POLITIKATË FUNDIT

LDK kërkon presidentin, a do të ketë marrëveshje VV dhe LDK? Analisti jep përgjigjen dhe paralajmëron për pasojat

Lëvizja Vetëvendosje mund t’i ketë 18 vota të deputetëve të LDK-së për postin e presidentit, vetëm nëse ky post do t’i takojë LDK-së, kështu ka deklaruar nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri.

Haziri në një prononcim për REL, ka thënë se votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie.

“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, ka theksuar Haziri.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të Lumir Abdixhikut si kandidat për kryeministër.

Kjo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por sipas Hazirit, për emrin e Osmanit, LDK-ja nuk do të mund të sigurojë mbështetjen e të gjithë deputetëve të saj.

“Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, ka sqaruar Haziri.

Ai ka shtuar se LDK-ja aktualisht “ka vetëm një adresë kryesore”, të cilës mund t’i drejtohet Lëvizjen Vetëvendosje, për ndonjë marrëveshje eventuale.

“Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së]. Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, u shpreh Haziri.

Rreth deklarimeve të Hazirit, sa real është një skenar i tillë politik, çfarë do të fitonin të dyja palët nga një marrëveshje e tillë, çfarë tregon kjo për raportet e brendshme në LDK dhe për pozicionin aktual të Osmanit ndaj partisë dhe a është ky hap drejt një koalicioni më të gjerë qeverisës apo vetëm një bashkëpunim i kufizuar institucional, ka folur për “Bota sot”, analisti politik Eduard Gashi.

Sipas tij, deklaratat e fundit nga Haziri kanë hapur një kapitull të ri të pragmatizmit politik në Kosovë dhe skenari është real, por bart rreziqe ekzistenciale për vetë LDK-në.

“Deklaratat e fundit të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, kanë hapur një kapitull të ri të pragmatizmit politik në Kosovë, duke sinjalizuar një gatishmëri të mundshme për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në këmbim të postit të Presidentit. Nëse e analizojmë këtë lëvizje pa doreza diplomacie, ky skenar nxjerr në pah një rregull të artë të skenës sonë politike: Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund t’i besohet asnjëherë në marrëveshje afatgjata. Tregtia me postin e Presidentit: Çfarë fshihet pas pazarit?

Skenari ku LDK-ja ofron 18 votat e saj për kuorum dhe zgjedhje të presidentit është plotësisht real, por mbart rreziqe ekzistenciale për vetë LDK-në.

Nga njëra anë, LDK-ja synon rikthimin në qendër të vendimmarrjes përmes një figure si Lumir Abdixhiku apo Lutfi Haziri, duke tentuar të portretizohet si “shpëtimtare e shtetit” nga krizat kushtetuese. Nga ana tjetër, Albin Kurti blen rehati absolute. Duke siguruar kuorumin, ai eliminon rrezikun e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe mban ekzekutivin pa lëshuar pe në dikasteret kryesore. Megjithatë, historia politike e Kosovës ka vërtetuar se VV-ja i përdor partnerët vetëm si mjete për të kaluar pengesën e radhës. Për Kurtin, çdo marrëveshje është taktike, jo parimore. Në momentin që LDK-ja dorëzon votat dhe betonon Kurtin në kryeministri, ajo humb të vetmen kartë presioni që ka në dorë”, deklaron Gashi.

ImageEduard GashiFoto galeri
Deklarata se LDK mund të unifikohet rreth Abdixhikut apo vetë Hazirit, sipas Gashit, është mesazh për raportet e brendshme dhe fatin politik të ish- presidentes.

Sipas tij, kjo dëshmon se plagët e vitit 2020 kur Osmani braktisi LDK-në nuk janë shëruar.

“Izolimi i Vjosa Osmanit dhe spastrimi i llogarive të vjetra!

Deklarata e Hazirit se LDK-ja mund të unifikohet rreth Abdixhikut apo vetë atij, por “jo domosdoshmërisht rreth Vjosa Osmanit”, është një mesazh i qartë për raportet e brendshme dhe fatin politik të ish- Presidentes.Kjo tregon se plagët e vitit 2020 – kur Osmani braktisi LDK-në dhe krijoi listën “Guxo” për t’u bërë presidente me votat e VV-së – nuk janë shëruar. LDK-ja e sotme nuk ka asnjë interes të investojë kapital politik për ta mbajtur Osmanin në post. Sot, Vjosa Osmani gjendet më e izoluar se kurrë: raportet e saj me Albin Kurtin janë ftohur dukshëm, partia e saj “Guxo” është shkrirë nën hijen e VV-së, dhe LDK-ja sapo ia mbylli përfundimisht derën e rikthimit. Mesazhi është i prerë: nëse bëhet pazar, përfiton LDK-ja, jo ata që e braktisën atë”, thekson analisti.

Në fund, sipas Gashit, nëse marrëveshja për presidentin realizohet ajo nuk do të jetë hap drejt një koalicioni të gjerë.

“Koalicion qeverisës apo thjesht transaksion institucional?Nëse kjo marrëveshje realizohet, ajo nuk do të jetë kurrë një hap drejt një koalicioni të gjerë dhe të sinqertë qeverisës. Albin Kurti nuk dëshiron të ndajë pushtetin ekzekutiv, buxhetin apo ministritë me një partner që mund t’i bëjë obstrukcione nesër. Për VV-në, partneri ideal është ai që nuk kushtëzon. Prandaj, ky bashkëpunim do të mbyllej si një “kontratë shërbimi” e kufizuar: LDK-ja kryen punë në Kuvend për Presidentin, VV-ja qeverisë e vetme. Duke hyrë në një marrëveshje të tillë pa garanci të forta, LDK-ja rrezikon të shihet nga votuesit e saj thjesht si një “patericë” e Vetëvendosjes. Në lojën e shahut politik, Kurti njihet për sakrifikimin e figurave të të tjerëve për të mbrojtur Mbretin. Nëse LDK-ja beson se një nënshkrim në letër e obligon VV-në të respektojë marrëveshjen për pesë vitet e ardhshme, ata po përsërisin të njëjtin gabim naiv që u kushtoi shtrenjtë në të kaluarën”, përfundon Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *