OPINIONTË FUNDIT

Pas refuzimit të Çitakut dhe zgjedhjes së tij, flet Ardian Gola i përgjigjet edhe deputetit të LDK-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka reaguar ndaj deklaratave të kolegut të tij, Ermal Sadiku, duke kritikuar atë që e cilëson si gjuhë elitiste dhe standarde të dyfishta në vlerësimin e deputetëve dhe grupeve politike.

Gola ka thënë se kultura dhe arsimi nuk mund të maten mbi bazën e përkatësisë partiake, ndërsa ka theksuar se vota parlamentare nuk është “borxh personal” që duhet të kthehet.

Duke folur për mbështetjen e opozitës ndaj tij në Kuvend, Gola ka deklaruar se e vlerëson atë, por nuk beson se ajo domosdoshmërisht lidhet me vlerësimin e karakterit të tij politik.

Ai është ndalur edhe te funksionimi i grupeve parlamentare, duke thënë se një grup politik nuk përcaktohet vetëm nga numri i deputetëve, por nga aftësia për të pasur qëndrim dhe votë të përbashkët.

“Kur LV-ja e mban votën të bashkuar, quhet ‘nënshtrim’ e ‘direktivë partiake’; kur të tjerët nuk arrijnë ta mbajnë të bashkuar të tyren, fragmentimi shpallet ‘liri e deputetit’”, ka shkruar Gola.

Në fund, deputeti i LVV-së ka kërkuar më pak etiketime dhe moralizim, ndërsa ka bërë thirrje për më shumë debat mbi qëndrimet politike.

Shkrimi i plotë:

I nderuari koleg Ermal Sadiku,

Të shpallësh një grup politik si “grup me shumë njerëz të pakulturuar e të paarsimuar”, e pastaj të veçosh dikë si përjashtim të pranueshëm, është paragjykim i veshur me gjuhë elitiste dhe me dozë të theksuar raciste, ngase kultura e arsimi nuk maten me përkatësi partiake.

Vlora Çitakun edhe mund ta votoja. Por vota parlamentare nuk është borxh personal që kthehet pesë minuta më vonë. Ironikisht as kjo nuk do të më bënte imun ndaj akuzave për hipokrizi ose protagonizëm, se po votoj pikërisht atëherë kur vota ime nuk ndryshon asgjë. Ashtu sikurse unë nuk jam zgjedhur me votën e Vlora Çitakut, as ajo nuk do të zgjedhej me votën time.

Unë i falënderoj opozitën për vlerësimin dhe mbështetjen. Besoj që me kryesimet e balancuara të seancave që kam bërë duke funksionuar mbi premisën e shenjtërisë së fjalës së lirë të deputetit dhe me paraqitje politikisht korrekte e institucionale, e kam merituar një mbështetje të tillë. Por fatkeqësisht, pas përvojës sime parlamentare më shumë se pesëvjeçare, nuk besoj që ajo votë reflekton vlerësimin e tyre për karakterin tim politik, por qëndrimin e tyre në raport me një proces të caktuar politik, ku individualitetet tona nuk çojnë peshë. Në fakt, po të më kishin vlerësuar, nuk do të më sulmonin duke synuar denigrimin e personalitetit tim, siç kanë bërë më 12 gusht të këtij viti..

Grupi parlamentar nuk krijohet vetëm nga fakti që disa deputetë ulen në të njëjtën anë të sallës. Ai bëhet grup politik kur arrin ta shndërrojë pluralitetin e brendshëm në qëndrim të përbashkët, e qëndrimin në votë.

Në Parlament, vota është gjuha përfundimtare e politikës. Qëndrimi pa votë mbetet deklaratë ndërsa grupi pa aftësi për ta bashkuar votën mbetet vetëm numër, ndonëse nganjëherë jo pa pasoja politike.

Këtë fatkeqësisht e pamë së voni edhe te LDK-ja: përçarjet e brendshme dhe pamundësia për ta garantuar votën e vet për një marrëveshje të arritur që synonte shmangien e zgjedhjeve treguan sa shpejt mandatet humbin peshën politike kur nuk mund të shndërrohen në votë të unifikuar.

Prandaj, më irriton standardi i dyfishtë: kur LV-ja e mban votën të bashkuar, quhet “nënshtrim” e “direktivë partiake”; kur të tjerët nuk arrijnë ta mbajnë të bashkuar të tyren, fragmentimi shpallet “liri e deputetit”.

Është e vërtetë se dija pa integritet nuk mjafton. Por as protagonizmi i maskuar si integritet. E unë nuk kam nevojë ta simuloj integritetin, sepse e kam atë. Kush e ka përcjellë jetën parlamentare e politike nga 2021-ta, mund të hasë në një mori rastesh ku, përpos integritetit, kam dëshmuar edhe guxim edhe dije. Zatën ato asnjëherë nuk i kam nda.

Kështu që, më pak etiketime për njerëzit, më pak moralizim të qëndrimeve dhe më shumë debat për qëndrimet politike.

Aty le të përballemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *