TË FUNDIT

Nga rrëzimi i Qeverisë Kurti te plani për ta marrë LDK-në – çfarë synon formula e Hotit?

Avdullah Hoti propozon Kujtim Shalën për kryetar të LDK-së dhe Hykmete Bajramin për kandidate për kryeministre. Shala e përjashton bashkëpunimin me Kurtin, ndërsa Bajrami e kushtëzon me një të tretën e pushtetit dhe postin e presidentit ose të kryeministrit.

Në politikën kosovare nuk favorizohen gjithmonë ata që ndërtojnë ura, ruajnë standardin institucional dhe ofrojnë ide të reja. Jo rrallë ngrihen ata që dallohen për kundërshtimin më të ashpër dhe gjuhën më të rëndë ndaj një kundërshtari të caktuar.

Propozimi i fundit i Avdullah Hotit për drejtimin e ardhshëm të LDK-së e rikthen pikërisht këtë dilemë.

Hoti deklaroi se angazhimi i tij politik është që Kujtim Shala të bëhet kryetar i LDK-së, ndërsa Hykmete Bajrami të jetë bartëse e listës dhe kandidate për kryeministre.

Ky nuk është ende vendim i organeve të LDK-së. Është propozim i Hotit. Megjithatë, përzgjedhja e këtyre dy emrave nuk mund të shihet e shkëputur nga historia dhe qëndrimet e tyre politike.

Çfarë i bashkon Shalën dhe Bajramin? Ku dallojnë ata? Dhe përse Hoti kërkon që drejtimi politik i partisë t’u besohet pikërisht këtyre dy figurave?

Fyerja në Kuvend që nuk duhet harruar

Kujtim Shala është akademik, profesor universitar dhe një nga figurat më të njohura të LDK-së. Pikërisht për shkak të këtij profili, prej tij do të pritej një standard më i lartë komunikimi dhe sjelljeje publike.

Por në mars të vitit 2023, gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, ai u dëgjua duke përdorur një fyerje të rëndë në drejtim të kryeministrit Albin Kurti:

“Phuu, ta q… tradhtarin e nanës.”

Për këtë gjuhë joparlamentare Shalës iu shqiptua vërejtje nga Kuvendi. Përgjigjja e tij ishte ironike: “Ma dërgoni vërejtjen me postë.”

Kjo nuk ishte kritikë politike, kundërshtim ndaj një marrëveshjeje apo argument kundër një vendimi të Qeverisë. Ishte fyerje e rëndë personale dhe familjare, e shqiptuar në institucionin më të lartë përfaqësues të vendit.

Shala vjen nga Dukagjini. Edhe unë i përkas asaj ane dhe e njoh peshën që ka në traditën tonë një fyerje e tillë. Ajo nuk është konsideruar asnjëherë shprehje e zakonshme zemërimi, por cenim i rëndë i nderit familjar.

Kujtim Shala e di këtë po aq mirë.

Edhe më shqetësues ishte fakti se pas vërejtjes nuk pamë një ndjesë publike, por një përgjigje ironike.

Sot, pikërisht ky politikan propozohet për ta udhëhequr partinë e Ibrahim Rugovës – partinë që pretendon se përfaqëson kulturën institucionale, maturinë dhe komunikimin demokratik.

“Gjithmonë kundër bashkëpunimit me Albin Kurtin”

Rasti në Kuvend nuk është elementi i vetëm që dëshmon raportin politik të Shalës me Kurtin.

Kohët e fundit, ai e bëri të qartë se ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër çdo bashkëpunimi me kryetarin e Vetëvendosjes.

“Asnjëherë. Gjithmonë kundër bashkëpunimit me Albin Kurtin. Domethënë, është gjë e njohur. Unë për atë edhe votohem”, deklaroi Shala.

Shala dhe mbështetësit e tij mund ta arsyetojnë këtë kundërshtim me dallimet mbi dialogun me Serbinë, raportet me aleatët, marrëveshjet ndërkombëtare dhe mënyrën e qeverisjes së Kurtit. Të gjitha këto janë mospajtime politike legjitime.

Por formulimi “gjithmonë kundër” shkon përtej kritikës ndaj një politike të caktuar. Ai e përjashton bashkëpunimin paraprakisht, pavarësisht rrethanave dhe interesit shtetëror.

Kur kundërshtimi ndaj një njeriu shndërrohet në identitet politik dhe kriter për t’u votuar, atëherë politika nuk ndërtohet më vetëm mbi programe, por edhe mbi armiqësi të përhershme.

Kosovës mund t’i duhet bashkëpunimi ndërmjet partive për formimin e institucioneve, zgjedhjen e presidentit, mbrojtjen e veriut, dialogun me Serbinë dhe orientimin ndërkombëtar të vendit.

A mund të udhëhiqet një parti e madhe nga parimi “gjithmonë kundër”, pavarësisht rrethanave?

Shala njihet edhe për paraqitjet e tij të shpeshta në emisionet ku Baton Haxhiu ka pasur rol të rëndësishëm publik. Vetë pjesëmarrja në një studio televizive nuk dëshmon afërsi apo varësi politike. Por, e vendosur përkrah kundërshtimit të tij të përhershëm ndaj Kurtit dhe pozicionimit në përplasjen e sotme brenda LDK-së, ajo plotëson profilin e krahut që dëshiron ta mbajë partinë larg bashkëpunimit me Vetëvendosjen.

Bajrami: Lista Serbe nuk është problem, Kurti po

Kontrasti është po aq i fortë edhe te emri i dytë i propozuar nga Hoti.

Hykmete Bajrami ka deklaruar publikisht në televizion:

“Unë bash hiç nuk e kam problem Listën Serbe, unë personalisht si Hykmete hiç problem nuk e kam.”

Ajo e shpjegoi se këtë e thoshte sepse Lista Serbe kishte qenë pjesë e qeverive sipas rregullimit kushtetues dhe se personalisht nuk kishte komunikuar apo koordinuar me përfaqësuesit e saj. Më vonë, Bajrami kërkoi që Lista Serbe t’i nënshtrohej ligjit dhe akuzoi pushtetin për koordinime me Milan Radoiçiqin.

Në të njëjtën intervistë ajo deklaroi:

“Unë krejt luftën me Albin Kurtin e kam, me asnjë tjetër.”

Pikërisht vendosja përballë e këtyre dy deklaratave krijon pyetjen politike: përse ndaj Listës Serbe përdoret një formulim kaq çlirues, ndërsa për kryeministrin e Kosovës flitet me termin “luftë”?

Lista Serbe nuk është një subjekt i zakonshëm politik. Ajo për vite me radhë është kontrolluar nga Beogradi, ndërsa Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i saj, mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë.

Në këto rrethana, një politikane që synon të bëhet kryeministre duhet të shpjegojë qartë se ku e sheh rrezikun kryesor politik dhe shtetëror për Kosovën.

Kundërshtimi ndaj Kurtit është legjitim. Por kur gjuha ndaj kryeministrit të Kosovës është më e ashpër sesa ajo ndaj strukturës politike të kontrolluar nga Beogradi, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë shpjegim.

Bajrami nuk e mbyll plotësisht derën

Intervista e fundit e Hykmete Bajramit në “Rubikon” sjell, megjithatë, një dallim të rëndësishëm ndërmjet saj dhe Kujtim Shalës.

Bajrami deklaroi se do ta votonte një qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti nëse LDK-ja do të arrinte një marrëveshje që do t’i siguronte së paku një të tretën e pushtetit dhe njërën nga dy pozitat më të larta – presidentin ose kryeministrin.

“Në qoftë se LDK do të arrinte të ketë një marrëveshje të mirë, ku LDK ka së paku një të tretën e pushtetit dhe ka njërën nga pozitat, unë do të votoja për”, deklaroi Bajrami.

Ajo shtoi se do ta analizonte edhe përbërjen e kabinetit, por theksoi se personalisht nuk do të pranonte asnjëherë të bëhej ministre e Kurtit.

Kjo deklaratë është e rëndësishme për ta kuptuar saktë qëndrimin e saj.

Bajrami nuk e përjashton plotësisht bashkëpunimin me Vetëvendosjen. Ajo e kushtëzon atë me një pjesëmarrje shumë më të madhe të LDK-së në pushtet dhe me marrjen e postit të presidentit ose të kryeministrit.

Prandaj, kundërshtimi i saj ndaj marrëveshjes aktuale nuk duhet lexuar vetëm si refuzim personal i Kurtit. Mund të lexohet edhe si bindje se LDK-ja nuk ka marrë peshën që, sipas saj, i takon në këmbim të votave të saj.

Këtu qëndron dallimi: Shala e përjashton kategorikisht bashkëpunimin me Kurtin, ndërsa Bajrami nuk e përjashton, por ia vendos një çmim të lartë politik.

Hoti nuk është vetëm propozuesi

Avdullah Hoti nuk mund të paraqitet në këtë debat si një figurë neutrale që po ofron vetëm një model të ri drejtues për LDK-në.

Edhe ai ka një histori të gjatë përplasjesh dhe deklaratash të ashpra kundër Kurtit. Por më e rëndësishmja është se Hoti ishte një nga protagonistët kryesorë të rrëzimit të Qeverisë Kurti I.

Në shkurt të vitit 2020, ai u bë zëvendëskryeministër i parë në qeverinë e përbashkët ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Vetëm 51 ditë më vonë, LDK-ja e inicioi mocionin e mosbesimit dhe e rrëzoi qeverinë në të cilën vetë Hoti mbante njërën nga pozitat më të larta.

Rrëzimi ndodhi më 25 mars 2020, në kulmin e pandemisë dhe të presionit të Richard Grenellit për heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të tarifës ndaj mallrave të Serbisë.

Formalisht, LDK-ja e arsyetoi mocionin me shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, dhe me prishjen e marrëdhënieve brenda koalicionit. Por konteksti politik ishte shumë më i gjerë.

Grenelli e kritikonte hapur Kurtin dhe kërkonte heqjen e tarifës. Hashim Thaçi kërkonte vazhdimin e procesit drejt një marrëveshjeje me Serbinë. Kurti nuk pranoi të vepronte sipas kërkesave të Grenellit në formën dhe me shpejtësinë që kërkonte ai.

Pak ditë më vonë, qeveria u rrëzua nga partnerja e saj.

Pas votimit të mocionit, Hoti deklaroi se LDK-ja ishte “vonuar me veprime” ndaj Qeverisë Kurti. Pra, jo vetëm që nuk u distancua nga rrëzimi i saj, por la të kuptohej se ai duhej të kishte ndodhur edhe më herët.

Më vonë, Arben Gashi, atëherë shef i Grupit Parlamentar të LDK-së dhe një nga njerëzit kryesorë të partisë, e tha publikisht atë që ishte dyshuar prej kohësh: Richard Grenelli kishte kërkuar rrëzimin e Qeverisë Kurti brenda shtatë ditësh.

Kjo deklaratë nuk erdhi nga Vetëvendosja dhe as nga ndonjë kundërshtar i LDK-së. Ajo erdhi nga brenda partisë që e inicioi mocionin.

Kronologjia mbetet domethënëse: Grenelli kërkoi heqjen e menjëhershme të tarifës; Kurti nuk pranoi të vepronte sipas diktatit të tij; LDK-ja e inicioi mocionin dhe e rrëzoi qeverinë në të cilën vetë ishte partnere.

Pas rrëzimit të Kurtit, pikërisht Avdullah Hoti u bë kryeministër dhe mori drejtimin e procesit politik të mbështetur nga Grenelli dhe Hashim Thaçi.

Tre ministra të koalicionit LDK–PDK

Hoti, Shala dhe Bajrami nuk lidhen vetëm përmes kundërshtimit ndaj Kurtit.

Të tre kanë mbajtur pozita të rëndësishme në Qeverinë e Isa Mustafës, të krijuar në dhjetor të vitit 2014 nga koalicioni LDK–PDK.

Kujtim Shala ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Hykmete Bajrami ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa Avdullah Hoti ministër i Financave.

Ata ishin ndër figurat kryesore të LDK-së në qeverisjen e përbashkët me PDK-në e Hashim Thaçit.

Në opinionin publik, sidomos brenda elektoratit tradicional rugovist, gjatë asaj periudhe u krijua përshtypja se disa funksionarë të LDK-së ishin më të gatshëm për bashkëpunim me PDK-në sesa për ta ruajtur distancën historike dhe politike nga ajo.

Nuk mund të thuhet pa prova se Hoti, Shala dhe Bajrami janë njerëz të PDK-së. Formalisht dhe politikisht ata i përkasin LDK-së.

Por historia e tyre qeverisëse dhe qëndrimet ndaj Kurtit e bëjnë të ligjshme pyetjen: a synon formula e Hotit ta orientojë LDK-në drejt një bashkëpunimi të ri me PDK-në, apo ta rrisë çmimin politik të një marrëveshjeje të ardhshme me Vetëvendosjen?

Nga rrëzimi i Qeverisë Kurti te plani i ri për LDK-në

Parë nga kjo perspektivë, propozimi i sotëm i Hotit nuk është i shkëputur nga e kaluara.

I njëjti politikan që ishte pjesë e Qeverisë VV–LDK dhe më pas u rreshtua me partinë që e rrëzoi atë, sot propozon për drejtimin e LDK-së dy figura shumë kritike ndaj Kurtit, por jo plotësisht të njëjta në qëndrimin ndaj bashkëpunimit me të.

Vija politike mund të përmblidhet kështu:

– Hoti ishte pjesë e procesit që e ndërpreu bashkëqeverisjen VV–LDK;

– pas rrëzimit të asaj qeverie, ai u bë kryeministër;

– Shala deklaron se do të jetë gjithmonë kundër bashkëpunimit me Kurtin;

– Bajrami do ta votonte një qeveri të Kurtit vetëm nëse LDK-ja merr së paku një të tretën e pushtetit dhe postin e presidentit ose të kryeministrit;

– të tre kanë shërbyer si ministra në qeverisjen LDK–PDK;

– sot Hoti propozon që Shala dhe Bajrami ta marrin drejtimin politik të LDK-së.

Kjo nuk dëshmon se ekziston një plan i hartuar nga PDK-ja. Por tregon se beteja brenda LDK-së nuk bëhet vetëm për emrin e kryetarit. Ajo bëhet edhe për kushtet, drejtimin dhe partneritetet e ardhshme të partisë.

Kush përfiton nga ky konfigurim?

Një LDK e drejtuar nga Shala dhe Bajrami nuk do ta përjashtonte domosdoshmërisht çdo marrëveshje me Vetëvendosjen. Por një marrëveshje e tillë do të bëhej shumë më e vështirë dhe shumë më e kushtueshme politikisht.

Shala e refuzon bashkëpunimin në parim. Bajrami e pranon vetëm nëse LDK-ja merr një pjesë të madhe të pushtetit dhe njërën nga pozitat kryesore shtetërore.

Nëse Vetëvendosja nuk i pranon këto kushte, alternativa e LDK-së do të ishte qëndrimi në opozitë ose kërkimi i një marrëveshjeje me PDK-në.

Në matematikën e koalicioneve, kjo i shërben PDK-së, sepse mbyllja ose vështirësimi i boshtit VV–LDK e rikthen atë si partnere të mundshme për formimin e një qeverie alternative.

Por edhe Vetëvendosja mund të përfitojë elektoralish nga një LDK që identitetin e saj e ndërton kryesisht mbi kundërshtimin ndaj Kurtit. Një pjesë e votuesve tradicionalë rugovistë, të cilët nuk e pranojnë afrimin me PDK-në, mund të largohen përsëri nga LDK-ja dhe ta shohin VV-në si alternativë.

Kjo është arsyeja pse beteja nuk ka vetëm një përfitues të mundshëm: PDK-ja mund të fitojë në matematikën e koalicioneve, ndërsa Vetëvendosja në matematikën elektorale.

Humbësja mund të jetë vetë LDK-ja.

Grenelli përsëri pranë të njëjtëve njerëz

Historia bëhet edhe më domethënëse kur kujtojmë se Grenelli së fundmi e quajti Hotin dhe deputetët e LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen për presidentin “miq të shkëlqyer të Amerikës”.

Miqësia me Shtetet e Bashkuara është jetike për Kosovën. Por asnjë politikan dhe asnjë grup brenda LDK-së nuk mund ta monopolizojë atë miqësi dhe t’i paraqesë kundërshtarët e vet si antiamerikanë.

Përvoja e vitit 2020 na mëson se duhet dalluar aleanca e përhershme e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nga interesat dhe veprimet e një emisari të caktuar amerikan.

Grenelli ishte kundër Kurtit atëherë. Ai vazhdon ta sulmojë Kurtin edhe sot. Dhe përsëri shfaqet në mbështetje të të njëjtit krah politik brenda LDK-së.

Rrethanat nuk janë plotësisht të njëjta, por kujtesa politike nuk mund të fillojë çdo mëngjes nga zero.

A është kundërshtimi ndaj Kurtit program për LDK-në?

Vetëm pak ditë më parë shkrova se distancimi i Lumir Abdixhikut nga Baton Haxhiu, Berat Buzhala dhe nga përpjekjet për ta orientuar LDK-në drejt një blloku me PDK-në mund të shënonte fillimin e një kthese.

Atëherë pyetja ishte nëse gjashtë deputetët përfaqësonin vetëm një mospajtim për kandidatin për president apo një orientim tjetër strategjik brenda LDK-së.

Propozimi i Hotit tashmë i jep këtij orientimi dy emra konkretë: Kujtim Shala dhe Hykmete Bajrami.

Ibrahim Rugova nuk e ndërtoi LDK-në mbi fyerjen, hakmarrjen dhe armiqësinë personale. Ai e ndërtoi mbi durimin, kulturën politike, aleancën me Perëndimin dhe interesin shtetëror. Edhe përballë kundërshtarëve më të ashpër, Rugova e ruante gjuhën dhe dinjitetin institucional.

Prandaj, delegatët, anëtarësia dhe elektorati i LDK-së duhet të pyesin:

A është gjuha denigruese standard i pranueshëm për kryetarin e ardhshëm të partisë së Rugovës?

A përputhet deklarata se Lista Serbe “bash hiç” nuk përbën problem me profilin e një kandidateje për kryeministre?

A është kundërshtimi i përhershëm ndaj Kurtit program i mjaftueshëm për drejtimin e LDK-së?

A synohet të mbyllet rruga e bashkëpunimit me VV-në, apo vetëm të rritet çmimi që LDK-ja kërkon për atë bashkëpunim?

Dhe, mbi të gjitha, çfarë projekti politik ofrohet përtej betejës kundër Albin Kurtit?

Nëse Hoti, Shala dhe Bajrami nuk synojnë rikthimin e LDK-së drejt një bashkëqeverisjeje me PDK-në, atëherë duhet të tregojnë qartë se cili është projekti i tyre alternativ dhe me kë synojnë ta realizojnë atë.

Sepse marrja e drejtimit të LDK-së është vetëm hapi i parë.

Pyetja vendimtare është se në cilin drejtim do ta çojnë atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *