TË FUNDIT

E vuri në siklet Yamalin në skenën e Topit të Artë, tifozët shpërthejnë në kritika ndaj Henryt

Thierry Henry është kritikuar ashpër për komentet që ia bëri Lamine Yamalit, teksa ylli i Barcelonës pranoi çmimin për talentin më të mirë të ri në ceremoninë e Topit të Artë 2026, të mbajtur në Londër.

Yjet më të mëdhenj të futbollit u mblodhën në teatrin London Palladium, ku Harry Kane triumfoi ndaj Kylian Mbappes dhe Yamalit në garën për çmimin kryesor, pas një sezoni rekord në vitin 2025/26. Sulmuesi anglez ndihmoi Bayern Munichun ta fitojë dyfishin e trofeve vendore, ndërsa Anglia e përfundoi Kupën e Botës në vendin e tretë.

Ndonëse nuk arriti ta fitonte Topin e Artë, Yamali pati një mbrëmje të suksesshme, duke u shpallur talenti më i mirë i ri për meshkuj. Çmimin ia dorëzoi ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Arsenalit, Thierry Henry, i cili prezantoi ceremoninë së bashku me Kate Scott.

Yamali, që e kishte fituar këtë çmim edhe në vitet 2024 dhe 2025, mori vëmendje pozitive kur deklaroi nga skena: “Ky çmim duhej t’i takonte Pau Cubarsit”.

🗣️Thierry Henry: “It’s your third one right? But is it the one you really wanted to win?”Yamal: (laughs) No”😭😭😭😭 https://t.co/I7GYp9dzjc — 𝐟𝐞𝐝𝐞𝐯𝐚𝐥𝐯 (@fedevalv_) October 26, 2026

Megjithatë, batuta e Henryt ndaj talentit spanjoll nuk u prit mirë nga shumë tifozë.

“Është i treti për ty, apo jo? Por, a është ky çmimi që dëshiroje vërtet ta fitoje?”, e pyeti francezi me shaka.

Yamali qeshi dhe u përgjigj shkurt: “Jo”, duke shkaktuar të qeshura edhe te disa prej të pranishmëve, përfshirë presidentin e Barcelonës, Joan Laporta.

Reagimet në rrjetet sociale nuk vonuan, me shumë tifozë që e kritikuan Henryn për komentin e tij.

“Thierry Henry nuk duhet të marrë më kurrë një ftesë për të prezantuar një ceremoni. Është e turpshme t’ia bësh një pyetje të tillë Yamalit. Krejtësisht mungesë respekti”, shkroi një tifoz.

Një tjetër reagoi edhe më ashpër: “Imagjinoni të jeni një burrë i rritur dhe ta poshtëroni publikisht një 19-vjeçar, i cili tashmë ka përfunduar i dyti dhe i treti në garën për Topin e Artë. Arroganca, hidhërimi dhe mungesa e plotë e klasit janë vërtet të neveritshme. Fakti që Yamali buzëqeshi gjatë gjithë asaj situate tregoi më shumë pjekuri sesa Henry mund të ëndërrojë të ketë”.

Një tjetër komentues vlerësoi se batuta ishte e panevojshme, duke theksuar se Yamali sapo kishte pranuar një tjetër çmim për talentin e ri dhe ishte dukshëm i zhgënjyer që nuk e fitoi Topin e Artë.

“Pyetja ‘A është ky çmimi që dëshiroje sonte?’ dukej sikur po ia kujtonte edhe më shumë zhgënjimin. Megjithatë, Lamine e menaxhoi situatën në mënyrë të përkryer dhe menjëherë ia kaloi vëmendjen Cubarsit”, shkroi ai.

Ndërkohë, një tjetër tifoz e përmblodhi shkurt reagimin e Henryt: “Henry është i pamëshirshëm. E goditi Yamalin aty ku i dhemb më shumë”./ Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *