TË FUNDIT

Kërkime të gjera për një grua serbe, policia holandeze ofron një shpërblim prej 20.000 eurosh

Përmes Europol-it, policia holandeze po zhvillon një kërkim intensiv për pesë shtetas serbë, në lidhje me një vjedhje spektakolare bizhuterish dhe diamantesh – me vlerë rreth 40 milionë euro – nga panairi prestigjioz i artit TEFAF në Maastricht.

Mes personave në kërkim është 41-vjeçarja Ninoslava Joviq nga Nishi i Serbisë, e cila dyshohet se ka luajtur një rol ndihmës në një nga vjedhjet më të mëdha të bizhuterive në Evropë, transmeton Telegrafi.

Prokuroria në provincën holandeze të Limburgut ka ofruar një shpërblim prej 20,000 eurosh për informacione që çojnë në arrestimin e të dyshuarve, ndërsa një kompani sigurimesh ka vënë një shpërblim prej 600,000 eurosh për informacione lidhur me bizhuteritë e vjedhura.

Sipas hetuesve, Joviq ndodhet në listën e personave më të kërkuar në Evropë dhe aktualisht besohet se gjendet në Serbi – konkretisht në Nish, ku është parë për herë të fundit – megjithëse policia nuk e ka përjashtuar mundësinë që ajo të mund të udhëtojë drejt vendeve të tjera.

Policia holandeze ka publikuar një përshkrim të detajuar të Ninoslava Joviq-it për të ndihmuar në identifikimin e saj. Ajo ka sy kafe dhe flokë që mund të jenë natyralisht kafe ose të lyer biondë; një tipar dallues fizik janë buzët e saj të plota.

Hetuesit kanë veçuar dy tatuazhe në parakrahët e saj: emri "Selena" është shkruar me shkronja elegante në anën e krahut të djathtë, ndërsa fjala "Faith" shfaqet me shkrim kaligrafik në krahun e majtë.

Ajo nuk akuzohet se ka thyer drejtpërdrejt vitrinat dhe ka marrë sendet e vjedhura, por se ka ofruar mbështetje për operacionin. Përveç saj, në kërkim janë edhe katër shtetas të tjerë serbë – të gjithë me origjinë nga Nishi – përkatësisht 50-vjeçarët Aleksandar Ceniq, Aleksandar Stojiljkoviq dhe Duško Dimitrijeviq, si dhe 41-vjeçari Bratislav Stojanoviq.

Hetuesit dyshojnë se këta katër burra janë anëtarë të grupit famëkeq kriminal "Pink Panther", i njohur për grabitjen e dyqaneve luksoze të bizhuterive në mbarë botën.

Grabitja, që dukej si skenë filmi, ndodhi më 28 qershor 2022 në panairin prestigjioz "European Fine Art Fair" (TEFAF) në Mastriht të Holandës.

Katër burra, të maskuar si vizitorë të zakonshëm, iu afruan një hapësire ekspozimi ku ndodheshin bizhuteri të shtrenjta, thyen vitrinat e xhamit me çekiçë dhe u larguan me sendet me vlerë.

Mes objekteve të vjedhura ishte një gjerdan unik me një diamant të verdhë, vlera e të cilit përllogaritet deri në 27 milionë euro. Një pjesë e vogël e bizhuterive të vjedhura u gjet më vonë në Hong Kong, Izrael dhe Botsvanë.

Përveç pesë të dyshuarve serbë, hetuesit holandezë po përpiqen të identifikojnë edhe dy gra, të cilat janë filmuar nga kamerat e sigurisë pak kohë pas grabitjes.

Ato ndodheshin brenda një automjeti tip "Opel", të përdorur nga të dyshuarit gjatë arratisjes; pas një ndalese të shkurtër në Belgjikë, automjeti u la i parkuar në garazhin e një hoteli në Frankfurt.

Kamerat e sigurisë në Frankfurt kapën pamjet e dy grave të veshura me fustane, ku njëra prej tyre kishte veshur sandale të kuqe.

Policia theksoi se, për momentin, ato nuk dyshohen si autore të vetë grabitjes, por hetuesit dëshirojnë të bisedojnë me to, pasi informacionet që ato mund të kenë, do të ndihmonin në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe në gjetjen e personave në arrati. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *