Gjithçka e kryer, Pochettino nënshkruan kontratën me Manchester United
Mauricio Pochettino është shumë pranë nisjes së një kapitulli të ri në karrierën e tij, pasi ka nënshkruar kontratën për t’u bërë trajneri i ri i Manchester Unitedit.
Trajneri argjentinas ka arritur marrëveshjen përfundimtare me gjigantin anglez, ndërsa dokumentet e kontratës tashmë janë dërguar dhe nënshkruar nga të dyja palët.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano, i cili raporton se Manchester United pritet ta bëjë zyrtar emërimin e Pochettinos gjatë këtij fundjave.
Sipas raportimit, Pochettino do të nënshkruajë kontratë dyvjeçare e gjysmë, e cila do ta mbajë në Old Trafford deri në verën e vitit 2029.
Marrëveshja përfshin edhe kompensimin financiar që Manchester United duhet t'i paguajë Federatës Amerikane të Futbollit për ta liruar trajnerin nga kontrata me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, argjentinasi nuk do të marrë menjëherë drejtimin e skuadrës angleze. Ai fillimisht do të qëndrojë me Kombëtaren e SHBA-së, me të cilën do t'i zhvillojë edhe dy ndeshjet e radhës ndaj Haitit, të planifikuara për të shtunën dhe të martën.
Pas përfundimit të këtyre angazhimeve, Pochettino pritet të udhëtojë drejt Mançesterit javën e ardhshme, ku do të nisë zyrtarisht punën me skuadrën e re.
Ai do të zëvendësojë Michael Carrickun, i cili u shkarkua të enjten pas rezultateve zhgënjyese në fillim të sezonit.
Manchester United ndodhet në pozitën e 18-të në Ligën Premier, me vetëm një fitore në 10 ndeshjet e para kampionale.
Pochettino do të ketë një detyrë të vështirë përpara, pasi synimi i parë do të jetë nxjerrja e klubit nga zona e rënies dhe rikthimi i tij në garën për pozitat e larta. /Telegrafi/
