Fetoshi: Media e lirë është garanci për demokracinë dhe sigurinë qytetare
Arben Fetoshi, drejtor i Institutit OCTOPUS, në një reagim me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ka theksuar se liria e medias është një nga shtyllat kryesore të sigurisë qytetare dhe stabilitetit demokratik.
Sipas Fetoshit, në vendet ku media vepron e lirë, qytetari është më i mbrojtur dhe demokracia më e qëndrueshme. Ai i është referuar edhe raportit të fundit të Reporterëve pa Kufij (RSF), i cili ka evidentuar një përmirësim të dukshëm për Kosovën, me 15 pozita më lart krahasuar me vitin e kaluar.
Megjithatë, Fetoshi vlerëson se sfidat mbeten serioze dhe kërkojnë një qasje të koordinuar, sidomos në aspektin profesional dhe rregullator, për të garantuar sigurinë e hapësirës publike.
Në një kohë kur dezinformimi, presionet politike, varësia ekonomike dhe kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, ai nënvizon se liria e medias nuk është vetëm çështje profesionale, por edhe çështje sigurie kombëtare.
Ai rendit si kritere me interes publik dhe kombëtar: mbrojtjen e gazetarëve, rritjen e transparencës mbi pronësinë dhe financat e mediave, garantimin e qasjes në dokumente publike, si dhe forcimin e përgjegjësisë shoqërore të vetë mediave.
“Një vend pa liri të mediave është më pak i mbrojtur ndaj propagandës, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit”, nënvizon Fetoshi.
Në përmbyllje, ai thekson se përkushtimi ndaj sigurisë informative është përkushtim ndaj lirisë dhe përgjegjësisë, jo si privilegj për gazetarët, por si një garanci thelbësore dhe kusht i domosdoshëm për demokracinë.
