TË FUNDIT

Peja Peace Forum 2026: “Revolucioni i Urtësisë” sjell në Pejë debatin për vlerat njerëzore në epokën e IA-së

Peja do të jetë nikoqire e edicionit të tretë të Peja Peace Forum 2026, i cili do të mbahet të shtunën, më 14 nëntor, në Universitetin “Haxhi Zeka”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, akademikëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë.

Nën temën “Revolucioni i Urtësisë: Vlerat njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale”, forumi do të trajtojë ndikimin e inteligjencës artificiale në paqe, siguri, arsim dhe të drejtat e njeriut, duke vënë në fokus rëndësinë e gjykimit etik dhe përgjegjësisë njerëzore.

Programi do të përfshijë një ligjëratë kryesore, tri panele diskutimi me folës ndërkombëtarë dhe prezantimin e nënshkrimin e Deklaratës së Pejës 2026.

Forumi do të hapet nga themeluesi i Peja Peace Forum, Dr. Neshad R. Albani, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, dhe presidenti i Rotary Club Peja, Ilir N. Albani.

Ligjëratën kryesore, me temën “Revolucioni i Urtësisë: Urtësia njerëzore në epokën e IA-së”, do ta mbajë Prof. Ichak Kalderon Adizes, doktor i shkencave në menaxhment nga Universiteti Columbia dhe ekspert i njohur ndërkombëtarisht në menaxhment dhe transformim organizativ.

Në kuadër të forumit do të zhvillohen tri panele tematike.

Paneli i parë, i cili nis në orën 10:40, do të trajtojë temën “IA për paqen dhe sigurinë njerëzore”, me fokus në mundësitë që ofron inteligjenca artificiale për parandalimin e konflikteve, paralajmërimin e hershëm dhe nxitjen e dialogut.

Në këtë diskutim do të marrin pjesë Glenn A. Miller, anëtar i Këshillit të Qytetit të Indios në Kaliforni; Matthew McLeroy, president i Rotary Club Indio Sunrise; Tina Ramirez, presidente dhe themeluese e Hardwired Global; dhe Jason Jackson, president dhe CEO i Southwest Protective Services dhe ish-kryetar i El Centros në Kaliforni. Paneli do të moderohet nga Prof. Dr. Bashkim Nurboja.

Paneli i dytë, i planifikuar nga ora 11:20 deri në 12:00, do të përqendrohet te “Dinjiteti njerëzor, të drejtat e njeriut dhe arsimi në epokën e IA-së”.

Folës do të jenë Ed Hammel, sipërmarrës dhe strateg biznesi; Prof. Felisa Tibbitts nga Katedra UNESCO për të Drejtat e Njeriut dhe Arsimin e Lartë në Universitetin e Utrechtit; si dhe Prof. Harold Victor Conde, avokat ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, edukator dhe autor. Diskutimin do ta moderojë Dr. Dardan Albani.

Ndërkaq, paneli i tretë do të trajtojë temën “Agjentët e IA-së, përgjegjësia njerëzore dhe e ardhmja e njerëzimit”, duke u fokusuar te përgjegjësia për vendimet e sistemeve të inteligjencës artificiale, ndërsa këto bëhen gjithnjë e më autonome.

Në këtë panel do të marrin pjesë Prof. Dr. Peter Russo, ekspert i inovacionit dhe kryetar i Bordit të BayStartUP; Dr. Sepita Ansari Pir Seraei, ekspert i marketingut digjital; dhe Prof. Dr. André Bresges, profesor në Universitetin e Këlnit. Paneli do të moderohet nga Celina Häseker.

Një nga pikat e programit do të jetë edhe prezantimi i Deklaratës së Pejës 2026, të cilën Dr. Neshad R. Albani do ta prezantojë në orën 12:15.

Pas përfundimit të paneleve, deklarata do të nënshkruhet zyrtarisht nga katër partnerët themelues: Peja Peace Forum, Komuna e Pejës, Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Rotary Club Peja.

Edicioni i tretë i forumit organizohet në partneritet me këto institucione dhe zhvillohet në kuadër të 20-vjetorit të Rotary Club Peja, klubit të parë Rotary në Kosovë.

Peja Peace Forum 2026 do të mbahet më 14 nëntor, nga ora 09:30 deri në 14:00, në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë. Të interesuarit mund të regjistrohen përmes faqes zyrtare të forumit: pejapeaceforum.org/registration. / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *