Rama: Mbyllja e derës për investimet e huaja është vetëvrasje ekonomike, nuk do ta lejojmë kurrë
Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Kuvend, deklaroi se Shqipëria duhet të vijojë të tërheqë investime të huaja, duke e cilësuar kundërshtimin ndaj tyre si “vetëvrasje ekonomike”. Rama u shpreh se filozofia e buxhetit të ri është krijimi i më shumë pasurive, për ta shpërndarë atë në mënyrë më të drejtë.
“Në mbyllje dua të them se nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se të gjitha këto mbështetje e investime nuk bien nga qielli. Ato vijnë nga një punë kuptimplotë e shqiptarëve që nuk dalin në TV, e atyre që s’kanë kohë të ulërijnë në Tik Tok, e shqiptarëve që janë të organizuar në ferma e turizëm. Këto vijnë nga një Shqipëri ku rriten investimet e brendshme e të huaja.
Prandaj unë e refuzoj kategorikisht çdo lloj pabesie e poshtërsie në kurriz të këtij vendi që ushqen refuzimin e kundërshtimin ndaj investimeve të huaja. Sot të gjitha vendet e Europës janë në një konkurrencë gjithmonë e më të egër, kush tërheq më shumë investime të huaja. Ne s’jemi vendi kur dera për investimet e huaja hapet, të bëjmë sikur duam të mbrojmë vendin nga investimet. Kjo është vetëvrasje ekonomike që ne nuk kemi për ta pranuar kurrë.
Kjo është filozofia e këtij buxheti të ri, të krijojmë më shumë pasuri për të pasur më shumë mundësi që ta shpërndajmë atë më drejtë. Ndryshe nga sa pëllasin e ulërasin ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë, kjo Shqipëri është një Shqipëri tjetër dhe ekonomia shqiptare është më e fortë se asnjëherë tjetër”, deklaroi Rama./L.F-dritare.net
