TË FUNDIT

Ndërprerja masive e Microsoft lë milionë përdorues pa Outlook dhe Teams: Problemet vazhdojnë për orë të tëra

Një ndërprerje masive globale, që preku më shumë shërbime kompjuterike (cloud) të Microsoft-it, përfshirë email-in Outlook dhe platformën e mesazheve Teams, ka lënë përdoruesit në mbarë botën pa akses në shërbime që janë bërë pjesë e pandashme e punës së përditshme. Ndërprerja vazhdoi edhe të premten, ndërsa gjiganti teknologjik përpiqej të rivendoste shërbimin, thelbësor për funksionimin e përditshëm të qeverive, shkollave dhe bizneseve në mbarë botën, siç raporton NBCNews.

Duke filluar rreth orës 12:50 (sipas orës ET) të enjten, Microsoft-i nisi të njoftonte përdoruesit e produkteve të tij në rrjetet sociale se po “hetonte raportimet për probleme në qasjen në Exchange Online”, shërbimi i tij i email-it.

Qarkullimi i email-eve nga përdoruesit (450 milionë përdorues) e gjigantit teknologjik u ndërprenë rreth mesditës. Programet e email-it ngrinë ose u mbyllën papritur, ndërsa pajisjet celulare nuk mund të rifreskonin kutitë hyrëse apo të dërgonin mesazhe.

Sipas një njoftimi në faqen e internetit të kompanisë, problemet prekën edhe produktet e destinuara për konsumatorët individualë: “Ky problem prek Outlook.com, OneDrive, OneNote, To Do, Teams dhe Microsoft 365 për ueb.”

Gjatë ditës, problemet u përhapën më tej. Deri në orën 23:00 (ET) të enjtes, faqet e Microsoft-it që tregojnë statusin e shërbimeve raportonin se Exchange Online, Copilot, Microsoft Planner, SharePoint, Microsoft To Do, Windows 365, shërbimet e printimit në renë kompjuterike dhe programet për menaxhimin e pajisjeve celulare po përballeshin të gjitha me probleme.

Pak orë pas nisjes së krizës, gjiganti teknologjik bëri të ditur përmes një njoftimi në platformën X gjatë natës,se përpjekjet “për të përmirësuar funksionimin e shërbimeve” nuk po jepnin “rezultatet e pritshme”.

Rreth orës 14:50 (ET), kompania njoftoi se po “testonte një ndryshim në konfigurim” të serverëve të saj në cloud. Rreth orës 16:40 (ET), ajo njoftoi se po riniste punën e “serverëve të prekur, për t’i rikthyer ata në shërbim”.

Pak minuta më vonë, Microsoft-i shpjegoi se një “proces thelbësor në serverët e prekur po mbingarkohej, duke shkaktuar humbje të kapacitetit”, duke shtuar se po “ridrejtonte trafikun” për të lehtësuar ngarkesën në serverët që kishin mbetur ende në funksion.

Megjithatë, pak më vonë, kompania njoftoi sërish: “Serverët që rikthyem në shërbim mund të ndalojnë sërish së përgjigjuri sapo të fillojnë të marrin ngarkesë. Po analizojmë të dhënat për të përcaktuar se çfarë po e shkakton këtë sjellje.”

Përditësimet vazhduan edhe gjatë natës. Në orën 23:36, Microsoft-i bëri të ditur se përpjekjet për të stabilizuar serverët po vazhdonin, ndonëse vërehej një “rimëkëmbje e pjesshme në rajonet ku janë zbatuar këto ndryshime”, kjo nuk çoi në një “rimëkëmbje të qëndrueshme”.

Kur punonjësit mbërritën në zyra të premten në mëngjes, kompania konfirmoi se po vazhdonte të punonte për zgjidhjen e problemit.

Në përditësimin e saj më të fundit, rreth orës 07:00 (ET), Microsoft-i njoftoi se po vërehej një “progres inkurajues në rimëkëmbjen e shërbimeve në Evropë, me përmirësime në disponueshmërinë e shërbimit dhe dërgimin e email-eve në një pjesë gjithnjë e më të madhe të infrastrukturës së prekur të Microsoft 365”. Kompania shtoi se “edhe situata në Amerikën e Veriut po përmirësohet. Megjithatë, disa përdorues mund të hasin ende probleme të herëpashershme ndërsa vazhdojnë përpjekjet për rimëkëmbjen e plotë”.

Microsoft-i nuk ka komentuar përmes kanaleve të zakonshme të komunikimit.NBC News u përpoq të kontaktonte përfaqësuesit e kompanisë përmes disa numrave telefonikë, por pa përgjigje, ndërsa një email i dërguar adresës së marrëdhënieve me publikun u kthye me gabim, me njoftimin se serveri ishte “i padisponueshëm”. Në një deklaratë për Bloomberg News , një zëdhënës i Microsoft tha: “Ne e vlerësojmë durimin e klientëve tanë ndërsa punojmë për të rivendosur shërbimet sa më shpejt të jetë e mundur.”

Problemi shkaktoi kaos në vendet e punës në mbarë botën. Në Shtetet e Bashkuara, punonjësit e disa kompanive u larguan më herët nga puna të enjten, të tjerët vijuan punën përmes Slack, telefonit apo ballë për ballë. Disa përdorues në rrjetet sociale reaguan me ironi ndaj shpjegimeve teknike, ndërsa të tjerë shpresonin që email-i të qëndronte jashtë funksionit edhe të premten, duke shpresuar për një ditë pushimi të paplanifikuar.

Te prodhuesi i kamionëve “Workhorse Group” , ndërprerja e detyroi kompaninë të shtynte publikimin e raportit të fitimeve, i planifikuar të dilte të enjten pasdite. “Shtyrja vjen si pasojë e ndërprerjeve në veprimtarinë e biznesit, të shkaktuara nga problemet globale me sistemet e Microsoft-it që po ndodhin sot”, u shpreh kompania në njoftim.

Edhe institucionet publike u prekën. Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut të Los Anxhelosit, Departamenti i Sherifit të po këtij qarku dhe agjenci të tjera qeveritare në Kaliforni njoftuan se komunikimi i tyre ishte ndërprerë, raportoi “NBC Los Angeles”. Në Uashington, shërbimet e postës elektronike në agjencitë federale dhe në “Capitol Hill” (selinë e Kongresit) gjithashtu pësuan ndërprerje.

Në Kolorado, Zyra e Sherifit të Qarkut Arapahoe njoftoi se ndërprerja po ndikonte në pagesat online të garancisë për personat që mbahen në qendrën e paraburgimit: “Derisa të rikthehet funksionimi i postës elektronike ‘Outlook’, kushdo që duhet të paguajë garancinë për t’u liruar menjëherë, duhet ta bëjë këtë fizikisht pranë burgut.”

Në Australi, dita e premte nisi me konstatimin se shërbimet cloud të Microsoft nuk po funksiononin. Bizneset nuk mund të printonin faturat, ndërprerja nxori jashtë funksionit transmetimet e drejtpërdrejta nga gjykatat, ndërsa shkollat u dërguan mesazhe prindërve, duke u kërkuar që mungesat e nxënësve t’i njoftonin me telefon.

Transmetuesi publik australian ABC raportoi se disa persona humbën intervistat e punës, pasi nuk mund të lidheshin me takimet virtuale. Ndërprerja shkaktoi gjithashtu probleme me furnizimin e disa qendrave të shpërndarjes që furnizojnë supermarketet.

Platforma Downdetector regjistroi në momentin e pikut 130 mijë raportime për probleme me Outlook. Megjithatë, kjo shifër nuk pasqyron përmasat reale të ndërprerjes, pasi shumica e përdoruesve nuk i raportojnë problemet që përjetojnë.

Ndërprerjet madhore, si ajo e Microsoft-it, nuk janë të paprecedenta, por janë bërë gjithnjë e më të rralla. Në vitin 2024, një defekt në një program sigurie bëri që pajisjet me sistemin Windows në mbarë botën të bllokheshin, duke shfaqur atë që njihet si “ekrani blu i vdekjes” i Microsoft-it. Ky problem paralizoi linjat ajrore, kompanitë dhe sistemet kritike.

Disa shërbime të tjera kritike në cloud të Microsoft-it, si platforma e saj kompjuterike në cloud “Azure”,e cila mbështet funksionimin e shumë faqeve të internetit dhe aplikacioneve, vazhduan të funksiononin normalisht dhe nuk patën probleme të tjera. Burimet: BBCNews/NBCNews/ABCNews/X.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *