“Presidenti s’duhet të kërkojë pushtet”, deklarata e Kurtit interpretohet si sinjal ndaj Osmanit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për çështjen e kandidaturës së Vjosa Osmani për presidente, duke theksuar se posti i presidentit nuk duhet të udhëhiqet nga ambicie personale për pushtet apo interesa politike.
Gjatë deklarimit të tij, Kurti tha se kreu i shtetit duhet të jetë figurë unifikuese dhe përfaqësuese e qytetarëve, e jo person që synon pushtetin përmes ambicieve politike.
Ai vlerësoi se institucioni i presidentit kërkon integritet, përgjegjësi dhe qasje mbi interesat partiake.
“Unë nuk mendoj që president duhet të jetë dikush që dëshiron pushtet, i cili ka ambicie politike, që ka librezë partie, që merr pjesë në politikë ditore”, tha mes tjerash.
Halilaj: Albin Kurti prej kohësh ka mbështetur idenë që presidenti duhet të jetë figurë unifikuese, mbi partitë dhe larg interesave të ngushta politike ditore
Anëtari i Guxo, Gazmend Halilaj, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e Albin Kurtit për rolin e presidentit nuk duhet parë domosdoshmërisht si sulm ndaj Vjosa Osmanit, por si dallim në konceptimin e funksionit presidencial.
Ai theksoi se Kurti mbështet idenë e një presidenti unifikues dhe mbi partitë, ndonëse në praktikë është vështirë që presidenti në Kosovë të jetë plotësisht jopartiak për shkak të mënyrës së zgjedhjes së tij.
ImageGazmend HalilajFoto galeri
“Deklaratat e Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me figurën e presidentit kanë hapur shumë diskutime në opinion, sidomos për faktin se ato u interpretuan si një mesazh i tërthortë ndaj Vjosa Osmani. Megjithatë, kjo çështje duket më shumë si një dallim në mënyrën se si konceptohet roli i presidentit sesa si një konflikt i hapur politik. Albin Kurti prej kohësh ka mbështetur idenë që presidenti duhet të jetë figurë unifikuese, mbi partitë dhe larg interesave të ngushta politike ditore. Në këtë kuptim, deklarata e tij mund të shihet si një qëndrim parimor dhe jo domosdoshmërisht si sulm personal ndaj Vjosa Osmanit. Në të njëjtën kohë, është normale që në politikë të ketë dallime qasjesh dhe interpretime të ndryshme për mënyrën se si duhet të ushtrohen funksionet shtetërore.
Nga ana tjetër, është e vështirë të imagjinohet që presidenti i Kosovës të jetë krejtësisht jopartiak, pasi vetë sistemi politik dhe mënyra e zgjedhjes së presidentit lidhen drejtpërdrejt me partitë dhe shumicën parlamentare. Edhe figurat që më pas paraqiten si unifikuese zakonisht vijnë nga një përvojë politike ose mbështetje partiake. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato nuk mund ta ushtrojnë detyrën me përgjegjësi institucionale dhe në interes të të gjithë qytetarëve”, u shpreh ai.
Mes tjerash, shtoi se tensionet që shfaqen herë pas here mes kampit të Albin Kurtit dhe atij të Vjosa Osmanit lidhen më shumë me dallimet në stilin e ushtrimit të pushtetit sesa me ndonjë ndarje të thellë ideologjike.
Sipas tij, Kurti vazhdon të mbajë një qasje më të drejtpërdrejtë dhe konfrontuese në raport me opozitën dhe faktorët ndërkombëtarë, ndërsa Osmani mundohet të ruajë profilin institucional dhe rolin unifikues që i takon presidencës.
“Sa i përket raportit mes Kurtit dhe Osmanit, deri tani nuk mund të flitet për një përplasje të drejtpërdrejtë politike. Të dy kanë bashkëpunuar në momente të rëndësishme politike dhe ndajnë një pjesë të madhe të elektoratit që kërkon ndryshim dhe reformë në Kosovë. Mbështetësit e Albin Kurtit e shohin shpesh këtë deklaratë si përpjekje për të ruajtur standarde më të larta për institucionin e presidentit dhe për të shmangur politizimin e tepërt të këtij posti. Në fund, debati rreth presidentit është më shumë debat për modelin e shtetit dhe mënyrën se si duhet të funksionojnë institucionet, sesa një konflikt personal mes dy figurave politike”, përfundoi Halilaj për “Bota sot”.
Nimani: Ata politikisht tashmë duken të ndarë dhe çdo deklaratë që po bëhet nga të dyja anët po merr gradualisht karakter të fushatës paraelektorale
Kurse, sipas analisti politik Artan Nimani, zhvillimet e fundit në skenën politike tregojnë se raporti mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit nuk është më ai i dikurshmi dhe se dallimet mes tyre po bëhen gjithnjë e më të dukshme në publik.
ImageArtan NimaniFoto galeri
“Realisht, Kosova po shkon në zgjedhjet e 7 qershorit më shumë për shkak të raporteve të prishura dhe ambicieve personale të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit sesa për ndonjë krizë të pashmangshme shtetërore. Ata politikisht tashmë duken të ndarë dhe çdo deklaratë që po bëhet nga të dyja anët po merr gradualisht karakter të fushatës paraelektorale.
Deklarata e Kurtit për presidentin ishte qartë një mesazh ndaj Vjosa Osmanit. Ai praktikisht po e kritikon modelin e saj politik dhe po sinjalizon se nuk e sheh më si figurë konsensuale për të ardhmen. Kjo tregon se raporti i dikurshëm politik mes tyre ka përfunduar dhe tashmë kemi hyrë në fazën e distancimit publik”, tha ai për “Bota sot”.
Ai shtoi se deklaratat e fundit po interpretohen gjithnjë e më shumë si pjesë e një strategjie për rreshtim politik para zgjedhjeve, ku secila palë po tenton të konsolidojë elektoratin e vet.
“Sa i përket idesë së një presidenti “jopartiak”, kjo në Kosovë tingëllon më shumë si retorikë politike sesa realitet. Në praktikë, çdo president deri më sot ka ardhur përmes marrëveshjeve politike dhe mbështetjes partiake. Prandaj, debati aktual lidhet më shumë me kontrollin politik dhe pozicionimin për zgjedhjet e ardhshme sesa me parime kushtetuese apo morale” – përmbylli Nimani për gazetën.
