TË FUNDIT

Hipnoza e rrezikshme e politikanëve serbë

Me deklaratat se Kosova na qenka “territor përkohësisht i okupuar”, liderët e të ashtuquajturës Listë Studentore në Serbi po e braktisin terrenin e politikës dhe po futen në fushën e rezervuar për baronin e rrenave, Münchhausen. Anekdotat me Münchhausenin janë gazmore; këto të politikanëve serbë rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë më aktive në informimin e opinionit perëndimor mbi qëndrimet skandaloze të disa eksponentëve të të ashtuquajturës Listë Studentore, e cila fitoi zgjedhjet në Serbi. Njëri nga ata, profesori i kimisë Radomir Saiçiq, tha pak ditë para zgjedhjeve se “Kosova për ne është territor përkohësisht i okupuar”.

Kjo gjuhë është tepër e rrezikshme dhe, në fund të fundit, në dëm të komunitetit serb në Kosovë, i cili për të ardhmen e tij duhet të integrohet brenda shtetit të Kosovës, kuptohet duke gëzuar të drejtat e plota të garantuara me standardet më të larta ndërkombëtare. Saiçiq ushqen iluzione të përgjakshme kur thotë se Kosova na qenka “territor i okupuar”. Si dëshiron ta “çlirojë” Saiçiq atë territor?

Me këtë qasje, Radomir Saiçiq i ngjan baronit të rrenave Münchhausen, një figurë gjermane që konsiderohet si kryemjeshtër i mashtrimeve. Münchhausen e lidhi kalin në majën e një kambanoreje të kishës, kalëroi mbi një gjyle topi, e nxori veten nga këneta duke tërhequr flokët e vet dhe udhëtoi madje deri në hënë. Anekdotat mbi baronin Münchhausen janë gazmore.

Këto përrallat e Saiçiqit mund ta mbajnë Serbinë gjatë të lidhur për të kaluarën me mite e ambicie për të pushtuar popuj të tjerë; po ashtu rrezikojnë paqen edhe stabilitetin në rajon.

Saiçiq e quajti kufirin e Serbisë me Bosnjën “kufi fiktiv”. Këto nuk janë fare sinjale të mira ndaj popullit boshnjak, i cili ka qenë viktima më e madhe e agresionit serb në vitet 1990.

Dejan Shoshkiq, ish-guvernator i Bankës Popullore të Serbisë, i cili ishte pjesë e listës së studentëve, i tha portalit kroat index.hr se “Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa me kroatët nuk do të pajtohemi sa i përket viteve 1990”.

Fituesit e zgjedhjeve në Serbi vazhdojnë të mohojnë se Serbia ka qenë agresore kundër katër pjesëve konstituive të Jugosllavisë: Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës.

Shoshkiq arsyetohet kështu: “Pra, keni njërën palë që flet për njëfarë agresioni, ndërsa pala tjetër flet për shkëputje të armatosur. Kështu që kjo gjendje ka të ngjarë të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë”.

Nuk ka qenë “njëfarë agresioni”, por agresion brutal serbomadh kundër popujve fqinj. Meqë politikanët serbë e kanë shumë merak të flasin për të drejtën ndërkombëtare, duhet të jetë e qartë edhe për ta se Serbia nuk i ka dhënë pesë pare për asnjë normë kur nisi shkatërrimin e Jugosllavisë me qëllim të krijimit të Serbisë së Madhe (jo që po e vajton kush Jugosllavinë, por shpërbëreja do të kalonte me më pak pasoja sikur të mos ekzistonte ambicia e shtrirjes së Serbisë në gati mbarë Ballkanin Perëndimor).

Politikani kroat nga Spliti, Bojan Ivosheviq, tha këto ditë për mediat kroate se “Ilija Sërdanoviq, bartësi i listës studentore, ishte në të njëzetat kur nisën luftërat e viteve ’90 dhe mori pjesë në to si ushtar i ushtrisë agresore. Prandaj, gjithçka varet nga mënyra se si ai e sheh të kaluarën e vet. A është i vetëdijshëm se edhe ai vetë ishte viktimë e politikës së Serbisë së Madhe, të udhëhequr nga Millosheviqi dhe të vazhduar deri më sot nga Vuçiqi, apo edhe sot, sikurse një numër i madh i qytetarëve të Serbisë, jeton nën hipnozën e viteve ’90?”

Nëse Sërdanoviq vërtet është i interesuar për raporte të mira me shtetet fqinje, atëherë duhet të bëjë hapin e parë dhe t’u tregojë mbështetësve të tij në Serbi se në vitet 1990 ka marrë pjesë në luftëra të gabueshme të regjimit serb. Këtë kapitull të tij ai po e mban ende sekret. Pyetja mbetet se ku e ka mbajtur pushkën Sërdanoviq dhe me çfarë qëllimi.

Një gjest i mirë ishte deklarata e tij dhënë gazetës boshnjake Dnevni avaz, se Aleksandar Vuçiqi është përgjegjës për qasjen e keqe dhe aktivitetet jodiplomatike të shtetit: “E ka bërë shumë herë gjatë 15 viteve të fundit, madje edhe shumë më herët. Sepse ne nuk harrojmë çfarë ka thënë dhe si e ka turpëruar kombin tonë edhe më parë. I mbajmë mend edhe deklaratat e tij gjatë viteve nëntëdhjetë”.

Mbamendja është me rëndësi, por çdo pushtet, edhe ky i ardhshmi në Serbi, do të matet nga veprimet e veta.

Qeveria e Kosovës duhet të zhvillojë një strategji bashkëpunimi me Republikën e Kroacisë për të demaskuar revizionizmin e historisë. Po ashtu duhet të insistohet me ngulm që Millan Radoiçiqi të përballet me drejtësinë – çdo ditë që ai mbrohet nga institucionet e drejtësisë është diskreditim i çdo premtimi të Listës Studentore se do të kujdesen që Serbia të jetë shtet normal.

Programi i kësaj liste sa i përket Kosovës është skandaloz dhe mund të përmblidhet në 6 pika:

Këtyre rreshtave do t’ua kishte zili edhe baroni Münchhausen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *