptim, bashkëpunim dhe unitet në çështjet që kanë të bëjnë me interesat themelore të shtetit e të vendit”, deklaroi Bytyçi për “Bota sot”.

Profesori ka komentuar edhe vetë vendimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si një goditje për mënyrën se si është qeverisur Kosova pas luftës. Ai shpreh kritika për masat e dënimit dhe pret që procesi i apelit të sjellë një panoramë tjetër.

“Vendimi i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë i 16 shtatorit 2026 ishte një goditje e madhe për mënyrën se si Kosova është qeverisur nga çlirimi i saj dhe deri sa u shpall akt-akuza kundër katër ish-komandantëve të hetuar e gjykuar tashmë në shkallën e parë. Më ka rënë në sy fakti se masat e dënimit që u shqiptuan ishin disproporcionale dhe jo logjike. P.sh. nuk mund të kishte të njëjtin dënim si për Hashim Thaçin dhe për Jakup Krasniqin. Por më parë se këta, në bankën e të akuzuarve do të duhej të ishin disa ish-krerë të Partisë Socialiste dhe institucioneve të Tiranës, si p.sh. Fatos Klosi. Sepse p.sh. vrasja e Behadin Hallaqit ka ndodhur nën këshillat e Klosit për të forcuar autoritetin dhe kontrolluar gjithçka në UÇK, me synimin e marrjes së pushtetit.

Por, pa u ndalur gjatë në këtë pjesë, ky vendim pati ndëshkime të rënda, mendoj të pamerituara deri në këtë shkallë. Do të jetë Gjykata e Apelit ajo që do të rivendosë balancën, pra do të ulë masën e dënimit dhe do të sjellë një panoramë të re. Kështu ka ndodhur edhe në rastet e tjera të vendimeve që ka dhënë, p.sh. Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi. P.sh. Kotovina i Kroacisë u dënua në shkallën e parë dhe u shpall i pafajshëm në Apel. Por nuk duhet pritur pafajësi e plotë, derisa gjykata ka provuar se një ose disa persona të akuzuar kanë marrë pjesë në ekzekutime fizike”, u shpreh Bytyçi.

Sipas tij, një prej elementeve që duhet të merret parasysh në analizimin e aktgjykimit është edhe rënia e akuzës për krime kundër njerëzimit, si dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale.

“Me shumë rëndësi është rënia e akuzës për krime kundër njerëzimit. Rënia e kësaj akuze provon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje kryengritëse legjitime dhe se kurrsesi këto dënime që u shqiptuan nuk e zbehin luftën për liri të shqiptarëve. Me rëndësi është gjithashtu fakti se përgjegjësia është thënë se është individuale dhe se në gjykatë është pranuar se krijimi i UÇK-së ishte nevojë e domosdoshme e shkaktuar nga regjimi i Millosheviçit”, deklaroi ai.

Bytyçi konsideron se vendimi i Hagës do të ketë ndikim edhe në qasjen e klasës politike të Kosovës ndaj Serbisë. Ai kërkon një ndryshim të politikës së dialogut dhe një qëndrim të përbashkët të forcave politike.

“Ky vendim duhet marrë së bashku nga të gjithë politikanët e Kosovës.

Nga ana tjetër, klasa politike dhe sidomos opozita, duhet të kuptojë se nuk bën më punë Grenelli dhe Grenellra të tjerë, madje ata bëhen të rrezikshëm për interesat e Kosovës, kur tejkalojnë çdo limit në linjën e mbështetjes së politikave serbe në Kosovë. Kjo do të thotë se prej këtij momenti marrëdhënia me Serbinë merr një dimension të ri. Unë besoj se me këtë vendim të Gjykatës së Hagës ka ardhur koha që e gjithë klasa politike e Kosovës të bashkohet në opsionin e vënies së kufirit përfundimtar me Serbinë. Dialogu i imponuar nga administrata Obama solli Gjykatën Speciale dhe çdo gjë tjetër që e dëmton Kosovën. Ka ardhur koha dhe është momenti që t’i thuhet mjaft më me dialog. Nuk ka dialog me një shtet si Serbia, e cila punon vetëm të përfitojë vetë dhe të mos e njohë shtetin e Kosovës. Dialog vetëm pas njohjes, nëse do të ketë ndonjë gjë për të cilën ka mbetur për të dialoguar. Ky vendim duhet marrë së bashku nga të gjithë politikanët e Kosovës”, tha Bytyçi.

Profesori e sheh periudhën pas vitit 2013 si një fazë të thellimit të përçarjeve politike në Kosovë. Sipas tij, marrëdhëniet mes forcave politike janë fragmentarizuar dhe kjo ka ndikuar edhe në mënyrën se si vendi i ka trajtuar çështjet e rëndësishme politike.

“Së treti dhe kryesore. Kosova gjatë kësaj periudhe, prej se u nënshkrua marrëveshja e parë midis zotit Thaçi dhe Ivica Daçiq më 19 prill 2013 ka qenë e fragmentarizuar dhe e përçarë si kurrë më parë. Sepse nuk pati burra e gra, që i anashkalonin pikat e ndarjes. Përkundrazi, pikat e ndarjes u bënë përrenj të ndarjes midis forcave politike e brenda tyre. Kjo periudhë koinçidoi me ardhjen në pushtet të Edi Ramës në Shqipëri. Dhe ky, në vend që ta përdorte autoritetin e tij për ta bashkuar klasën politike të Kosovës, bëri të kundërtën e përçau atë. Të gjithëve ju kujtohet kur shkonte në fillim në Prishtinë dhe nuk takonte homologun e tij, Isa Mustafa. Pastaj konflikti publik me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Më pas prej 6 vitesh vazhdon konflikti me Albin Kurtin. Shumë veta fajësojnë Kurtin për këtë ndarje. Por Rama nuk ishte grindur vetëm me Kurtin. Dhe e gjitha ka ndodhur për shkak se Rama, kur është fjala për Kosovën, ka mbajtur anën e Serbisë. Edhe për këtë shkak duhet ndalur dialogu me Serbinë. Sepse nuk shkon që Serbia me dy karrige në dialog e Kosova me një. Karrigia e dytë e Serbisë në dialog e padukshme është ajo e Edi Ramës”, deklaroi Bytyçi.

Në fund, Bytyçi e sheh konsensusin për zgjedhjen e presidentit si një prej hapave të parë që duhet të ndërmarrë klasa politike e Kosovës pas këtij zhvillimi.

“Së treti, hapi i parë është të arrihet konsensus për presidentin e vendit. Do të ishte mesazh i jashtëzakonshëm për stabilitetin e Kosovës, sepse më e pakta Serbia ka pritur që të krijohet gjendje lufte në Kosovë. Hapi i dytë do të ishte përcaktimi i dy-tri parimeve në formë kushtesh për marrëdhëniet e ngushta me Shqipërinë. E para dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. E dyta, kushtëzimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë nga interesat e Kosovës. E treta, bashkërendimi i qëndrimeve të përbashkëta në marrëdhëniet ndërkombëtare. Jo si deri më sot që Kosova punon për njohjet dhe kryeministri i Shqipërisë i porosit ambasadorët e tij të punojnë kundër njohjeve, sepse ka në kokën e tij zgjidhje pro Serbisë, si Jugosllavia e Re apo ndarja e Kosovës”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *