POLITIKATË FUNDIT

172 mijë e 600 eurot e padeklaruara, Shpend Ahmeti dënohet me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti për mos raportim të pasurisë.

Ahmeti po akuzohet se nuk ka deklaruar mjetet financiare në shumë prej 54 mijë e 400 euro të pranuara nga llogaritë personale të nënës së tij dhe 118 mijë euro të tij. Sipas Prokurorisë shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600.00 euro.

Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të premtën më 24.07.2026 nga gjyqtari Leon Përlaska.

Sipas Gjykatës, dënimi me 2 vite burg, do të ekzekutohet pas plotfuqshmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa dënimi me gjobë në lartësi prej 5 mijë euro, i akuzuari obligohet ta paguajë në afat prej 3 muajsh pas plotëfuqimërisë së këtij aktgjykimi.

Në rast se i pandehuri nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë dënim me gjobë, Gjykata mund të ia zëvendësojë dënimin me gjobë, me dënim me burgim ku një ditë burgim do të llogaritet 20 euro gjobë.

Tutje, Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për konfiskimine shumës së mjeteve të padeklaruara.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Shpend Ahmeti u obligua që të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 100 euro, si dhe shumën prej 100 euro për fondin e viktimave të krimit.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Në shpallje të aktgjykimit nuk ishte prenzent i akuzuari Shpend Ahmeti.

Kjo çështje penale është trajtuar në Departamentin Special në Gjykatën e Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues nga: Leon Përlaska (kryetar) Violeta Namani- Hajra dhe Medije Bytyqi (anëtare).

Ndërsa aktakuza është përfaqësuar nga prokurori special Dren Paca./Kallxo.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *