Kryeziu me mesazh të qartë para 9 shtatorit: Ja çfarë duhet të ndodhë fillimisht
Deputetët e zgjedhur pritet të mblidhen më 9 shtator për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në një përpjekje për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit pas zgjedhjeve të qershorit.
Seanca pritet të zhvillohet në një situatë të ndjeshme politike, pasi zvarritja e konstituimit të Kuvendit ka penguar edhe krijimin e institucioneve të tjera shtetërore. Përfundimi i këtij procesi shihet si një hap i rëndësishëm për tejkalimin e krizës politike, e cila tashmë është shtrirë për gati dy vjet.
Në seancën e 9 shtatorit pritet të shihet nëse subjektet politike do të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i siguruar votat e nevojshme dhe për ta bërë funksional Kuvendin. Zhvillimet në këtë seancë mund të përcaktojnë edhe rrjedhën e mëtejshme të procesit për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria, ndërsa më pas të trajtohet çështja e presidentit.
“Mendoj se duhet të konstituohet parlamenti, qeveria e pastaj presidenti nëse ka ndonjë marrëveshje.
Tani çdo veprim është politik”, tha shkurt ai për “Bota sot”.
Kujtojmë, se dy partitë më të mëdha opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë të hënën se do të marrin pjesë në seancën për konstituimin e Kuvendit, i cili hap rrugën për formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit të ri.
