“Ligji nuk njeh etni” – mesazh i fortë pas polemikave për rrënimin e shtëpive në Ujman
Aksioni i autoriteteve të Kosovës për shembjen e 11 shtëpive të ndërtuara pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit ka vazhduar të jetë në qendër të vëmendjes, duke shkaktuar reagime të ndryshme si në vend, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.
Ekskavatorët, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nisën të martën rrënimin e objekteve, për të cilat institucionet thanë se ishin ndërtuar në pronë publike të Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.
Lidhur me këtë çështje, kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, në një deklaratë të dhënë dje për gazetën “Bota sot”, theksoi se parcelat ku janë ndërtuar objektet janë pronë e ndërmarrjes që nga viti 1973, kur ishte kryer shpronësimi për ndërtimin e Liqenit të Ujmanit.
Ai nënvizoi se aksionet për lirimin e pronave publike do të vazhdojnë në çdo rast të uzurpimeve dhe ndërtimeve pa leje, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të personave të përfshirë.
Megjithatë, zhvillimet kanë ngjallur edhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u shpreh e shqetësuar për vendimin e autoriteteve të Kosovës dhe u bëri thirrje institucioneve që të ndalin rrënimet, duke shprehur keqardhje për aksionin e ndërmarrë. Të njëjtin qëndrim e ndanë edhe Ambasada e Gjermanisë dhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, të cilat ngritën shqetësime për respektimin e procedurave të rregullta ligjore në këtë dhe raste të tjera të ngjashme në veri të vendit.
Lushaj: Ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në çdo cep të Kosovës
Lidhur me këtë çështje, njohësi i sigurisë Adem Lushaj në një prononcim për “Bota sot” vlerëson se aksioni duhet të shihet si zbatim i ligjit dhe mbrojtje e pronës publike.
Sipas tij, nëse institucionet kanë vepruar në përputhje me procedurat ligjore, atëherë bëhet fjalë për përmbushje të detyrimeve shtetërore dhe jo për një çështje që duhet parë përmes prizmit etnik apo politik.
“Aksioni për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në bregun e Liqenit të Ujmanit duhet parë para së gjithash në prizmin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së pronës publike. Nëse institucionet kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe pas procedurave të rregullta, atëherë ky është një obligim i shtetit dhe jo një çështje që duhet të vlerësohet sipas përkatësisë etnike apo interesave politike”, tha ai për gazetën.
Sa i përket reagimeve të ndërkombëtarëve, Lushaj vlerëson se shqetësimi për ruajtjen e stabilitetit është i kuptueshëm, por thekson se stabiliteti afatgjatë arrihet vetëm përmes zbatimit të barabartë të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.
“Reagimi i Bashkimit Evropian, i cili bën thirrje për shmangie të tensioneve, është i kuptueshëm nga këndvështrimi i ruajtjes së stabilitetit. Megjithatë, stabiliteti afatgjatë ndërtohet mbi sundimin e ligjit, jo mbi tolerimin e shkeljeve. Ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në çdo cep të Kosovës.
Ky rast duhet të shërbejë si shembull që institucionet të veprojnë njësoj edhe në pjesë të tjera të vendit, sidomos në zonat e mbrojtura dhe në parqet kombëtare, si Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit, ku ndër vite janë evidentuar ndërtime pa leje dhe ndërhyrje që dëmtojnë mjedisin dhe pasurinë publike. Mbrojtja e natyrës dhe e pronës publike nuk duhet të jetë selektive, por një standard i njëjtë për të gjithë. Vetëm kështu forcohet besimi i qytetarëve në institucionet e shtetit dhe ndërtohet një shtet i së drejtës, ku ligji respektohet pa përjashtime”, përfundon ai.
Jakupi: Ky rast jep një mesazh të rëndësishëm: sundimi i ligjit duhet të vlejë njësoj për të gjithë dhe prona publike duhet të mbrohet nga uzurpimi apo përdorimi i paligjshëm
Kurse, analisti politik, Zejnullah Jakupi vlerëson se rrënimi i objekteve pa leje është i arsyeshëm nëse është kryer në përputhje me ligjin, por thekson se institucionet duhet të garantojnë transparencë, trajtim të barabartë dhe të shmangin çdo perceptim për zbatim selektiv të ligjit.
“Aksioni për rrënimin e objekteve pa leje në bregun e Liqenit të Ujmanit mund të vlerësohet si një veprim në funksion të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së pronës publike, nëse autoritetet kanë vepruar mbi bazën e procedurave të rregullta ligjore dhe vendimeve kompetente. Çdo ndërtim pa leje në pronë publike krijon precedent të rrezikshëm, sepse dobëson respektimin e ligjit dhe dëmton interesin e përgjithshëm.
Megjithatë, në raste të tilla është e rëndësishme që institucionet të tregojnë transparencë, të sigurojnë trajtim të barabartë për të gjithë dhe të shmangin çdo perceptim se ligji po zbatohet në mënyrë selektive ose me motive politike. Në zona të ndjeshme, si veriu i Kosovës, çdo veprim duhet të shoqërohet me kujdes institucional dhe komunikim të qartë”, tha ai për “Bota sot”.
Sa i përket reagimit të Bashkimit Evropian, Jakupi thotë se ai duhet parë si një thirrje për kujdes dhe transparencë në zbatimin e ligjit, e jo si kundërshtim ndaj tij.
Sipas tij, mbrojtja e pronës publike dhe respektimi i të drejtave të qytetarëve duhet të ecin paralelisht, me zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë.
“Reagimi i Bashkimit Evropian mund të si një thirrje për kujdes dhe dialog, sidomos për shkak të ndjeshmërisë politike dhe të sigurisë në atë zonë. Megjithatë, kërkesa për ndalimin e një aksioni nuk duhet të interpretohet si kundërshtim ndaj sundimit të ligjit; më shumë duhet parë si kërkesë që zbatimi i ligjit të bëhet në mënyrë të koordinuar, transparente dhe pa rrezikuar tensione të reja.
Ky rast jep një mesazh të rëndësishëm: sundimi i ligjit duhet të vlejë njësoj për të gjithë dhe prona publike duhet të mbrohet nga uzurpimi apo përdorimi i paligjshëm. Në të njëjtën kohë, institucionet duhet të dëshmojnë se ligji zbatohet me profesionalizëm, drejtësi dhe paanshmëri, sepse vetëm kështu ndërtohet besimi i qytetarëve dhe forcohet demokracia. Në këtë rast duhet të ruhet një ekuilibër mes të drejtave të individit dhe interesit publik. E drejta e pronës private është një nga të drejtat themelore dhe duhet të respektohet gjithmonë, për aq sa ajo ushtrohet brenda kufijve të ligjit. Por, asnjë e drejtë individuale nuk mund të përdoret për të cenuar pronën publike, hapësirat e përbashkëta apo rregullat që vlejnë për të gjithë.
Nëse një objekt është ndërtuar pa leje ose në pronë publike, institucionet kanë përgjegjësi të zbatojnë ligjin, edhe kur përballen me kundërshtime nga pronarët apo përdoruesit e objektit. Në një shtet ligjor, vendimi nuk duhet të varet nga presioni apo rezistenca e momentit, por nga procedurat ligjore, transparenca dhe e drejta e ankimit.
Ky rast tregon se rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë qytetarët, pavarësisht vendit apo rrethanave. Mbrojtja e pronës publike dhe zbatimi i ligjit nuk janë kundër të drejtave të individit; përkundrazi, ato janë garanci që të drejtat e secilit të mbrohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Bashkimi Evropian ka një rol të rëndësishëm që të monitorojë procese të tilla, veçanërisht në zona të ndjeshme si veriu i Kosovës, për të siguruar që zbatimi i ligjit të bëhet në mënyrë të drejtë dhe pa shkelur të drejtat e askujt, përfshirë edhe komunitetin serb”, theksoi ai.
Në përfundim, Jakupi potencon se çdo vlerësim për këtë aksion duhet të mbështetet në fakte dhe procedura ligjore, ndërsa roli i BE-së duhet të jetë monitorimi i procesit dhe garantimi i zbatimit të barabartë të ligjit për të gjithë.
“Megjithatë, vlerësimi i një aksioni duhet të bazohet në fakte, dokumente dhe procedura ligjore, jo vetëm në perceptime politike. Nëse institucionet e Kosovës kanë vepruar mbi bazën e ligjit dhe me respektimin e të drejtave procedurale të qytetarëve, atëherë mbrojtja e pronës publike dhe zbatimi i vendimeve ligjore janë pjesë normale e funksionimit të një shteti demokratik.
Prandaj, qasja më e dobishme e BE-së do të ishte jo thjesht kërkesa për ndalimin e një veprimi, por monitorimi i procesit, verifikimi i fakteve dhe sigurimi që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa dallim etnie apo përkatësie”, përmbylli ai për “Bota sot”.
