Dosja “Balluku”, caktohet gjyqtarja e seancës paraprake në GJKKO!
Atalanta Zeqiraj është caktuar gjyqtare e seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për dosjen e ish-zëvendës kryeministres dhe ish ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe 27 personave të tjerë.
Zeqiraj u caktua gjyqtarja paraprake përmes një shorti që u hodh në GJKKO, vetëm dy ditë pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e dërgoi çështjen për gjykim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë zbuluar shkelje në 10 tendera me vlerë totale rreth 400 milionë euro pa TVSH: Tuneli i Llogarasë, disa lote të Unazës së Jashtme të Tiranës, akset Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, rrugën Porto Romano në Durrës dhe rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol.
Ish zv kryeministrja dhe ish ministrja akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në nëntë raste, korrupsion pasiv, fshehje të pasurisë në dy raste dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ajo ka orientuar dhe ndikuar në procedurat e prokurimit për të paracaktuar dhe favorizuar kompanitë fituese.
Sipas SPAK, përmes shkeljeve në procedurën e tenderit për Tunelin e Llogarasë, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm ekonomik prej 7.48 miliardë lekësh, ose rreth 78 milionë eurosh, nga përllogaritja e fondit limit dhe miratimi i preventivit të rishikuar me çmime dhe volume të fryra.
Krahas Ballukut, të pandehurit e tjerë janë: Viola Haxhiademi, Evis Berberi, Ergys Verdho, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Genti Raça, Miranda Shkurti, Jetmira Dervishi, Mirzeta Kashnica, Jonida Çeçe, Klarita Konomi, Arbër Troka, Adja Strazimiri, Anila Sulollari, Adrian Kroi, Gëzim Noni, Nikollaq Mihali, Eduart Agalliu, Arlinda Gordani, Denis Xhoxhi, Dhurata Lazaj, Joana Bushi, Igli Tare, Pandeli Carapuli, Arbër Abazi, shoqëria “Alko Impex General Construction” dhe shoqëria “Eurocol” sh.p.k.
Për tenderin e Tunelit të Llogarasë, SPAK deklaron se është favorizuar bashkimi i kompanive turke “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”. Për këtë procedurë, ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë, Viola Haxhiademi, ish-drejtuesit e ARRSH-së Ergys Verdho dhe Evis Berberi, si dhe zyrtarë të tjerë akuzohen për shkelje të detyrimeve ligjore në përcaktimin e kritereve dhe përllogaritjen e fondit limit. Sipas ekspertimit teknik, përllogaritja e fondit limit ka shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 2 miliardë lekësh, ndërsa miratimi i preventivit të rishikuar gjatë zbatimit të kontratës një dëm tjetër prej rreth 5.48 miliardë lekësh. Dëmi për këto dy veprime arrin në rreth 7.48 miliardë lekë ose 80 milionë euro.
Në tenderin për punimet në Sheshin Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT, me fond limit 2.38 miliardë lekë, është favorizuar kompania “Salillari”. Në lotin 2 të segmentit Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, me fond limit 2.49 miliardë lekë, është favorizuar bashkimi “4A-M & ED Konstruksion” dhe “IDK Konstruksion”, ndërsa në projektin e urave mbi lumin e Tiranës, me fond limit 2.56 miliardë lekë, kompania “Albstar”.
Në lotin 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit 2.1 miliardë lekë, është favorizuar bashkimi “Euroteorema Peqin”, “PE-VLA-KU” dhe “Nova Construction 2012”; në lotin 5, me fond limit 1.94 miliardë lekë, bashkimi “G.P.G Company” dhe “Senka”; në lotin 6, me fond limit 1.82 miliardë lekë, “Gjoka Konstruksion”; ndërsa në lotin 7, me fond limit 2.35 miliardë lekë, bashkimi “Alko-Impex General Construction” dhe “2T”.
