Nga “Kosovo” në “Kosova”: Më shumë se një ndryshim germash, një akt vetëvendosje
Në botën e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, asgjë nuk është rastësi; as një presje, as fluska, as një prapashtesë.
Së fundmi në qeverinë Kurti vërehet një veprim gjithnjë e më i qartë në forumet e larta ekonomike dhe politike: zëvendësimi i termit “Kosovo” me emërtimin autokton “Kosova”.
Ndonëse për një vëzhgues sipërfaqësor kjo mund të duket si një detaj teknik gjuhësor, por nga pikëpamja e teorisë së retorikës dhe shkencave politike, kjo është një fitore e identitetit shqiptar mbi dhunën kulturore, historike e administrative serbe/sllave.
Pse e them këtë e pse mendoj kështu të nderuar lexues?
E them këtë se gjuha dhe fotografia janë mjet i “ndërtimit” të kombit/shtetit
Sipas teoricienit të njohur të retorikës, Maurice Charland, gjuha nuk shërben vetëm për të përshkruar një realitet, por për ta “konstituuar” (ndërtuar) atë.
Kur në ekranet e konferencave ndërkombëtare (siç u pa sonte në prezantimet krah partnerëve si Gjermania) shkruhet “Republic of Kosova”, bota nuk po njeh thjesht një shtet, por po njeh një identitet specifik; identitetin shqiptar brenda shtetit të Kosovës.
Ky ndryshim i prapashtesës është një akt i retorikës konstitutive: ai e zhvendos subjektivitetin e shtetit nga një emërtim i trashëguar prej pushtimit serb/jugosllav, në një emërtim që buron nga vetë populli shqiptar që e përmbushë atë. Është kalimi nga një objekt i emërtuar prej të tjerëve, pra Serbisë së moçme, në një subjekt që emërton veten; pra shqiptaren si politikë.
Michael Calvin McGee ka argumentuar që herët se fjalët e caktuara shërbejnë si simbole që mbartin peshë të madhe ideologjike. Për shekuj, termi sllav “Kosovo” ka funksionuar si një simbol që e lidhte Kosovën me sferën e ndikimit kulturor, historik dhe politik sllav: sikurse “Stara Serbia” (Serbia e vjetër)
Përdorimi i “Kosova” në anglisht, e jo “Kosovo”, shënon dekolonizimin e këtij simboli serb. Kjo sinjalizon një shkëputje përfundimtare nga prapashtesa serbe/sllave, duke e prezantuar Kosovën si një entitet me karakter të qartë shqiptar. Ky nuk është nacionalizëm gjuhësor, por një kërkesë për saktësi historike dhe demografike në skenën globale.
Fuqia e retorikës pamore
Në analizat e tij mbi retorikën pamore, profesori im danez, retorikasi i njohur Jens Kjeldsen, thekson se mënyra se si diçka paraqitet vizualisht ndikon në “prezencën” e saj në mendjen e publikut. Kur shohim “Republic of Kosova” të shkruar në sfondin e një foltoreje ku flitet për rritje industriale dhe partneritet evropian, efekti është i dyfishtë:
1. Legjitimiteti: Emri autokton fiton të njëjtin autoritet me emrat e shteteve të tjera sovrane.
2. Normalizimi: Publikja ndërkombëtare fillon ta perceptojë rrënjën “Kosova” si standardin e ri, duke e larguar gradualisht terminologjinë e vjetër, dhe të imponuar, sllave nga përdorimi zyrtar.
Konsekuent deri në fund:
Beteja për emrin me identitetin shqiptar ka qenë gjithmonë pjesë e betejës sonë për ekzistencë.
Fakti që sot “Kosova” po shkruhet me “A” në panteonin e marrëdhënieve ndërkombëtare, dëshmon se subjektiviteti politik i Kosovës është pjekur.
Ky tranzicion gjuhësor është dëshmia se Kosova nuk po kërkon më vetëm të njihet si territor, por po kërkon të njihet si identitet shqiptar; një shtet që flet me zërin e tij, në gjuhën e tij shqipe, duke e rindërtuar të ardhmen me simbolet historike shqiptare që i takojnë jo vetëm Kosovës, por tërë hapësirës shqiptare në Ballkan.
