Pamje të papara më herët: Si ndodhi sulmi në Banjskë dhe si i kapi policia të dyshuarit?
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot ka nisur seanca e radhës për rastin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku pritet të jepet fjala përfundimtare.
Para trupit gjykues janë paraqitur të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Ata akuzohen për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023, ku gjatë sulmit mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe u plagosën disa zyrtarë të tjerë policorë.
https://www.facebook.com/share/v/1B54fh9ePx/
Prokuroria ka publikuar disa pamje ku shihen të akuzuarit prezent në Banjskë, sulmi i tyre dhe momenti kur Blagoje Spasojeviq ik me vrap nga sulmi.
Në videot e prezantuara nga Prokuroria po ashtu shihet edhe momenti kur policia kapi të dyshuarit për sulm.
Avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku, Arianit Koci, ka kërkuar dënimin maksimal për të akuzuarit në rastin e sulmit në Banjskë.
“Dënim me burgim të përjetshëm, nuk ka tjetër”, tha Koci gjatë paraqitjes së tij në gjykatë.
Ai shtoi se mungesa e pendesës dhe e distancimit nga akti e rëndon edhe më shumë rastin.
“Po vazhdon të ‘vritet’ familja e Afrim Bunjakut, sepse askush nuk ka kërkuar falje dhe nuk është distancuar nga ky akt”, deklaroi ai.
Ndërkohë, avokatja Besjana Ismajli tha se e mbështet fjalën përfundimtare të prokurorit Naim Abazi, duke kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim të përjetshëm.
Ajo theksoi se i dëmtuari Qlirim Shaqiri ka pësuar pasoja të rënda fizike dhe psikike si pasojë e sulmit, duke kërkuar edhe kompensim për trajtimin dhe rehabilitimin e tij.
Avokati Naim Rudari, përfaqësues i palës së dëmtuar Alban Rashiti, tha se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim dhe se e mbështet në tërësi prokurorin e shtetit.
“E mbështesim fjalën e prokurorit të shtetit, i cili në mënyrë kronologjike ka elaboruar të gjitha provat e mundshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për të dëshmuar se këta tre të akuzuar janë përgjegjës në kuadër të një grupi të organizuar”, tha Rudari.
Seanca ka përfunduar me dhënien e fjalës përfundimtare të avokatëve të palës së dëmtuar derisa me dakordim të palëve mbrojtja e të akuzuarve fjalën përfundimtare do ta paraqesë në një datë tjetër.
Prokurori Naim Abazi ka kërkuar burgim të përjetshëm për të akuzuarit e sulmit terrorist në Banjskë, të cilët kanë dalë sot para gjykatës, ku po jepet fjala përfundimtare.
Ai theksoi se të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, duhet të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen me dënimin maksimal të paraparë me ligj.
“Vetëm një dënim i tillë reflekton peshën e krimit të kryer dhe seriozitetin e cenimit të rendit kushtetues”, tha prokurori.
Seanca, ku po jepet fjala përfundimtare, po mbahet në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Në fjalën e tij përmbyllëse, prokurori Naim Abazi tha se kjo fazë përmbyllëse e procedurës ka rëndësi të veçantë për rendin juridik, sigurinë publike dhe vetë shtetin e Kosovës.
Ai theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor janë administruar një numër i madh provash materiale dhe personale, përfshirë video-incizime, dokumente zyrtare dhe dëshmi të dëshmitarëve, të siguruara në përputhje me ligjin.
“Sipas provave, nuk kemi të bëjmë me një incident të izoluar, por me një organizim kriminal me qëllime terroriste për cenimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi Abazi.
Prokurori shtoi se pasoja fatale – vrasja e rreshterit Afrim Bunjaku – i atribuohet të gjithë pjesëmarrësve në sulm.
“Këto veprime përbëjnë akte të mirëfillta terroriste, që kanë rezultuar me vrasje dhe plagosje të zyrtarëve policorë, si dhe me përdorim të armëve dhe mjeteve të rrezikshme, duke rrezikuar rendin kushtetues”, tha ai.
Sipas tij, edhe nga deklarimet e mëhershme, përfshirë ato të Milan Radoiçiqit, rezulton se qëllimi i grupit ka qenë destabilizimi dhe cenimi i integritetit territorial të Kosovës.
Abazi theksoi se të akuzuarit nuk janë “kalimtarë të rastësishëm”, por anëtarë aktivë të grupit, të cilët janë arrestuar në vendin e ngjarjes.
Gjatë seancës, prokurori po vazhdon elaborimin e veprimeve konkrete të secilit prej të akuzuarve që janë të pranishëm në gjykim.
