VV-ja s’do me PDK-në. AAK-ja s’do me VV-në. LDK-ja e përçarë
Mjegull mbi marrëveshjen e mundshme politike për formimin e institucioneve kanë hedhur zyrtarë të lartë të partive parlamentare. Teksa Donika Gërvalla e koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje ka refuzuar një marrëveshje potenciale me Partinë Demokratike të Kosovës, rrugët për koalicion me VV-në i ka mbyllur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Në partinë tjetër, Lidhjen Demokratike të Kosovës janë shpërfaqur përplasje për lidership.
“Partia Demokratike e Kosovës ende sot përfaqëson atë pjesë të skenës politike e cila është përgjegjëse për një dozë të jashtëzakonshme të krimit dhe korrupsionit që ka sunduar në vendin tonë. Prandaj sidomos me PDK-në, Partia Guxo nuk ka as edhe një gjë të përbashkët. Për të luftuar korrupsionin dhe krimin? Jo”, ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të martën Gërvalla, bashkëkryetarë e Partisë Guxo, pjesë e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje. Ajo ka thënë se PDK-ja “formalisht e ka një kryetar, por praktikisht i ka disa”. Sipas saj, “s’mund të çohet vendi përpara me PDK-në në këtë gjendje në të cilën është sot”.
Për një marrëveshje të mundshme me LDK-në, Gërvalla ka thënë se aty ekzistojnë disa rryma dhe se pas përplasjeve të fundit duhet të ketë vëzhgim më me kujdes si partner potencial.
“Çfarë unë vërej në LDK është se janë disa rryma të ndryshme, problem është sot të flitet me LDK-në sepse nuk dihet me cilën rrymë je duke folur. Më shumë se dy rryma. Prandaj duhet të shohim ditët e ardhshme cila rrymë do të fitojë. Kjo e sotmja që ka ndodhur na bën ta vëzhgojmë me kujdes situatën brenda kësaj partie sepse nëse duam të bëjmë çfarëdo koalicione, duhet ta dimë. Nuk është detyrë e imja ta krijojë unitetin brenda LDK-së, unë kam dështuar ta krijojë unitetin brenda LDK-së. Dy vjet pasi më kanë trajtuar në mënyrën më të shëmtuar, jam dorëhequr”, ka thënë ajo.
Në LDK të martën tri degë kërkuan dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit. Abdixhiku refuzoi e u kërkoi kryetarëve të degëve ta bëjnë një gjë të tillë. Madje me akuza për sabotim.
Nga kjo parti, është paralajmëruar mundësia për negocim me Vetëvendosjen. Nënkryetari Lutfi Haziri ka përmendur një “pako gjithëpërfshirëse” për president, Qeveri e Kuvend.
E Abdixhiku nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS nëse është kontaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje apo edhe se si do t’i përgjigjej një ftese potenciale për të diskutuar për marrëveshje të mundshme.
Përgjigje nuk ka dhënë as Bedri Hamza i PDK-së. Ai më herët ka deklaruar se nuk ka vija të kuqe. Por akterë të PDK-së, si kryetari i degës në Skenderaj, Sami Lushtaku, kanë paralajmëruar dorëheqje në rast të ndonjë marrëveshjeje me VV-në.
Përgjigje më konkrete ka dhënë ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se AAK-ja s’do të bëhet pjesë e Qeverisë Kurti, teksa ka propozuar që opozita të bashkohet e ta ulë VV-në nën 50 deputetë dhe të ketë kandidatin e vet për president.
Megjithatë, ai ka thënë se do ta shqyrtonte nëse emri i tij do të propozohej për president si emër i opozitës së përbashkët.
“Opozita mundet pra, me hy e me qenë faktor në marrjen e fatit të vendit në dorë, duke pasur një kontratë mes vete edhe një kandidaturë për president. Nëse dikush nga opozita e merr mbështetjen e opozitës, gjithsesi që do ta mbështesja, nëse do të isha do ta shqyrtoja. Pra, nuk jam kandidat, nuk kam kushte, nuk kam kërkesë për askënd. Ne nuk bëhemi pjesë e qeverisjes ose vazhdimit të qeverisjes Kurti, se e kemi shpjeguar disa herë sa e dëmshme edhe sa humbje është për Kosovën”, ka thënë ai të mërkurën.
Në mesin e të gjitha këtyre paqartësive, kryetari i VV-së, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë në detyrë përsëriti qëndrimin se diskutimet për formimin e institucioneve do të nisin pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Mbështetje Kurtit për një mandat tjetër si kryeministër i ka dhënë Elbert Krasniqi, deputet i zgjedhur nga komuniteti egjiptian. Ai ka thënë se 8 ose 9 deputetë të komuniteteve joshumicë janë të gatshëm ta mbështesin formimin e qeverisë së re nga Kurti.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, Vetëvendosje siguroi 53 ulëse. Për formimin e Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit mjaftojnë 61 vota. Për zgjedhjen e presidentit, në dy rundet e para të votimit duhen 80 vota.
PDK-ja doli e dyta në zgjedhje dhe siguroi 22 ulëse. LDK-ja e treta ka 18 e AAK-ja e katërta ka shtatë.
