TË FUNDIT

26 vjet pa zgjidhje për ujin në Pobërgjë të Deçanit, “Hidrodrini” drejton gishtin nga banorët

Mungesa e ujit të pijshëm vazhdon të jetë problem për banorët e fshatit Pobërgjë të Deçanit, të cilët thonë se me këtë gjendje po përballen që nga paslufta. Ata kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkretë për zgjidhjen e problemit, i cili, sipas tyre, ua vështirëson jetën e përditshme.

Banorët ankohen se furnizimi me ujë është veçanërisht problematik gjatë vjeshtës dhe dimrit, ndërsa si shqetësime të tjera përmendin edhe furnizimin me energji elektrike dhe mungesën e kanalizimit.

Ilir Lokaj, banor i fshatit Pobërgjë, thotë se për më shumë se dy dekada banorët po përballen me të njëjtat probleme.

“26 vjet pas luftës përballemi me të njëjtin problem. Sidomos në vjeshtë dhe dimër kemi vazhdimisht probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Një vend që i ka resurset më të bukura në Kosovë, të përballet me një problem të tillë, është shumë gjynah për ne që jetojmë këtu”, ka thënë Lokaj.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për furnizimin me energji elektrike, duke thënë se, sipas tij, tensioni në rrjet bie deri në 170 voltë.

“Rryma është problem, edhe kanalizimi është problem. Kemi bërë kërkesa të vazhdueshme, por nuk kemi marrë as premtime e as përgjigje. Kështu nuk jetohet”, është shprehur Lokaj.

Ndërkaq, Shaqir Tolaj, përfaqësues i fshatit Pobërgjë, thotë se një pjesë e madhe e banorëve janë detyruar të hapin puse private për të siguruar ujë.

“Diku 70 për qind janë detyruar të hapin bunarë, të hapin puse, por ujë nuk ka. Disa herë kanë tentuar të rregullojnë diçka, por prapë e njëjta gjendje ka qenë”, ka deklaruar Tolaj.

Ai ka përmendur edhe problemet me vendosjen e ujëmatësve dhe menaxhimin e furnizimit me ujë, duke theksuar se duhet të ketë më shumë përgjegjësi dhe kontroll për të shmangur keqpërdorimet.

Nga ana tjetër, Petrit Januzaj, shef i Njësisë së Ujësjellësit për Deçan, thotë se janë bërë disa përpjekje për ta zgjidhur problemin, por sipas tij, banorët e Pobërgjës nuk kanë lejuar vendosjen e ujëmatësve.

“Kemi provuar edhe ne, edhe Komuna tri-katër herë, por Pobërgja nuk lejon të vendosen ujëmatësit. Janë vendosur disa dhe është investuar në këtë drejtim, por aty menaxhohet me ujë paushallë”, ka thënë Januzaj.

Sipas tij, problemi lidhet edhe me mënyrën e shpërndarjes dhe shfrytëzimit të ujit, pasi disa lidhje, siç pretendon ai, janë bërë nga burimet kryesore drejt shtëpive dhe staneve.

“Përderisa nuk menaxhohet uji përmes ujëmatësve, Pobërgja nuk mund të ketë ujë 24 orë. Faktori kryesor për këtë problem është vetë Pobërgja”, ka deklaruar Januzaj.

Ai ka bërë të ditur se zgjidhja kërkon bashkëpunim ndërmjet Komunës, qytetarëve dhe ujësjellësit.

“Normalisht duhet të ulemi Kuvendi Komunal, qytetarët dhe ne, që ta gjejmë një zgjidhje. ‘Hidrodrini’ është i gatshëm dhe ka ndarë edhe buxhet për këtë punë. Ne i kemi marrë asetet e Komunës për mirëmbajtje, por nuk mund ta mirëmbajmë Pobërgjën me zor”, ka theksuar Januzaj.

Pavarësisht përpjekjeve të përmendura nga ujësjellësi, banorët vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje konkrete për sigurimin e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm, si dhe përmirësimin e infrastrukturës bazë në fshat. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *