POLITIKATË FUNDIT

Kurti akuzon Serbinë për “spastrim etnik” në Luginën e Preshevës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se po vazhdon me politikat e asaj që ai e quajti “spastrim etnik” në komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Kurti theksoi se institucionet serbe po zbatojnë një politikë përjashtuese ndaj shqiptarëve dhe po bllokojnë ndihmat e Qeverisë së Kosovës të destinuara për banorët e Luginës së Preshevës. Sipas tij, masa të tilla prekin drejtpërdrejt nxënësit, studentët, fermerët, shkollat, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile në atë rajon.

Ai deklaroi se për shkak të pamundësisë për të transferuar mjetet nga Qeveria e Kosovës, rreth 3.650 nxënës mbeten pa tekstet shkollore falas, më shumë se 750 studentë pa bursa dhe mbi 950 fermerë pa mbështetje. Kurti shtoi se pasoja po vuajnë edhe shkollat, mediat, organizatat, si dhe 90 fëmijë pa prindër.

Lideri kosovar njoftoi se për këto shqetësime ka informuar Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, dhe ka kërkuar sërish që komuniteti ndërkombëtar të reagojë urgjentisht.

Çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka qenë prej vitesh një nga temat më të ndjeshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësuesit politikë shqiptarë dhe institucionet në Prishtinë kanë paralajmëruar vazhdimisht për diskriminim institucional, pasivizim të adresave, përfaqësim të dobët në institucionet shtetërore dhe mungesë të investimeve ekonomike.

Nga ana tjetër, autoritetet serbe i kanë hedhur poshtë në disa raste këto akuza, duke i vlerësuar ato si të motivuara politikisht. Deklarata e re e Kurtit vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Beogradit dhe Prishtinës, duke rihapur sërish temën e pozitës së shqiptarëve në jug të Serbisë.(

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *