Kurti takon guvernatorin e BQK-së, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në SEPA dhe reformat financiare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me të cilin ka diskutuar për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe për reformat në sektorin financiar.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, një nga temat kryesore të takimit ishte finalizimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në SEPA dhe dorëzimi formal i tij në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC), pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Gjatë takimit, guvernatori Ahmet Ismaili e ka informuar kryeministrin Kurti për gjendjen e sektorit financiar në vend, duke e vlerësuar atë si stabil, si dhe për qëndrueshmërinë financiare të Bankës Qendrore të Kosovës.
Po ashtu, në takim është diskutuar për reformat që synojnë forcimin e mbikëqyrjes financiare, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe përafrimin e kornizës rregullative të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte zhvillimi i sistemit të pagesave të shpejta, TIPS Clone, i cili, së bashku me anëtarësimin në SEPA, pritet të kontribuojë në uljen e kostove të transaksioneve dhe rritjen e efikasitetit të pagesave.
Në njoftimin e Kryeministrisë theksohet edhe rëndësia e bashkërendimit institucional për zbatimin e reformave dhe përmbushjen e angazhimeve të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes.
“Kryeministri Kurti dhe Guvernatori Ismaili shprehën vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit me synim përmbushjen e prioriteteve strategjike për qëndrueshmëri financiare, modernizim të sektorit dhe përparim në integrimin evropian, duke respektuar mandatin dhe pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
