Gjenden sërish mbetje mortore në Zubin Potok, u përkasin të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë
Mbetje mortore të tre personave janë gjetur në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, në veri të Kosovës, në një prej zonave ku prej javësh po zhvillohen gërmime për varre të mundshme masive.
Policia e Kosovës njofton se mbetjet u zbuluan më 14 gusht dhe ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se bëhet fjalë për mbetje njerëzore. Dyshimi i autoriteteve është se ato mund t’u përkasin viktimave të luftës.
Gërmimet po zhvillohen në tri vende në Zubin Potok, përfshirë Kalludrën e Vogël dhe Jakubën.
Hetimi për këto zona ka nisur rreth dy vite më parë, ndërsa më 7 gusht autoritetet njoftuan edhe për gjetjen e mbetjeve mortore në një tjetër vend të dyshuar për varr masiv.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar tre persona,njëri prej të cilëve dyshohet se ka qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të terrenit të vështirë dhe shpërndarjes së mbetjeve. Sipas tij, ato të gjetura në Kalludrën e Vogël mund të lidhen me 23 shqiptarë të zhdukur në atë zonë gjatë vitit 1999. Megjithatë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes, pasi identifikimi i viktimave ende nuk është bërë.
Çështja e personave të zhdukur mbetet një prej plagëve më të rënda të pasluftës në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, 1 mijë e 577 persona ende nuk dihet se ku ndodhen, ndërsa familjet vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre.
