42% e zviceranëve përdorin inteligjencën artificiale për të diagnostikuar simptomat e sëmundjeve
Përdorimi i inteligjencës artificiale për çështje shëndetësore po rritet me ritme të shpejta në Zvicër.
Rreth 42% e qytetarëve zviceranë kanë përdorur chatbot-et me inteligjencë artificiale për të kuptuar simptomat e sëmundjeve, pothuajse dyfishi i shifrës së regjistruar një vit më parë, kur kjo përqindje ishte 20%.
Të dhënat dalin nga studimi i fundit shëndetësor i kompanisë së sigurimeve CSS, i realizuar nga instituti kërkimor Sotomo.
Sipas rezultateve, përdorimi i këtyre teknologjive është rritur në të gjitha grupmoshat, por më i përhapur është te të rinjtë.
Plot 62% e personave të moshës 18 deri në 35 vjeç kanë kërkuar ndihmën e inteligjencës artificiale për të interpretuar simptomat e tyre. Ndërkohë, te qytetarët mbi 65 vjeç kjo shifër arrin në 30%, krahasuar me vetëm 10% një vit më parë.
Chatbot-et përdoren si për shqetësime fizike, ashtu edhe për probleme të shëndetit mendor.
Studimi tregon gjithashtu se 28% e të anketuarve i konsiderojnë këto mjete ndër burimet kryesore të informacionit për simptomat fizike, ndërsa për shqetësimet psikologjike kjo përqindje është rritur nga 11% në 16%.
Megjithatë, inteligjenca artificiale vazhdon të shihet kryesisht si burim plotësues informacioni dhe jo si zëvendësim i mjekëve, shkruan Watson , transmeton Telegrafi.
Hulumtimi përfshiu 2,459 persona nga rajonet gjermanishtfolëse, frëngjishtfolëse dhe italishtfolëse të Zvicrës.
Përveç përdorimit të AI-së, studimi evidentoi edhe probleme të tjera që ndikojnë në shëndetin e popullsisë. Mungesa e gjumit renditet si faktori kryesor që rëndon shëndetin, e ndjekur nga mungesa e aktivitetit fizik dhe stresi në punë.
Për herë të parë që nga nisja e këtij studimi në vitin 2020, ushqyerja konsiderohet po aq e rëndësishme sa trashëgimia gjenetike në ndikimin mbi zhvillimin e sëmundjeve të rënda ./Telegrafi/
