Ngritet aktakuzë për vjedhjen milionëshe të argjendarisë në Prishtinë: Me paratë e vjedhura blenë banesë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë kundër dy personave, me inicialet X.V. dhe B.B., lidhur me vjedhjen e rëndë të ndodhur në janar të këtij viti në një argjendari në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet, ku dëmi i shkaktuar kap vlerën e 1 milion e 236 mijë eurove.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Departamenti i Përgjithshëm i ngarkon të pandehurit për bashkëkryerje të veprave penale “Vjedhja e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Shpërlarja e parave”.
Sipas aktakuzës, gjatë natës së 18 dhe 19 janarit 2026, i pandehuri X.V., në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kishte depërtuar përmes murit të argjendarisë. Me anë të një mjeti elektrik prerës, ata kishin arritur të hapin kasafortën, prej nga kishin marrë rreth gjashtë kilogramë ari, stoli të ndryshme dhe një armë zjarri, duke shkaktuar një dëm total prej 1.236.000 euro.
Më 30 mars 2026, gjatë kontrollit në banesën e të pandehurit X.V., Policia e Kosovës kishte gjetur dhe sekuestruar pa autorizim një pistoletë të llojit “Ekol Tuna”, një karikator dhe tre fishekë.
Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar se dy të pandehurit, X.V. dhe B.B., kishin tentuar t’i pastronin paratë e përfituara nga kjo vjedhje.
Gjatë periudhës 21 janar – 23 shkurt 2026, duke e ditur se paratë e gatshme kishin prejardhje të kundërligjshme, ata i kishin përdorur ato për të blerë një banesë në Prishtinë.
Për të maskuar burimin e parave, e pandehura B.B. kishte depozituar në gjashtë raste të ndryshme gjithsej 44.300 euro në llogarinë e saj bankare, duke i deklaruar rrejshëm si kursime familjare dhe të hyra nga biznesi. Këto mjete më pas janë qarkulluar disa herë nëpër llogari për të krijuar përshtypjen e një transaksioni të ligjshëm. Megjithatë, sipas Prokurorisë, çmimi real i banesës prej 85.000 eurosh i ishte paguar me para të gatshme personit të autorizuar për shitje nga B.B., në prani të X.V.-së, duke u regjistruar kështu banesa në emër të saj.
Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës që, krahas shpalljes fajtorë dhe dënimit të të pandehurve sipas ligjit, të bëhet edhe konfiskimi i përhershëm i banesës së blerë me paratë e vjedhura, si dhe i një veture, pasuri këto që aktualisht ndodhen nën urdhër ndalues përfundimtar.
Njoftimi i plotë: Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, më datë 13 Nëntor 2026, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve X.V., dhe B.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale ‘’Vjedhja e rëndë’’, nga neni 315 i KPRK-së, ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, nga neni 366 i KPRK-së dhe ‘’Shpërlarja e parave’’, nga neni 302 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Sipas aktakuzës, i pandehuri X.V., në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar, dyshohet se gjatë periudhës 18-19 Janar 2026, ka kryer vjedhje të rëndë në një argjendarie në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Të dyshuarit, pasi kanë depërtuar përmes murit të argjendarisë me anë të një mjeti elektrik prerës kanë hapur kasafortën, nga e cila kanë marrë rreth gjashtë kilogramë ari, stoli dhe një armë zjarri. Vlera e dëmit të shkaktuar nga kjo vepër penale, është në vlerë prej 1.236.000 euro. Gjithashtu, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të banesës së të pandehurit X.V., më datë 30 Mars 2026, rreth orës 10:00, Policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një pistoletë të llojit “Ekol Tuna”, një karikator dhe tre fishekë, të cilat i pandehuri i mbante pa autorizim. Sipas Prokurorisë, të pandehurit X.V. dhe B.B., gjatë periudhës 21 Janar deri më datë 23 Shkurt 2026, duke qenë në dijeni se paratë e gatshme që kishin në dispozicion rrjedhnin nga vjedhja e argjendarisë, dyshohet se kanë ndërmarrë veprime me qëllim të fshehjes dhe maskimit të prejardhjes së tyre të kundërligjshme duke i përdorur ato për blerjen e një banese në Prishtinë. Në këtë drejtim, e pandehura B.B., në gjashtë raste, ka depozituar në llogarinë e saj bankare gjithsej 44.300 euro, duke deklaruar se paratë ishin kursime familjare dhe se rrjedhnin nga veprimtari të ligjshme biznesore. Në këtë mënyrë, të njëjtat mjete financiare, dyshohet se janë qarkulluar disa herë përmes llogarive bankare, me qëllim të krijimit të një pamjeje të rremë të një transaksioni të ligjshëm financiar. Ndërkaq, çmimi real i banesës në shumën prej 85.000 eurosh, i ishte paguar në para të gatshme personit të autorizuar për shitjen e saj nga e pandehura B.B., në prani të të pandehurit X.V., me ç’rast ajo ishte bërë blerëse e banesës. Në kuadër të aktakuzës, Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës konfiskimin e përhershëm të dobisë pasurore të realizuar me vepër penale, përkatësisht banesës së blerë në mënyrën e përshkruar, si dhe një veturë, të cilat aktualisht janë nën urdhër ndalues përfundimtar. Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit
