Qumështi “Land” me mykotoksinë u prodhua në Qumshtoren VITA, asgjësohen mbi 27 mijë litra në Maqedoni
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar sot prodhuesin e qumështit UHT që u ndaluan dhe u asgjësuan në Maqedoninë e Veriut 27.5 tonë të këtij qumështi, pasi analizat kishin konstatuar prani të Aflatoksinës M1 mbi nivelin e lejuar.
Sipas njoftimit të AUV-së, bëhet fjalë për qumështin UHT “Land” 3.2%, të prodhuar nga ABRAZEN L.L.C. – Qumështorja VITA, me numër të stabilimentit RKS-014.
Rasti lidhet drejtpërdrejt me njoftimin e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut të publikuar një ditë më parë, sipas të cilit atje u asgjësuan mbi 27.5 tonë qumësht UHT, pasi u konstatua prani e shtuar e aflatoksinës.
Në njoftimin e djeshëm të autoriteteve maqedonase nuk ishte bërë publik emri i prodhuesit. Identiteti i tij bëhet i ditur sot nga AUV-ja e Kosovës, e cila konfirmon se qumështi i prekur është prodhuar nga Qumështorja VITA (ABRAZEN L.L.C.).
Pas informacionit zyrtar të pranuar nga autoritetet maqedonase, AUV ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të qumështit “Land” 3.2% të identifikuar si të prekur, si dhe ka nisur kontrollet zyrtare dhe verifikimin e gjurmueshmërisë së produktit.
AUV sqaron se, në bazë të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, ushqimi konsiderohet i dëmshëm dhe jo i sigurt për konsum kur përmban mykotoksina mbi kufirin e lejuar.
Agjencia njofton se, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Shëndetësisë, do të përcaktojë masat e mëtejshme ndaj stabilimentit RKS-014 – ABRAZEN L.L.C. (Qumështorja VITA).
