HALILI: PROTESTA? JO, FALEMINDERIT! NE KËTU PADREJTËSINË E KEMI BËRË PJESË TË PËRDITSHMËRISË!
nga Faton Halili
Teksa i shoh studentët shqiptarë në Shqipëri duke protestuar, më lind një pyetje që na dhemb më shumë sesa duam ta pranojmë, çfarë dreqin po ndodh me ne këtu në Maqedoninë e Veriut? A i kemi zgjidhur të gjitha problemet, apo jemi bërë aq komodë në pakënaqësinë tonë, saqë kemi filluar ta konsiderojmë heshtjen si sukses kombëtar?
Ne kemi të paktën një milion arsye më shumë për të dalë në rrugë, por duket se kemi zbuluar një formulë të re të qytetarisë moderne, të ankohesh në kafene, të shash në Facebook dhe të heshtësh aty ku duhet të ngrihet zëri.
Si duket, te ne padrejtësia nuk është më arsye për protestë, por pjesë e traditës. Diskriminimi është bërë rutinë, premtimet politike janë kthyer në qetësues kolektivë, ndërsa politikanët tanë kanë arritur suksesin më të madh, ta bindin popullin se edhe kur nuk ndryshon asgjë, duhet të jemi të durueshëm.
Nga aspekti kolektiv, shqiptarët ende përballen me çështje të pazgjidhura të barazisë dhe përfaqësimit. Nga aspekti qytetar, përballemi me të njëjtat probleme që rëndojnë mbi shqiptarë, maqedonas, turq, romë e çdo qytetar tjetër,
paga të ulëta, institucione joefikase, padrejtësi dhe mungesë përgjegjësie. Pra, kemi arsye të protestojmë si shqiptarë për barazi, por edhe si qytetarë për dinjitet.
E megjithatë, heshtim!
Ndoshta sepse një pjesë e shoqërisë është mësuar ta shohë politikën si pronë private të partive. Ndoshta sepse dikush pret një punësim, dikush një tender, dikush një premtim, ndërsa dikush tjetër ka frikë se mos ia prish rehatinë pushtetit. Dhe kështu, pakënaqësia shpërndahet nëpër tavolina, ndërsa përgjegjësia tretet në ajër.
Ndërkohë, partitë tona vazhdojnë të na shpjegojnë se po punojnë për popullin. Njëra na thotë se e ka dëshmuar veten dje, tjetra se do ta dëshmojë nesër. Dje na kërkuan durim, sot na kërkojnë besim, ndërsa nesër me siguri do të na kërkojnë edhe një votë tjetër. E ne, si qytetarë shembullorë, duket se jemi gati t’ua plotësojmë të tria kërkesat, pa ua parashtruar asnjë pyetje.
Ironia është se studentët në Shqipëri dalin të protestojnë për kërkesat e tyre, ndërsa ne këtu duket se presim që dikush të na e organizojë edhe pakënaqësinë.
Sikur të mos mjaftonin problemet, na mungon edhe guximi për t’i emërtuar ato publikisht.
Por një shoqëri që nuk reagon ndaj padrejtësisë nuk bëhet më e qetë, bëhet më e lehtë për t’u qeverisur pa llogaridhënie.
Nuk po them se çdo problem zgjidhet me protesta. Po them se pushteti që nuk ndien presionin e qytetarëve, herët a vonë fillon ta ngatërrojë heshtjen e tyre me miratimin.
Prandaj, pyetja nuk është vetëm pse studentët protestojnë në Shqipëri. Pyetja është?pse ne, me gjithë këto arsye, kemi zgjedhur të jemi spektatorë të jetës sonë?
Mos vallë jemi bërë aq të kënaqur me pak, sa kemi harruar të kërkojmë atë që na takon? Apo kemi rënë në një gjumë politik aq të thellë, saqë edhe alarmi i padrejtësisë nuk na zgjon më?
Sepse, në fund të fundit, problemi më i madh nuk është vetëm se çfarë nuk na japin politikanët. Problemi është se sa gjatë jemi të gatshëm të durojmë pa ua kërkuar llogarinë.
Dhe nëse vazhdojmë kështu, një ditë do të kemi arsye të festojmë edhe heshtjen tonë. Me siguri do të dalë ndonjë politikan të na mbajë fjalim, ta presë shiritin dhe ta shpallë një sukses të ri historik.
Fundja, në Maqedoninë e Veriut duket se kemi mësuar të bashkëjetojmë me problemet aq mirë, saqë rrezikojmë të harrojmë se dikur ekzistonte edhe mundësia për t’i ndryshuar!
Një popull që hesht për gjithçka, nuk ka nevojë për shumë arsyetime nga pushteti.
Atij mjafton t’i premtohet se nesër do të jetë më mirë.
