POLITIKATË FUNDIT

“Rebelja e dikurshme, pjesë e sistemit”, Gashi flet rreth rikthimit të Osmanit në LDK/ Ja tre skenarë të mundshëm pas 7 qershorit

Formoi listën “Guxo”, pastaj u bë presidente dhe kjo listë mbeti nën drejtimin e Donika Gërvallës, por tani ish- presidentja Vjosa Osmani vendosi të rikthehet “në shtëpi”, pra tashmë edhe zyrtarisht do të jetë pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Osmani e cila ishte edhe në të kaluarën në LDK, nga Këshilli i kësaj partie për zgjedhjet e 7 qershorit, u vendos kandidate për presidente dhe bartëse e listës zgjedhore, ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër.

Në organizimin e LDK-së i cili shënoi bashkimin e Vjosa Osmanit me LDK-në, ish- presidentja ka thënë se po kthehet në shtëpinë e saj.

Para të pranishmëve, ajo deklaroi se ky ribashkim është dëshmi që duhet ditur të jesh më i madh se ndasitë.

“Mirë se ju rigjeta, motra e vëllezër kemi qenë gjithmonë. Nga thellësia e shpirti dhe në çdo rrahje të zemrës, dua t’iu them zemërplotë, po kthehem në shtëpinë time. Po kthehem këtu ku nisi ëndrra jonë e përbashkët për Kosovën e lirë të pavarur dhe demokratike e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Familja nuk është vendi ku gjithmonë pajtohesh por është vendi ku gjithmonë përket. Sot ky ribashkim është dëshmi se ne dimë të jemi më të mëdhenj se ndasitë tonë”, ka deklaruar Osmani.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij u shpreh se subjekti po hyn në një fazë të re me më shumë unitet dhe vendosmëri.

“Po vijmë kësaj here më të fortë, më të bashkuar, më të përkushtuar, me zemër të plotë dhe mendje të fortë… kjo është LDK-ja jonë”, u shpreh Abdixhiku.

Teksa tha se kësaj rruge i ka hyrë së bashku me një grua të fortë dhe të pathyeshme.

“Në këtë rrugëtim jam bashkë me një grua të fortë e te pathyeshme – me Vjosa Osmanin”, ka shtuar kreu i LDK-së, pos fjalëve e premtimeve tjera.

Analisti politik, Lirim Gashi, thotë se LDK e Vjosa Osmani u takuan në mes të urës së interesit politik.

Sipas tij, rikthimet në politikën ballkanike rrallëherë duken si pajtime historike.

“Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK nuk është kthim sentimental i “bijës së humbur” në shtëpinë politike, por një marrëveshje e ftohtë mes nevojës dhe interesit. Në politikën shqiptare askush nuk rikthehet nga nostalgjia ideologjike, sepse ideologjitë këtu ndërrohen më shpejt se fotografitë e profilit gjatë fushatës elektorale. LDK-ja e kuptoi se pa një figurë me peshë publike rrezikon të mbetet muze emocional i rugovizmit, ndërsa Vjosa Osmani e kuptoi se politika në Kosovë nuk mbahet gjatë vetëm me aureolë morale dhe postime patriotike në Facebook. Prandaj të dyja palët u takuan në mes të urës së interesit politik: njëra kërkon oksigjen elektoral, tjetra strukturë partiake dhe terren për mbijetesë afatgjatë. Por problemi është se rikthimet në politikën ballkanike rrallëherë duken si pajtime historike; zakonisht ngjajnë me rikthimin e ish-bashkëshortëve që kanë kaluar vite duke sharë njëri-tjetrin nëpër darka familjare. Publiku nuk harron aq lehtë. Sidomos militantët”, shprehet Gashi për “Bota sot”.

ImageLirim GashiFoto galeri
Osmani mund të rikthejë në LDK një pjesë të elektoratit urban dhe sentimental, thotë Gashi, por sipas tij, ajo ende posedon një kapital simbolik që lidhet me imazhin e “rebeles së dikurshme” .

Gashi thotë se mund të ketë efekt të dyfishtë rikthimi i saj në LDK.

“Vjosa Osmani mund t’i rikthejë LDK-së një pjesë të elektoratit urban dhe sentimental që është lodhur nga fytyrat burokratike pa energji, sepse ajo ende posedon një kapital simbolik që lidhet me imazhin e “rebeles së dikurshme” kundër establishmentit partiak. Por këtu qëndron paradoksi: pikërisht miti mbi të cilin ajo u ngrit politikisht — rebelimi kundër elitës së vjetër të LDK-së — mund të shkatërrohet nga rikthimi te ajo elitë. Një pjesë e votuesve mund ta interpretojnë këtë si kapitullim moral, jo si pajtim strategjik. Pra, efekti mund të jetë i dyfishtë: një pjesë e elektoratit të zhgënjyer mund të rikthehet nga nostalgjia për figurën e saj; ndërsa një pjesë tjetër mund të largohet sepse e sheh këtë rikthim si transformimin klasik të politikanëve ballkanikë: nga revolucionarë verbalë në administratorë të sistemit që dikur e sulmonin. Në politikë, publiku fal shumë gjëra, por rrallë fal kontradiktat e tepërta. Sidomos kur ato duken si luftë për pushtet dhe jo për parime”, pohon analisti.

Rikthimi i Osmanit në LDK nxori në sipërfaqe përçarjen që ekzistonte prej kohës, thotë Gashi, duke përmendur tri skenarë që mund të ndodhin pas 7 qershorit.

Gashi shton se problemi më i madh i LDK-së sot nuk është vetëm mungesa e votave, por mungesa e një identiteti të qartë politik.

“LDK-ja prej kohësh nuk është më parti homogjene, por federatë nervozash, nostalgjish dhe interesash rajonale që bashkëjetojnë nën hijen e emrit historik të Ibrahim Rugovës. Rikthimi i Vjosa Osmanit vetëm sa e nxori në sipërfaqe përçarjen që ekzistonte prej kohësh. Një krah e sheh atë si shansin e fundit për t’i dhënë partisë energji, profil publik dhe kontakt me brezat më të rinj. Krahu tjetër e sheh si figurë që dikur e demonizoi vetë LDK-në dhe tani po rikthehet jo për dashuri ideologjike, por për kalkulim politik. Pas 7 qershorit mund të ndodhin tri skenarë: Konsolidim i përkohshëm – nëse rikthimi prodhon rritje elektorale, shumë kundërshtarë të brendshëm do të heshtin për interesa pragmatike. Në politikën tonë fituesi shpallet menjëherë “vizionar”. Luftë e brendshme për kontrollin e partisë – nëse rezultatet mbeten të dobëta, do të fillojë rituali tradicional ballkanik i therjes politike brenda partisë, ku secili fajëson tjetrin për humbjen. Fragmentim gradual i LDK-së – nëse tensionet vazhdojnë, LDK-ja rrezikon të shndërrohet në parti të fraksioneve permanente, ku secili grup ruan liderin, egon dhe matematikën e vet elektorale. Problemi më i madh i LDK-së sot nuk është vetëm mungesa e votave, por mungesa e një identiteti të qartë politik. Dhe asnjë rikthim individual, sado mediatik, nuk e zgjidh vetvetiu krizën e identitetit”, përfundon Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *