POLITIKATË FUNDIT

Berisha fton edhe Qorin: bashkim pa përjashtime për 28 Nëntorin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje të martën qytetarëve dhe bizneseve nga e gjithë Shqipëria t’i bashkohen protestës së 28 Nëntorit, ndërsa tha se nga bashkimi kundër qeverisë nuk përjashton askënd.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha e quajti Ditën e Flamurit mundësi për një mobilizim të paparë kundër qeverisë Rama, raportoi ATSH. Si arsye për protestën përmendi edhe dhunën ndaj studentëve.

Disa orë më vonë, në takimin “Foltorja e Ripërtëritjes” në Berat, ai tha se bashkimi duhet të shkojë përtej dallimeve partiake dhe të përfshijë edhe kreun e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori. “Asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim”, deklaroi Berisha, duke shtuar se bashkëpunimi nuk kërkon që të tjerët ta ndryshojnë platformën e tyre. Ai kërkoi një qeveri kujdestare që do të garantonte votën e lirë.

Berisha njoftoi po ashtu se opozita do të jetë kategorikisht kundër projektbuxhetit 2027 dhe paketës fiskale. Sipas tij, ato janë hartuar pa konsultim publik dhe do të rëndojnë biznesin e qytetarët, ndërsa kundër paketës janë shprehur edhe Dhoma Amerikane dhe ajo Gjermane e Tregtisë.

Protestat studentore të javëve të fundit janë mbajtur larg partive, ndërsa Qori ka qenë kritik si ndaj qeverisë, ashtu edhe ndaj PD-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *