POLITIKATË FUNDIT

Kosova vendos ligjin, Brukseli alarmohet – Bytyçi: Mjaft me standarde të dyfishta!

Kritikat e Bashkimit Evropian ndaj vendimeve të institucioneve të Kosovës, si në rastin e lirimit nga detyra të shtatë prokurorëve serbë ashtu edhe në aksionin për rrënimin e disa shtëpive buzë Liqenit të Ujmanit, kanë hapur debat mbi qasjen e BE-së ndaj autoriteteve të Kosovës dhe mënyrën se si vlerësohen vendimet e institucioneve të saj.

Në rastin e prokurorëve serbë, të cilët u larguan nga detyrat në kuadër të një aksioni të koordinuar politik nga Beogradi, shumëkush vlerëson se Kosova kishte vepruar për të mbrojtur funksionalitetin e sistemit të drejtësisë dhe se reagimi ndërkombëtar do të duhej të merrte parasysh rrethanat politike që çuan në këtë situatë. Ngjashëm, edhe vendimi për rrënimin e disa shtëpive buzë Liqenit të Ujmanit ka nxitur reagime nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka shprehur shqetësim dhe ka kërkuar ndërprerjen e aksionit.

Këto zhvillime kanë rikthyer diskutimet mbi balancën mes kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë për respektimin e procedurave dhe nevojës që institucionet e Kosovës të ushtrojnë kompetencat e tyre në mbrojtje të rendit ligjor dhe sovranitetit institucional.

Në lidhje me këto zhvillime, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

Sipas tij, vendimet e institucioneve të Kosovës për të mos rikthyer në sistemin prokurorial ish-prokurorët serbë që kishin dhënë dorëheqje për motive politike, si dhe aksioni për largimin e ndërtimeve pa leje në pronën e Ujësjellësit të Ibrit, përbëjnë hapa drejt forcimit të shtetit ligjor dhe sovranitetit institucional.

Bytyçi vlerësoi se reagimet e Bashkimit Evropian dhe disa ambasadave perëndimore ndaj këtyre rasteve krijojnë një kontradiktë, pasi, në njërën anë, kërkohet respektimi i sundimit të ligjit, ndërsa, në anën tjetër, sipas tij, shfaqen kritika kur institucionet e Kosovës ndërmarrin veprime për zbatimin e ligjit në territorin e saj.

“Dy ngjarje të kësaj jave tërhoqën vëmendjen e opinionit publik. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, refuzoi kthimin në detyrë të shtatë ish-prokurorëve të komunitetit serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga detyra në vitin 2022 për motive politike, madje në kundërvënie ndaj shtetësisë së Kosovës. Refuzimi i zonjës Haxhiu erdhi pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e pranoi kërkesën e këtyre personave për t’u rikthyer në sistemin e prokurorisë. Kjo ishte e para. E dyta lidhet me aksionin e dy ditëve të fundit për prishjen e ndërtimeve pa leje në pronën e Ujësjellësit të Ibrit, aksion i cili përfundoi me sukses dhe pa incidente, madje nën mbikëqyrjen e forcave të KFOR-it.

Për të dyja këto raste reagoi faktori ndërkombëtar. Fillimisht, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, i cili deklaroi se “këto veprime nxisin destabilitet”. Më pas reaguan ambasadat në Prishtinë, ajo e Britanisë së Madhe, ambasada e Italisë etj. Ndërsa ambasada e Gjermanisë vuri theksin se disa nga këto objekte që u prishën ishin në proces gjyqësor, duke e lokalizuar vërejtjen ndaj këtij aksioni.

Të dyja këto akte, në fakt, dëshmojnë për kontributin e qeverisë, policisë dhe institucioneve të Kosovës në forcimin e shtetit ligjor dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës. Ky duhet të jetë gjithashtu qëllimi i Bashkimit Evropian dhe i vendeve, ambasadat e të cilave reaguan në këto raste. Sepse ekziston një kontradiktë e pakuptimtë: në njërën anë, Bashkimi Evropian dhe vendet e tij kërkojnë shtet të së drejtës dhe sundim të ligjit, ndërsa, në anën tjetër, bëjnë vërejtje pse shteti i Kosovës zbaton ligjin”, deklaroi ai.

Për këtë, profesori thekson se zbatimi i ligjit duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie apo përkatësie. Ai vlerëson se trajtimi i pabarabartë i shkeljeve të ligjit dobëson shtetin e së drejtës dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucione.

“Duhet sqaruar njëherë e mirë aleatët dhe partnerët e Kosovës se ligji në këtë vend nuk është vetëm për shqiptarët, boshnjakët, romët, ashkalitë, turqit, kroatët etj. Ligji zbatohet edhe ndaj serbëve, të cilët janë shtetas të këtij vendi. Nëse kërkohet zbatimi i ligjit dhe veprimi i shtetit të së drejtës për disa, ndërsa kundërshtohet për disa të tjerë, në rastin konkret për serbët shkelës të ligjit, atëherë vjen anarkia. Shteti e humb kuptimin e të qenit arbitër dhe instrument i zbatimit të ligjit, ndërsa shoqëria kosovare humbet besimin te institucionet. Përveç kësaj, diskriminimi pozitiv ndaj serbëve i nxit ata që ta thellojnë shkeljen e ligjit, ta përsërisin këtë shkelje dhe të krijojnë probleme në funksionimin e shtetit në mënyrë permanente”.

Më tej, Bytyçi vlerëson se vendimet për zbatimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës u takojnë autoriteteve vendimmarrëse të vendit dhe jo faktorëve të jashtëm.

Ai thekson se stabiliteti nuk mund të ndërtohet përmes tolerimit të shkeljeve të ligjit, por përmes një zbatimi të vendosur dhe të barabartë të tij. Sipas tij, ndërhyrjet dhe rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, edhe nëse nuk kanë pasur qëllime të këqija, kanë sjellë pasoja që kanë ndikuar në mënyrën se si Kosova i ushtron vendimet e saj të pavarura.

“A duhet t’i shërbejë kësaj narrative Bashkimi Evropian, duke reaguar me kritika për moskthimin e prokurorëve dhe policëve të dorëhequr në strukturat përkatëse? Besoj se jo. Stabiliteti i Kosovës nuk arrihet duke përkëdhelur dhunuesit e ligjit dhe të së drejtës në Kosovë. Stabiliteti realizohet duke dëshmuar vendosmëri dhe, njëkohësisht, maturi në zbatimin e ligjit.

Moskthimi i prokurorëve dhe policëve të dorëhequr në detyrat që kishin para katër vitesh është e drejtë ekskluzive e autoriteteve vendimmarrëse të Kosovës, përkatësisht e Këshillit Prokurorial, drejtorit të Policisë së Shtetit dhe presidentit të vendit. Nuk është ekskluzivitet as i Bashkimit Evropian, as i ambasadave evropiane në Prishtinë. Por këta vërejtës nuk kanë asnjë ankesë për ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës. Dhe nuk kanë si të kenë ankesa, sepse Kushtetutën e kanë formuluar vetë ata. Parlamenti i Kosovës thjesht e ka votuar atë, pa të drejtë ndryshimi të draftit të paraqitur nga Plani Ahtisaari.

Por paradoksi është se, kur këtë Kushtetutë dhe këto ligje i zbaton Kosova, thonë: “Dalë-dalë, duhet mirëkuptim, duhen bisedime, duhet tolerancë, duhen kompromise, duhen lëshime”. Lësho e lësho, Kosova gati humbi pjesën më të pasur të territorit të saj. Çdo gjë ka limite. Limitet u tejkaluan për shkak të këshillave dhe rekomandimeve të BE-së dhe partnerëve tanë.

Ndoshta ndërhyrja e tyre nuk ka pasur qëllime të këqija. Por ama ka pasur pasoja të këqija dhe të dëmshme. Atëherë, qeveria e zotit Kurti vendosi të veprojë e pavarur në zbatimin e ligjit. Faktori evropian, e madje edhe amerikanët, nuk ishin mësuar me refuzimin e lidershipit të Kosovës dhe veprimin e pavarur të institucioneve të saj. U befasuan. Thanë: si ka mundësi që një kryeministër me emrin Albin Kurti vepron sipas bindjes së tij?”, shtjelloi profesori.

Ndër të tjera, ai potencon se zhvillimet e mëvonshme, sipas tij, dëshmuan drejtësinë e qasjes së kryeministrit Albin Kurti në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës.

Mes tjerash, ai u shpreh se respektimi i sovranitetit të institucioneve vendore dhe zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë qytetarët janë të domosdoshëm për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë duhet ta mbështesin këtë qasje dhe, kur japin kritika, të ofrojnë edhe modele konkrete të zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit.

“Koha dëshmoi se Kurti nuk veproi sipas bindjes së tij personale. Përkundrazi, zbatoi ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Madje bëri lëshime, së paku në kohë, dhe i zgjati afatet e zbatimit të ligjit. Ndërkombëtarët sërish ishin të pakënaqur me Kurtin, derisa koha i dha të drejtë atij.

Pas konstituimit, për shembull, të kryetarëve të komunave ndodhi akti terrorist i Banjskës. Ndërkombëtarët u befasuan. Po sikur të mos ishin në detyrë ata kryetarë dhe policia e Kosovës në veri, çfarë do të kishte ndodhur me këtë “tokë të askujt”?!

Praktika është prova e së vërtetës. E vërteta dhe e drejta u faktuan në anën e Albin Kurtit. Prandaj, edhe evropianët dhe ambasadat duhet ta respektojnë sovranitetin e Kosovës për zbatimin e ligjit dhe veprimin e shtetit të së drejtës.

Nuk besoj se ka rrugë tjetër për lirinë dhe demokracinë e shoqërisë kosovare, përveç zbatimit të ligjit dhe veprimit të tij në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare. Prandaj, kur BE-ja bën vërejtje, është mirë të na tregojë ndonjë model të ri që vetë BE-ja e zbaton për respektimin e ligjit dhe të shtetit të së drejtës!”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *